Restaurohet shtëpia e patriotit nga Vushtrria, Zejnullah Beut

Kultura

Restaurohet shtëpia e patriotit nga Vushtrria, Zejnullah Beut

Më: 27 nëntor 2014 Në ora: 16:58

Dikur e harruar dhe lënë pas dore, pa përkujdesje institucionale, shtëpia e patriotit Zejnullah Beu që gjendet në Balincë të Komunës së Vushtrrisë është restauruar dhe ka marr pamje të re. Kjo shtëpi për shkak të vjetërsisë, mungesës së mirëmbajtjes, mos shfrytëzimit dhe dëmeve të pësuara nga lufta, ishte e rrezikuar, në gjendje të mjerueshme dhe në nevojë të madhe për intervenim dhe investime.

Punimet emergjente dhe restauruese në këtë shtëpi kishin filluar të zbatoheshin gjatë sezonit të verës së këtij viti. Punimet kanë përfshirë rregullimin e mureve madje edhe ngritjen e tyre vendosja e trarëve dhe dritareve nga druri dhe konservimi i tyre për mbrojtje ndaj lagështisë. Në fund është bërë edhe konsolidimi i shkallëve të brendshme të drurit si dhe rindërtimi i shkallëve të jashtme nga guri.

Projekti për restuarimin e shtëpisë së Zejnullah Beut është financuar përmes fondeve të shtetit të Suedisë dhe Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të Kosovës. Kjo ndërtesë është përzgjedhur si një nga prioritetet e Planit Lokal të Trashëgimisë Kulturore të Vushtrrisë të zhvilluar në kuadër të Programit të Planeve Lokale të Trashëgimisë Kulturore në 7 komuna të Kosovës dhe Programit të Intervenimeve Emergjente në 50 ndërtesa të trashëgimisë kulturore në Kosovë.

Shtëpia e banimit e Zejnullah Beut është monument i trashëgimisë arkitekturale nën mbrojtje të ligjit për trashëgimi kulturore. Ajo është e ndërtuar në fillim të shek. XX, si pjesë e shumë pronave që i kishte në pronësi ky tregtar i pasur. Besohet se fillimisht kjo shtëpi ishte ndërtuar si vilë-pushimore, pasi që familja jetonte në shtëpitë dhe pronat tjera që kishin në rajonin e Vushtrrisë. Si patriot i madh dhe arsimdashës, Zejnullah Beu la këtë shtëpi të përdoret si shkollë. Të dhënat na tregojnë se para dhe gjatë periudhës së luftës në Kosovë shtëpia kishte funksionuar edhe si stacion policor, ku ishin krijuar edhe dhomat e burgjeve në katin e sipërm.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat