Forumi Kulturor organizon konferencën “Si të mendojmë kulturalisht?”

Kultura

Forumi Kulturor organizon konferencën “Si të mendojmë kulturalisht?”

Më: 27 nëntor 2014 Në ora: 11:07

Mbi dhjetë folës eminentë nga Kosova dhe shtetet e rajonit do të jenë pjesë e dy paneleve të konferencës “Si të mendojmë kulturalisht?”, e cila do të mbahet më 3 Dhjetor 2014 në Prishtinë. Kjo konferencë është përpjekja e rradhës e Forumit Kulturor për të sjellë kulturën në vemendje të politikave shtetërore, duke sjellë edhe përvoja nga shtetet e rajonit. Diskutimet në konferencë do të zhvillohen në dy panele, ku do të disktohet për modelin kulturor në dy nivelet e qeverisjes në Kosovë dhe nevojën për të rishikuar qasjen e shtetit ndaj kulturës.

Në panelin e parë të konferencës do të diskutohet mbi kulturën dhe numrat, ndërsa paneli i dytë i konferencës do të analizojë trajtimin që i bëhet kulturës nga komunat e Kosovës. Për të dyja panelet, Forumi Kulturor ka ftuar folës të shquar nga Kosova dhe shtetet e rajonit. Përvojat e Sllovenisë, Shqipërisë, Maqedonisë dhe Kroacisë në Prishtinë do t’i sjellin aktivistët e njohur kulturor nga këto shtete, në mesin e të cilëve edhe Teodor Celakoski nga Zagrebi, laureat i çmimit prestigjioz evropian EFC Princess Margriet për vitin 2014. Pjesë e paneleve të konferencës do të jenë edhe Andi Tepelena nga Skena e Pavarur Kulturore e Shqipërisë, Nevenka Koprivsek nga Bunker Institute, Lublanë dhe Violeta Simjanovska nga PAC Multimedia, Shkup. Në konferencë do të flasin edhe Veton Nurkollari (Dokufest), Albert Heta (Stacion CCA), Agron Demi (Instituti GAP) dhe të tjerë. Moderatorë të paneleve do të jenë Adriatik Kelmendi dhe Besa Luzha.

Gjatë vitit 2014, Forumi Kulturor ka prodhuar një numër raportesh dhe analizash mbi politikat kulturore në Kosovë. Të gjeturat e hulumtimeve tregojnë se kultura vazhdon të trajtohet si barrë nga institucionet shtetëtore, ndërsa ndarja buxhetore për kulturën është më pak se 1 përqind e buxhetit shtetëror të Kosovës. Ne besojmë se diskutimi për kulturën duhet të përfshijë të gjitha grupet e shoqërisë, në mënyrë që të angazhohemi për një konsensus të gjerë shoqëror për një agjendë zhvillimore kulturore në Kosovë. Pas gjithë këtyre viteve të neglizhencës, kultura duhet të kthehet në vemendjen e të gjithëve, duke u shndërruar në njërën nga politikat prioritare zhvillimore të shtetit të Kosovës. Konferenca synon të ofrojë një platformë për t’i diskutuar të gjitha perspektivat mbi modelin kulturor që Kosova duhet të ndjekë.

Konferenca vjetore e Forumit Kulturor “Si të mendojmë kulturalisht?” mbahet më 3 Dhjetor 2014 (e mërkurë) në sallën e konferencave ORION (përballë Kino ABC në qendër), në Prishtinë dhe fillon në orën 10.00./BS

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat