Fishta dhe Gjeçovi, promovohen dy botime në Tiranë

Kultura

Fishta dhe Gjeçovi, promovohen dy botime në Tiranë

Më: 27 nëntor 2014 Në ora: 10:59

Dy botimet më të fundit, "Fishta dëshmi e identitetit shqiptar" dhe "Gjeçovi-tradita dhe qytetërimi shqiptar" të autorit Dom Viktor Sopi pas promovimit në Kosovë vijnë edhe për lexuesit në Shqipëri.
Vetë autori tregon qëllimin e shkrimit të këtyre dy botimeve, dhe emocionet që po përjeton. Ai thotë se në botimet e tij është përfshirë lirikja , epikja dhe komikja e Fishtës, dhe puna krijuese e Gjeçovit në sistemimin e vlerave të kanunit të Lekë Dukagjinit. "Motivi kryesor i imi ishte që të krahasoj dashurinë për libër, për vlerë, për sakrificë, pozitën në shërbim, çfarë jep shembull konkret dëshmia letrare e gjerë e Gjergj Fishtës, apo veprimtaria e ruajtjeve të zakoneve dhe traditës shqiptare. Çfarë është një kodifikues i mirë? Shtjefën Gjeçovi", tha Dom Viktor Sopi, autor i dy botimeve që dje u promovuan në mjediset e Ministrisë së Kulturës. Dy veprat u botuan me mbështetjen e Institutit Albanologjik të Prishtinës. Ndërkohë që ato janë cilësuar si një pasuri edhe për Institutin Albanologjik të vendit tonë. Për vlerat e këtyre dy botimeve folën dhe të tjerë studiues si prof. Emin kabashi nga Instituti Albanologjik i Prishtinës, prof. dr. Ardian Marashi nga Qendra e Studimeve Albanologjike e Shqipërisë, etj. Shtjefën Gjeçovi (Janjevë, 12 korrik 1873 - Zym, 14 tetor 1929) ishte frat françeskan, veprimtar i shquar i lëvizjes atdhetare, etnograf, arkeolog dhe shkrimtar shqiptar. Kryevepra e tij, “Kanuni i Lekë Dukagjinit”, është përmbledhja më e përmendur e ligjit zakonor shqiptar.
Ndërkaq që Gjergj Fishta (23 tetor 1871-30 dhjetor 1940) është cilësuar si Homeri shqiptar, një poetët më të mëdhenj. Ai arrin të botojë këngët e para të "Lahuta e Malcis", kryevepër e poezisë epike shqiptare, më 1904. Më 1907 boton përmbledhjen satirike "Anzat e Parnasit", dhe më 1909 përmbledhjen lirike "Pika voëset", më 1913 "Mrizi i Zanave". Fishta veç krijimtarisë artistike, shkëlqeu edhe në fushën e pedagogjisë e të psikologjisë sociale, gjuhësisë, etj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat