299 dokumente në “Letërkëmbime të Rilindjes Kombëtare Shqiptare”

Kultura

299 dokumente në “Letërkëmbime të Rilindjes Kombëtare Shqiptare”

Më: 27 nëntor 2014 Në ora: 10:57

Në 703 faqe të librit janë botime epistolare dhe letërkëmbime nga personazhe të ndryshëm që ndërtuan shtetin shqiptar. Elemente të ndryshme personale, por edhe të tilla ku tregohet emancipimi i një populli të tërë.
I tillë u cilësua libri “Letërkëmbime të Rilindjes Kombëtare Shqiptare”, me autorë Ismail Ismailin dhe Skënder Blakajn, e i cili u promovua sonte në kryeqytet. Studiuesi Rexhep Ismajli foli i pari për librin, duke e quajtur atë të veçantë, si gjini e si përmasë, shkruan Kultplus.
“Autorët këtij libri i kanë vënë një kufi, e ky është viti 1913. Letrat në këtë vëllim janë vetëm para këtij viti, e datojnë qysh para Krishtit. Letrat janë në gjuhë të ndryshme dhe vende të ndryshme, normalisht gjithmonë në verzionin shqip. Ka letra të Lord Bajronit, Naum Veqilharxhit, një korpus i 76 letrave të Faik Konicës, 35 letra të Visar Dodanit, ka letra mbi krijimin e shkollës shqipe dhe të tjera deri në krijimin e shtetit shqiptar” pohoi Ismajli, duke shtuar se libri është një thesar për studiuesit e ardhshëm shqiptarë, të cilët do të kenë si pikë reference një studim të tillë i cili ofron megjithatë pak përgjigjje të këtyre letrave, të cilat nuk ia humbin rëndësinë këtij botimi.

“Letërkëmbime të Rilindjes Kombëtare Shqiptare” përmban edhe letra të shkruara nga Frang Bardhi, Pjetër Budi e Pjetër Bogdani, ndërsa përfundon me letrën mbi një libër të panjohur për Skëndërbeun, shkruar nga Ymer Jaka.
Autori Nazmi Rrahmani këtë libër e quajti si një vëllim që tanimë do ta gjejë lexuesin e tij.
“Në libër janë përmbledhur letërkëmbimet më të njohura të asaj periudhe, të njerëzve që shënuan kulturën shqiptare para dhe gjatë krijimit të shtetit shqiptar” tha ndër të tjerash Rrahmani.
Bashkëbotuesi i librit, Gjin Buqaj nga Shoqata “Vatra” me seli në Boston, e quajti këtë libër si një garanci të vërtetë dhe një vepër që shpalos kohën kur puna për interesin kombëtar vinte para asaj për përfitime personale apo qëllime karrierizmi.
“Njerëzit për të cilët flitet në vepër dhanë shembullin e dashurisë dhe përkushtimin e tyre më të madh në interes të kombit. Ky është një libër me vlerë historike për të kaluarën tonë, dhe sidomos në këto kohëra është një mësim i mirë për secilin prej nesh” pohoi Buqaj.

Në libër ka edhe dokumente të reja të gjetura në hulumtimin e bërë paraprakisht. Vendimet e Kongresit të Elbasanit për arsimin shqiptar, apo edhe shpallja e vetëqeverisjes më 25 nëntor 1912 janë dokumente dhe faksimilie origjinale brenda në libër, e të cilat për kohë me radhë, sipas njërit prej autorëve, kanë qenë temë debati e studiuesve e historianëve shqiptarë.
“Ky libër nuk ka vetëm dy autorë. Brenda tij janë edhe të tjerë autorë që na kanë ndihmuar me konfirmimin e secilës gjetje që është kryer. Janë gjithsej 299 dokumente të përfshira, nisur qysh nga viti 1283 para Krishtit e deri më 1913, në 1 vjetorin e shpalljes së pavarësisë së shtetit shqiptar” ka shtuar Skënder Blakaj në këtë promovim.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat