“70 Vjetori i Çlirimit të Vendit” në pullë postare

Kultura

“70 Vjetori i Çlirimit të Vendit” në pullë postare

Më: 26 nëntor 2014 Në ora: 18:08

Në kuadër të festimeve për 70-vjetorin e çlirimit të vendit, Posta Shqiptare do të emetojë një emision me pulla postare me tematikë “70 Vjetori i Çlirimit të Vendit”, e cila do të dalë në qarkullim me datë 29 nëntor 2014. Emisioni i kësaj pulle përbëhet nga 1 seri me 1 pamje, një tabak të përbërë prej nëntë pullash si dhe nga Zarfi i Ditës së Parë (FDC).

Dizajni i bocetit është realizuar nga piktori Petraq Papa dhe ka një vlerë prej 40 lekësh. Tirazhi për filatelinë është 5000 seri, ndërsa për shërbimin postar është10.000 pulla si dhe 200 FDC (zarfi i ditës së parë).

Drejtori i Përgjithshëm i Postës Shqiptare, Majlind Lazimi, u shpreh se për Postën Shqiptare është gjithmonë kënaqësi që të kontribuojë sado pak në të tilla ditë të shënuara, duke qenë se Posta Shqiptare ka eskluzivitetin e emetimit dhe prodhimit të pullës postare shqiptare.

“Këtë vit, në këtë përvjetor mjaft të rëndësishëm të çlirimit të Shqipërisë, Posta Shqiptare sjell këtë pullë ekskluzive, duke shprehur gatishmërinë që pulla të shërbejë vazhdimisht si simbol i pasqyrmit të ngjarjeve me rëndësi historike, kulturore dhe sportive brenda apo jashtë vendit”- tha Lazimi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat