Promovohet krijimtaria dramaturgjike e Ekrem Kryeziut

Kultura

Promovohet krijimtaria dramaturgjike e Ekrem Kryeziut

Më: 26 nëntor 2014 Në ora: 10:08

Teatri Kombëtar i Kosovës dhe Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës kanë organizuar shënimin çmimit “Shkrimtari Shqiptar i vitit 2014”, të cilin e jep PEN Albania, e që këtë vit i është ndarë Ekrem Kryeziut.

Drejtori artistik i TKK-së, Emin Emini përshkroi krijimtarinë letrare-dramaturgjike të shkrimtarit Ekrem Kryeziut. “I pari konstatim që na vjen pas analizimit dhe shqyrtimit të krijimtarisë letrare-dramaturgjike të veprës së Ekrem Kryeziut, është se drama e tij si realitet artistik në aspektin tematologjik dhe tipologjik mund të klasifikohet si dramë me elemente dhe parametra të etno-dramës, përkatësisht si vepër që përkufizohet brenda dimensioneve të dramaturgjisë kombëtare. Në të vërtetë, nëse lexohen dhe përkthehen drejt shtesat dhe nënshtresat e etno-dramës së Ekrem Kryeziut, mund të konstatojmë se autori realizon të kundërtën e qëllimit, sepse faktura nacional-patriotike përdoret vetëm si bazament mbi të cilin ndërtohet realiteti artistik, stilistik e estetik, dhe po nga ky bazament, pastaj, gufojnë dimensionet e një drame e cila mbrumë idetë, parimet, vizionet dhe vlerat e artit të thurjes së dramës bashkëkohore moderne si dhe artin e krijimtarisë dramaturgjike më përmasa të një drame e cila i përgjigjet çdo realiteti jetësor, çdo kohe dhe komuniteti të shoqërisë njerëzore”, tha ndër të tjera Emini, shkruan Kultplus.

Në këtë promovim të krijimtarisë së gjerë të dramaturgut, Kryeziu foli edhe nënkryetari i lidhjes së shkrimtarëve, Shyqri Galica që i dha theks të veçantë biografisë dhe jetës artistike të shkrimtarit, si dhe çmimet që Kryeziu fitoi në festivalin ndërkombëtar të filmit artistik dhe dokumentar me filmin “Gjurmët e bardha”, dhe me filmin “E kafshoja terrin” që u mbajt në festivalin televiziv të Jugosllavisë së atëhershme.

E Haqif Mulliqi, njëri ndër ish studentët e Kryeziut vlerësoi lartë punën e profesorit të tij dhe tha se ja ka dalë që të zbërthej edhe vizionet sociale, filozofike apo edhe thjeshtë atyre jetësore të këtij autori interesant. “Mendoj se ia kam dalë që të zbërthej edhe vizionet sociale, filozofike, apo edhe thjeshtë atyre jetësore të këtij autori interesant. Duke lexuar dramat e tija besoj se mund të grafikojmë qartë edhe të menduarit e tij për dramën, teatrin në përgjithësi dhe konceptet e tija mbi atë që edhe tek ne krijuesit ka arritur koha që të jemi më të drejtpërdrejtë, më të qartë dhe më thumbues, duke iniciuar kështu një qasje më ndryshe në dramaturgjinë tonë e cila ka për qëllim para së gjithash ta radikalizojë përvojën teatrore, te ne të instaluar mbi skenat kyçëse dramatike të mbamëndjes kolektive e që do të na shpie drejt ndryshimeve kulturologjike shqiptare në përgjithësi. Këtu bënë përjashtim drama e Ekrem Kryeziut, “Epoka para gjyqit” e cila është shenjë identifikuese e këtij autori”, theksoi Mulliqi.

E krejt në fund fjalën e mori edhe autori për të cilin ishin mbledhur të gjithë, ku nuk i mbeti shumë për të thënë. “Ky çmim më ka befasuar, ky është çmimi i dytë që marr nga Shqipëria, sepse në Kosovë nuk kam marr ende ndonjë çmim, por ky promovim për mua është shumë i veçantë sepse i kam afër miqtë e mi të cilët po ma pranojnë këtë çmim”, përfundoi Ekrem Kryeziu.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat