Bibliotekës Kombëtare “Pjetër Bogdani”, shënon 70-vjetorin

Kultura

Bibliotekës Kombëtare “Pjetër Bogdani”, shënon 70-vjetorin

Më: 25 nëntor 2014 Në ora: 11:49

Në Prishtinë u shënua 70-vjetori i themelimit të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, ku u ndanë mirënjohje dhe u hap “Ekspozita e koleksioneve të Rilindjes Kombëtare Shqiptare”.

Në 70-vjetorin e themelimit të Bibliotekës Kombëtare “Pjetër Bogdani” në Prishtinë, drejtori i saj, Bedri Zyberaj, tha se e shënojnë këtë përvjetor me të arritura dhe rezultate konkrete, që janë me rëndësi për letërsinë dhe kulturën shqiptare.

“Biblioteka Kombëtare në këtë 70 – vjetor është në organizimin që pretendoj t’i ngjajë Bibliotekës së Kongresit Amerikan, ngase pikërisht këtë gjë e kemi arritur në sajë të mbështetjes që na kanë dhënë miqtë tanë, ambasadat të cilat kanë përfaqësuar vendet mike. Kontributin më të madh pas luftës e ka dhënë ambasada e SHBA-ve me ekspertë të ndryshëm, që kanë trajnuar stafin e Bibliotekës, kanë përgatitur një plan strategjik se si duhet të funksionojnë këto dy biblioteka.”
Zyberaj tha se Biblioteka Kombëtare tani është pjesë e mekanizmave të ndryshëm ndërkombëtar.

“Ka bashkëpunim me Biblioteka të shumta të vendeve të ndryshme, por gjithsesi bashkëpunimin më të madh e ka me Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë, me të cilën organizojnë veprimtari të përbashkëta vjetore. Këto veprimtari rezultojnë me botime të ndryshme.”
Me rastin e 70-vjetorit të themelimit, Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani”, organizoi një ceremoni, ku u ndanë edhe mirënjohje. Më pas u hap “Ekspozita e koleksioneve të Rilindjes Kombëtare Shqiptare”. Biblioteka Kombëtare është themeluar në nëntor të vitit 1944 dhe selia e saj fillimisht ka qenë në Prizren, pastaj është bartur në Prishtinë, më 1946. Aktualisht fondi bibliotekar në Bibliotekën Kombëtare arrin në mbi 2 milionë ekzemplarë, ndërsa ka mbi 200 mijë tituj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat