Namik Selmani dhe “Borxhi i Ali Podrimjes”

Kultura

Namik Selmani dhe “Borxhi i Ali Podrimjes”

Nga: Nga Nuri Dragoj - Studiues, Qendra e Studimeve Albanalogjike Tiranë Më: 24 nëntor 2014 Në ora: 18:57

Libri i Namik Selmanit me titullin “Borxhet e Ali Podrimjes”, është një përmbledhje me poezi të zgjedhura që shërben jo vetëm si mesazh për gjigandin e artit të madh shqiptar, por edhe si një shembull frymëzimi për brezat e poetëve të rinj. Titulli i këtij libri është mjaft i spikatuar dhe shërben si një kurth artistik për lexuesit dhe kritikët. Megjithëse libri mban titullin “Borxhet e Ali Podrimjes”, që në faqet e para autori Namik Selmani sqaron se Ali Podrimja nuk kishte asnjë borxh, sepse ai e dinte shprehjen popullore “më mirë fli pa darkë, që të zgjohesh pa borxhe”. Nga ana tjetër, megjthëse vdekja e Ali Podrimjes bëri bujë të madhe duke mbetur si mister në lidhje me shkakun e vërtetë, përsëri Namik Selmani nuk merr përsipër të sqarojë nëse kjo vdekje ishte një pushim zemre, apo një vetëhelmim. Deri atëherë Ali Podrimja kishte grumbulluar në shpirtin e tij plot helm, që nga dita e vdekjes së djalit të tij, Lumit, të cilin poeti e përmend aq bukur në poezinë e parë të këtij vëllimi ku thotë: “Në pëllëmbën e shtrënguar/ Do të kemi edhe dorën e Lumit”. Poeti rend bashkë me Podrimen nga Çamëria në Kosovë, marrin pjesë së bashku në dasma e gëzime, kuvendojnë për trimat shqiptarë në çdo anë, qajnë dhe qeshin së bashku.
Në poezinë “Monolog” autori shkruan: “Me shuplakë ma goditën historinë…E dhimbja i bëri sa një grusht fushat / E deti i shtoi lotët e kripura”. Namiku digjet për Çamërinë që ka mbetur aq larg, merakoset për çatitë e shtëpive që mbetën pa u ndërruar, për oxhakun e pafshirë, për hostenin që s’ka ç’të thumbojë në qerre.
Poeti na jep me finesë dhimbjen e nënës çame që e larguan me forcë nga vendlindja, amanetin e saj për t’u kthyer një ditë në Margëlliç dhe tw shohë shtëpinë e saj, ta pastrojë nga ferrat që e kanë rrethuar dhe t’i japë jetë, të presë miq e shokë, të bëjë dasma e gosti dhe burrat çamë të tundin dyshemene e shtruar me dhoga duke hedhur vallen deri në tavan.
Por Namik Selmani në dinamikën e krijimtarisë së këtij libri nuk merr përsipër të analizojë shkaqet e vdekjes së Podrimjes, sepse ai e di fare mirë që poetët dhe shkrimtarët e vërtetë janë të pavdekshëm. Që në poezinë e parë Selmani shprehet aq bukur kur thotë: “pikëtakimi ynë/ mund të ishte në Gjakovë, Prevezë, Filat / Një strehë miqsh të vjetër e të rinj/ Mund ta bënim në Strugë, Berat e Prizren/ Një valë Drini, Kalamaje, a Lumëbardhi/ do të na njomte këmëbt e lodhura nga shekujt e rreptë”
Ndërsa në poezinë e dytë të titulluar, “Amaneti i nënës”, poeti Namik Selmani rindez edhe njëherë ëndrrën e ligjshme të rikthimit, nëpërmjet zërit të nënës së tij e cila thotë: “Më lini të shkoj në malet e Margëlliçit që të ndez furrën/ Të pjek kulaçin për dasmën e shpejtë të Rikthimit/ Në gërmadhat e viteve dua të gjej leshin dhe furkën/ në bahçet e vetmuara të mbledh kokrrat e shegëve e të ullirit”.
Më tej, në poezitë vijuese të titulluara, “Poezia e brigjeve”, “Mbijetesë”, “Monolog”, “Tupani i fjalës gërvalliane”, “Katrinë moj”, poeti ndërthur shumë bukur figuracionet artistike me portretizimin konkret për njerëzit e shquar që kanë ndihmuar sadopak në lehtësimin e plagës shpirtërore për Çamërinë, me anë të optimizmit për rikthim. Në këto poezi nuk ka vetëm dhimbje, por edhe shpresë apo besim se një ditë gjërat do të ndryshojnë. Por në këto poezi vihet gishti edhe mbi plagën kosovare, e cila është ende një këmbanë që bie për ata që kanë veshë. Në këtë mënyrë Namik Selmani operon me shumë mjeshtëri. Të dy dramat e mëdha historike i vë përballë njëra – tjetrës, siç ndodh në faqet 30 dhe 31, ku në një faqe flitet për Çamërinë nëpërmjet poezisë, “Këngë e ngrohtë që vjen nga Joni”, ndërsa në poezinë tjetër me titull “Eksod Kosove”, përshkruhet një fragment tragjik i dramës kosovare. Ndërsa më tej, në poezinë e titulluar “Kosovë-Çamëri”, poeti arrin një kulminacion të dhimbjes dhe dashurisë për dy trojet tona shqiptare. Ky kulminacion shprehet mjaft mirë me vargjet: “Dy bija që nëna i pati afër e larg/ kur zemra gjak i dha që në ditën e parë të jetës/ Herë u bë Rozafë /që gjaku çurg i çurgoi si burim shkumëbardhë/ Herë u bë Doruntinë që malli ia çau palcën e shpirtit të djegur”.
Më bukur se kaq nuk ka se si të shprehet dhimbja dhe dashuria për dy viset tona. Ndofta është një fat i madh që nga këto dy vise dolën dy poetë, siç janë Ali Podrimja dhe Namik Selmani, të cilët na përshkruan kaq me realizëm të gjitha ndjesitë për to. Poezitë e zgjedhura të këtij vëllimi ndërpriten në faqen 36 nga shënimi në prozë, me titullin “Kërkoj frymën Podrimjane”, ku Namik Selmani thotë: “Historia e Kosovës është historia e Çamërisë dhe e mbarë shqiptarisë. E lavdishme dhe e përgjakur”.
Dhe më tej, figuracionet poetike për Kosovën e Çamërinë, shpërthejnë si ylbere drite për të parë në detaje përmasat e kësaj drame kombëtare si edhe shpresën se një ditë gjithçka do të rikthehet si më parë. Kështu në poezinë, “Kosovë 1999”, Selamani shkruan: “Tani rihape fletën e abetares/ E shkërmoqe mes gazit dheun/ me farën e re të ëndrrës e bukës”.
Në poezinë “Këngë e ngrohtë që vjen nga Joni” poeti shëtit në mbarë trojet shqiptare dhe sjell mallin për trojet, për historinë, tregon njësinë e territorit shqiptar kur vjen Paramithia si motër në Gjilan, kur mbërrin Osman Taka e Bacë Jusufi i hap kullat, shoqëruar me dhimbjen për të shkuar por dhe shpresën e madhe për nesër, për abetaret dhe amanetin që nuk u thinj. Poeti çam, Namik Selmani, e ka të vështirë borxhin. Nuk do të mbetet borxh dhe shlyerjen e borxhit e sheh si detyrim, si virtyt, si kompensim i detyrimit të përbashkët që kemi për kombin. Nuk i shlyen borxhet vetëm Podrimjes, por edhe të tjerëve. I ka borxh kënge Zahir Pajazitit që nuk iu tremb plumbit e dëshiron të heshtë me të, të flasë me të, të rijetojë me të, përherë duke i rënë në gjunjë flamurit ngjyrëzjarri. Ai i këndon Gani Elshanit që fëmijëve të mos u mungojë liria, buka e shkronja e abetares. Udhëton në gjithë Kosovën. Për Fushë Kosovën e merr përherë malli. Në Drenicë sheh kullën e Jasharajve çpuar nga predhat e shenjuar nga plumbat, aty ku mikpritja e ngrohtë për mikun nuk shter kurrë, aty ku njeriu nuk mund ta shuajë dot kujtesën historike, e kush ruan kujtesën nuk vdes, ndaj poeti nuk ndjen lodhje sikur male të tërë të ngjit në këmbë. Udhëton në kërkim të Ukshin Hotit, njeriut legjendë, e sheh atë mes pushkësh tek vrapon ballëdjersitur dhe shpreson në rilindjen e tij. Flet me komandant Iliaz Kodrën dhe e fton të hapin së bashku brazda të reja mes ugareve të tokës së Kosovës dhe Shqipërisë.
Fati i shqiptarëve të rrethuar nga armiq të egër, që e kanë patur përherë frikë e lakmi për trimërinë e intelegjencën, për shpirtin e madh, për qytetarinë, për tokën e bekuar e bukuritë natyrore që i ka falur natyra. Përherë të sulmuar. Për mbrojtjen e kësaj toke është derdhur shumë gjak burrash, grash, djemsh dhe vajzash, gjak fëmijësh të pafajshëm. Ndaj poeti kërkon ta marrë vetë në kraharor atë plumb fatkeq, për ta shmangur nga gjoksi i heroinës Antigona Fazliu, që ajo të mos nxirrte kurrë piskama, se kemi nevojë për lodrimin e saj, për bukurinë e saj, për mendjen dhe dorën e saj. E ky gjak i derdhur lëshoi rreze drite në Kosovë, ndaj poeti u kujton të rënëve se qëllimi i tyre u realizua. “Bacë u krye thotë Prekazi, Bacë u krye thotë Kosova”.
Duke folur për eksodin e Kosovës, poeti përcjell dhimbjen e madhe të asaj gjëme, por dhe shpresën që ia jep vetëm “shqiponja në flamur gëdhendur te djepi i foshnjës”. Në poezitë e autorit është derdhur tërë historia e Kosovës dhe Çamërisë, histori dhimbjeje dhe heroizmi, ndihet era e ugarit dhe e gjakut, aroma e borzilogut dhe era e barutit, kënga për trimat por dhe vargjet e thurua për të bukurën, për dashurinë, për jetën.
Ndërsa në poezinë e titulluar “Mitrovicë 2014”, poeti thotë “Lis naimjan/ Gur Çajupjan/ Dallëndyshe shirokiane/ Frymë lasgushiane”.
Megjithëse në përgjithësi Namik Selmani flet për dhimbjen shqiptare ndaj këtyre visesve të copëtuara nga trungu amë, përsëri ai di të përzgjedhë momente optimiste. Kështu në poezinë “Cikli i Prizrenit”, poeti thotë: “Këtu në Prizren të gjitha vajzat qenkan Rozafa/ Në vend të qumështit të gurtë/ miklojnë gëzimin e së nesërmes/ në portën e besimit asnjë s’merr mungesë”.
Namik Selmani duke qenë me origjinë nga viset e Çamërisë na tregon me një ndjeshmëri tepër të lartë ndjesitë e tij poetike për dramës çame. Nga ana tjetër duke ecur me fisnikëri në gjurmët e mikut të tij të ngushtë, Ali Podrimjes, ai na përshkruan me profesionalizëm botën kosovare, e cila na dhemb dhe na mrekullon të gjithëve. Duke qenë një mik i afërt dhe adhurues i Ali Podrimjes, Namik Selmani me anë të këtij libri duket sikur ka shkruar me emrin e të dyve për realitetin shqiptar. Sepse ai ka arritur mjaft mirë që në vargun e tij për tragjedinë shqiptare të sintetizojë edhe arsyetimet ose britmat e Ali Podrimjes së madh. Në fund të këtij libri njeriu mrekullohet nga poezitë e fundit, disa prej të cilave i kushtohen Ali Podrimjes. Aty ndjehet plotësisht ajo që Namik Selmani shpreh në fund të parathënies së këtij libri. Duke e ndjerë vetën borxhli, poeti thotë: “Më duket se po e laj pak “borxhin” e madh të Çamërisë sime për atë që ke bërë ti, poeti dhe miku im Ali Podrimja”.
Dhe ky libër i realizuar me aq mjeshtëri ka treguar se Namik Selmani i ka qëndruar besnik asaj që ka dashur të thotë, duke shprehur në çdo varg të tij dashurinë për viset shqiptare dhe nderimin për poetin gjigand të Kosovës e mbarë kombit shqiptar. Në fund të leximit të këtij libri ne mund të themi shumë fjalë, por do të mjaftonin edhe 3 fjalë të vetme për të shprehur gjithçka: Faleminderit, Namik Selmani!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat