Festivali Folklorik i Këngës Popullore në Elbasan

Kultura

Festivali Folklorik i Këngës Popullore në Elbasan

Më: 24 nëntor 2014 Në ora: 12:08

Festivali Folklorik Tipologjik Kombëtar i Këngës Popullore Qytetare i rikthehet sot, ora 18.00, qytetit të Elbasanit. Festivali i cili rrugëtoi nëpër qytete të ndryshme të Shqipërisë si: Shkodra, Berati, Peshkopia, Kavaja etj., në edicionin e tij të XIII-të i rikthehet sërish Elbasanit. Në këtë edicion të do të marrin pjesë grupe folklorike nga: Berati, Kavaja, Lushnja, Peshkopia, Shkodra, Vlora, Elbasani dhe Pogradeci.

Pjesë e këtyre grupeve janë figura të shquara të muzikës popullore qytetare si: Bujar Qamili, Mukades Çanga, Elida Koreshi, Valbona Hekurani, Floresha Debinja, Lirim Hoxha, Rozeta Paçuku, Agim Skara etj. Gjithashtu ky festival do të përshëndetet edhe nga grupet folklorike të Gjakovës, Gjilanit dhe Tetovës. Për 3 ditë radhazi publiku elbasanas do të shijojë tingujt e kësaj muzike në Teatrin “Skampa”. Festivali ka karakter konkurrues. Konkurrentët do të vlerësohen nga një juri profesioniste. Gjatë këtij festivali do të ketë edhe aktivitete me qëllim popullarizimin dhe sensibilizimin e të rinjve në lidhje me trashëgimin kulturore materiale dhe jomateriale.

Më datë 25 nëntor në Kishën e Shën Mërisë, në Kalanë e Elbasanit do të zhvillohet ndarja e çmimeve për konkursin “Miku i Monumentit”. Ky konkurs është shpallur në shkollat 9-vjeçare, që prej një muaji dhe fëmijët do të paraqesin vizatimet e tyre me temë, “Monumentet e Kulturës”, të qytetit të tyre. Gjatë kësaj ekspozite grupet folklorike, konkurrente në festival do të prezantojnë pjesët më të mira të repertorit të tyre për nxënësit e shkollave dhe qytetarët.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat