Filharmonia dhe tre kompozitorët shqiptarë mbushin sallën e kuqe

Kultura

Filharmonia dhe tre kompozitorët shqiptarë mbushin sallën e kuqe

Më: 23 nëntor 2014 Në ora: 22:43

Para publikut sot, u luajtën premierë tri veprat e kompozitorëve Kosovarë, Rexho Mulliqit, Zeqirja Ballatës dhe e Kreshnik Aliçkaj.
Koncerti nisi me veprën “Sinfoni Kapriçozo”, e kompozitorit Zeqirja Ballata. Ndonëse Ballata, e kishte shkruar këtë vepër në vitin 1967, ai nuk e kishte shfaqur atë asnjëherë para publikut.
Ajo që surprizoj publikun, ishte vepra e cila u luajt menjëherë pas veprës së Ballatës.
“Simfonia e 3-të”, e kompozitorit Kreshnik Aliqkaj, solli para publikut një ndërthurje të muzikës bashkëkohore me atë tradicionale, duke futur këtu pjesë me lahutë.
Kësi lloj përzierje, thuhet se nuk është bërë më parë.
Aliqkaj, me veprën e tij “Simfonia e 3-të”, kishte fituar çmimin “Niketë Dardani” në vitin e kaluar.
E për publikun, u luajt edhe vepra madhore simfonia numër 2 “Kosovare”, e Rexho Mulliqit. Vepra e Mulliqit, në fakt ishte edhe më e gjata e kësaj mbrëmje, pasi ishte e ndarë në tri kohë dhe ka zgjatur 32 minuta, transmeton KosovaPress.
Këtë koncert e ka nderuar edhe Eno Koço, i cili ka qenë edhe dirigjent i këtij koncerti. Koço është djali i Tefta Tashkos, përderisa për të marrë pjesë në këtë koncert ka udhëtuar prej Anglisë, vend ku Eno Koço jeton.
Koço, ka thënë gjatë ditës së djeshme se për të është një privilegj i madh që ta dirigjoj një koncert të tillë, ku sipas tij, tri veprat kryesore të kësaj mbrëmje janë të 3 kompozitorëve më të mëdhenj shqiptarë.
Koncerti i sotëm është organizuar në kuadër të Ditëve të Muzikës Kosovare, e cila është organizuar nga Shoqata e Kompozitorëve në bashkëpunim me Filharmoninë e Kosovës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat