Gjigandët e Sardenjës – thesaret e rizbuluara të Mesdheut

Kultura

Gjigandët e Sardenjës – thesaret e rizbuluara të Mesdheut

Më: 23 nëntor 2014 Në ora: 14:51

“Gjigantët e Mont’e Prama”-s, figura madhështore prej rëre të ngurtësuar që i kanë mbijetuar kohës, të ardhura ndoshta nga shekulli i 9-të apo i 8-të para erës sonë, u përkasin prej pak kohësh fondeve më të arta të muzeve arkeologjike të Kaljarit dhe Kabras në ishullin mesdhetar italian të Sardenjës. Janë paraqitje arkaike të shigjetarëve, luftëtarëve etj.

Në fakt, që në vitet ’70 të shekullit të shkuar, shkencëtarët në rajonin perëndimor të Sardenjës, jo larg Kabrasit, ia kishin nisur të gërmonin e të nxirrnin në dritë pjesë të një nekropoli antik nga epoka e vonë e kulturës së “nuragëve” në “këmbë” të kodrës “Mont’e Prama”.

Direkt mbi vendgërmimet ku po punonin, ata hasën në mijëra fragmente të figurave prej rërë të ngurtë me një përmasë trupore – deri në atë kohë të paparë për objektet e gjetura në atë zonë perëndimore të Mesdheut – prej 2,10 metrash.

Disa arkeologë besojnë madje se këtu bëhet fjalë për plastikat e mëdha më të vjetra në mbarë Europën. Elementet stilistike, siç janë ato të paraqitjes së rripave për shembull, dëshmojnë për ndikime nga zona e Qipros, por edhe nga zona e Gadishullit Iberik.

Për dekada të tëra, fragmentet në fjalë mbetën të fshehura nëpër bodrume, derisa në vitin 2007, më në fund, ato nisën të restauroheshin dhe të nxjerrin në pah një numër prej gjithsej 38 statujash. Qysh prej këtij viti, ato po trajtohen me dinjitet shkencor për t’u admiruar dhe do të jenë të gatshme për t’iu vënë në dispozicion publikut kureshtar në muzetë e Kaljarit e të Kabras në ishullin italian të Sardenjës.

A shërbenin gjigantët për festa ushtarake e rite fetare?

Dhe ato së shpejti do të pësojnë rritje. Kështu, gjatë kësaj vere, për herë të parë prej 35 vjetësh, zona e gërmimeve u zgjerua në “Mont’e Prama”. Dhe me fillimin e tetorit nisi të vihej re se ekipi i arkeologëve i Universitetit të Sassarit dhe Kaljarit, kishte nxjerrë në dritë madje edhe dy statuja të reja.

Njëra prej tyre, një luftëtar “Cestus”, paraqitet i mirëmbajtur me kokë, trup, krahë dhe këmbë. Deri më tani ishin gjetur vetëm pjesë trupore që duheshin ngjitur më pas me njëra-tjetrën.

Arkeologët shpresojnë tashmë që të gjejnë fonde të tjera shtesë financiare, për të vijuar me planet e tyre për gërmime të tjera. Pas disa testeve, territori në fjalë ku po kryhen gërmimet në këmbët e “Mont’e Prama”-s, i cili në pjesën më të madhe është akoma i pagërmuar, përfshin një sipërfaqe prej pesë hektarësh.

Sidoqoftë, problem është veprimtaria shkatërrimtare e grabitqare që vihet re në atë territor nga njerëz të pandërgjegjshëm e spekulantë, megjithëse në nekropol, deri më tani, nuk janë shfaqur fatmirësisht të tilla fenomene.

Ndërsa gjenetistët duan të sigurojnë prova të gjurmëve antike të ADN-së në vendgërmimet, arkeologët po përpiqen të gjejnë se si figurat mund të kenë qëndruar dikur, dhe përse ato janë shkatërruar.

Sipas disa teorive fillestare, në rastin e “Mont’e Prama”, mund të ketë qenë një nekropol me një lloj Heroni – një vend kulti i shtresës së lartë të shoqërisë “Nurage”, që kishte arritur të ngrinte një rrjet të mirë rrugësh, në anë të të cilave ata paraqisnin “gjigantët” si objekte festive ushtarake ceremoniale dhe ritet e tyre religjioze.

Një hipotezë tjetër flet për një paraqitje rrethore të tyre. Ndër arkeologët që kanë marrë pjesë në këtë mision, thuhet se tashmë është e sigurt më shumë se kurrë më parë, se statujat janë shkatërruar qëllimisht dhe se janë hedhur më pas në vendgërmime. Me shumë gjasa, gjatë pushtimit të brigjeve të Sardenjës nga punikët në shekullin e 6 para erës sonë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat