Prezantohet ekspozita me eksponate të familjes Jashari

Kultura

Prezantohet ekspozita me eksponate të familjes Jashari

Më: 21 nëntor 2014 Në ora: 13:34

Në konferencën e mbajtur sot, me 21 nëntor, në Muzeun e Kosovës, u fol mbi ekspozitën që do të hapët zyrtarisht me 28 nëntor, në orën 14:00.

Në këtë konferencë qe i pranishëm edhe drejtori i Muzeut të Kosovës, Arsim Mehmeti, i cili tha: “Qëllimi ekspozitës historike, e ashtuquajtur ‘QËNDRESA HEROIKE E JASHARËVE PËR LIRI’ si rast unik në historinë botërore, është që pikërisht me 28 nëntor në festat tona kombëtare që koincidojnë me datëlindjen e komandantit Jashari dhe daljen e UÇK-së në skenë. Muzeu i Kosovës në aspektin e historisë, me artefakte të familjes Jashari, ka përgatit ekspozitën historike me autorin Sadik Krasniqi. I dedikohet qëndresës heroike të Jasharajve në Prekaz për një dekadë me radhë ndaj serbëve, deri në rënien heroike. Mesazhi që jep kjo ekspozitë përveç që ruan këto artefakte është edhe për t’i vetëdijesuar brezat tonë për heroizmin e Jasharajve, sakrificën e tyre që mobilizoi gjithë shqiptarët rreth botës, e cila solli lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”.

Autor i kësaj ekspozite dhe kontribuues në mbledhjen e eksponateve është Sadik Krasniqi.

“E kemi zgjedhur 28 nëntorin për arsye se është një festë me të cilën jemi rritë bashkë dhe kemi emocione, për këtë festë të rëndësishme historike kombëtare, e cila tashmë ka dalë nga agjenda e shtetit të Kosovës, prandaj që kjo festë të mos mbetët e anashkaluar, ne vendosëm që me 28 ta mishërojmë dhe ti japim një aktivitet të rëndësishëm. Heroizmi i jasharajve dhe sfidimi i tyre është rast unik botëror. Familja Jashari daton që 300 vjet në Prekazin e poshtëm dhe ka kontribuar në kontinuitet. Shabani, qe frymëzues kryesor i familjes se tyre por edhe udhërrëfyes i tërë Drenicës”.

Ekspozita përmban mbi 100 eksponate të familjes Jashari, me motive nga puna, bujqësia, inxhinieria, etnokultura, tradita, gjenocidi dhe qëndresa heroike e tyre, dhe në fund me kthimin e pjesës tjetër të Jasharajve nga Gjermania. Krahas këtyre do të ketë edhe figura të 59 dëshmorëve nga familja e gjerë. Dhe në fund një film dokumentar i cili do të zgjasë rreth 20 minuta dhe përmban edhe intervista.

Ekspozita do të jetë e hapur deri në fund të këtij vitit. Pastaj do të bartët në Muzeun e Tiranës, ku atje do të mbahet me 5, 6, 7 mars.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat