“Gjashtë personazhe...”, ka thyer rekord të shikueshmërisë

Kultura

“Gjashtë personazhe...”, ka thyer rekord të shikueshmërisë

Më: 21 nëntor 2014 Në ora: 10:47

“Gjashtë personazhe kërkojnë autorin”, me regji të Orhan Kerkezit, me katër prezantime të deritanishme ka thyer rekordin e shikueshmërisë që nga viti 1999 e këndej. Kështu është thënë në konferencën për shtyp të Teatrit Kombëtar të Kosovës, që në thelb kishte pikërisht suksesin kësaj shfaqje. Dhe për të arriturat e këtij projekti teatral, gazetarët janë njoftuar nga drejtori i përgjithshëm i TKK-së, Valdet Avdiu, regjisori i shfaqjes, Orhan Kerkezi dhe aktori kryesor i shfaqjes, Sunaj Raça.

Valdet Avdiu ka thënë se krejt ky sukses nuk po tregohet për mburrje dhe po sipas tij, nuk nguten që të deklarohen mbi suksesin shfaqjes, gjithnjë duke iu referuar shfaqjeve paraparke të këtij institucioni kulturor, që sipas tij, shfaqjet e mëhershme në gjithë prezantimin një vjeçar nuk kanë arritur të kenë mbi 1 mijë shikues. “Do të na shihni duke thyer edhe rekorde të tjera, me shfaqje të tjera”, ka thënë Valdet Avdiu

Ndërkohë, për suksesin e treguar me këtë shfaqje ai është shprehur se ka qenë i bindur qysh në fillim të punës, duke pas parasysh tekstin e mrekullueshëm të Pirandellos dhe mjeshtërinë e regjisurës kosovare, Orhan Kerkezi.
“Shikueshmëria e kësaj shfaqjes, apo vetë shikuesit e kësaj shfaqje kanë besuar në punën e këtij ekipi, në veçanti falënderimi më i madh i shkon mjeshtrit të regjisurës kosovare, Orhan Kerkezi, i cili edhe njëherë e dëshmoi se është një njeri që do kthesa, që do fillime të reja”, ka thënë Avdiu.

Ai ka specifikuar numrin e shikuesve të kësaj shfaqje për katër prezantimet që i ka pasur, një premierë dhe tri repriza, dhe, sipas tij, janë 1202 bileta, të cilat kanë rezultuar në mbi 2 mijë euro të hyra.
“Dua të them se teatrit po i kthehet vlera, teatrit po i kthehet shikueshmëria”, ka thënë Avdiu, duke premtuar se deri në fund të vitit do të realizohen edhe dy deri në tri premiera, të cilat edhe me to pretendohet thyerje e rekordeve të shikueshmërisë.

Mirëpo, Orhan Kerkezi suksesin e kësaj shfaqje nuk deshi ta mbajë për vete. Ai bërë një adresim 100 % në aktorët, pasi që, sipas tij, suksesi u takon atyre. “Vullneti i tyre ka qenë shumë i madh dhe shumë jam falënderues për krejt kastën e aktorëve që janë në këtë projekt. Ata më kanë bërë që të mburrem sot”, ka thënë Kerkekzi, duke mos harruar të përmend edhe peripecitë që e kanë përcjellë këtë shfaqje deri në realizim, sipas të cilit, ka qenë një betejë lufte. Kerkezi ka spikatë edhe bashkëpunimin e mirë që e ka pas me drejtorin e TKK-së, Valdet Avdiun, duke iu referuar edhe asaj se pikërisht shfaqja “Gjashtë personazhe...”, konsiderohet të jetë shfaqja e parë e realizuar në TKK, pas ardhjes së Avdiut në postin e drejtorit të përgjithshëm të TKK-së.
“Drejtori e ka dhënë maksimumin e tij, dhe besoj se ka me dhënë edhe për suksesin e shfaqjeve të tjera. Ftoj që kjo shikueshmëri të vazhdojë edhe më tutje”, ka thënë Kerkezi.

Dhe, përderisa regjisori suksesin ia adresoi aktorëve, aktori kryesor, Sunaj Raça, suksesin e kësaj shfaqje ia adresoi të gjithë kolegëve të tij që kanë qenë pjesë e kësaj shfaqje, sikurse edhe regjisorit.
“Për mua ishte kënaqësi të jem pjesë e këtij ekipi. Pa dyshim që një vlerë të madhe ka teksti, se e fuqizon edhe më shumë këtë shfaqje, por edhe koncepti regjisorial i shfaqjes”, ka thënë Raça, duke falënderuar menaxhmentin e TKK-së që i ka përballuar sfidat deri në realizimin e shfaqjes, duke aluduar në problemet që janë paraqitur përgjatë realizimit, si mospajtim mbi buxhetin rreth shfaqjes në mes të TKK-së dhe MKRS-së.
Ndërkohë, duke kujtuar se në çfarë kanë kaluar deri në realizimin e shfaqjes, Raça është shprehur të jetë skeptik sa i përket realizimit të shfaqjeve me po këtë sukses që e ka shënuar “Gjashtë personazhe...”.

“Sepse aktorët durojnë, durojnë, por e kanë edhe kufirin durimit, kështu që apeloj te MKRS të kenë parasysh që të përmirësojnë kushtet, të krijonin kushte më të mira në teatër. Pasi që përgjatë prezantimit të shfaqjes, kemi pas probleme teknike, që shpresoj se në të ardhmen ti përmirësojnë”, ka thënë Raça, për të cilën më pas është plotësuar edhe nga Kerkezi, se përgjatë prezantimit të shfaqjes kanë pas mungesë të dritave të mjaftueshme, si pasojë e mosfunksionimit të disa dritave në TKK.
Mirëpo, Raca, pavarësisht krejt këtyre problemeve ai mendon se më në fund, shikuesit kanë rast të shohin një shfaqje serioze, jo një komedi, apo shfaqje e shundit dhe kiqit.

Në fund, gazetarët janë interesuar që nëse janë kryer obligimet ndaj aktorëve, pasi që pikërisht buxheti ishte problem që është vonuar kjo shfaqje deri në premierë, pjesëmarrësit e konferencës kanë konfirmuar se të gjitha kontratat janë respektuar dhe janë kryer obligimet konform kontratave.
Shfaqja “Gjashtë persona...”, tashmë ka realizuar 4 prezantime dhe sipas kontratës i ka edhe 16 prezantime të tjera, duke mos përjashtuar edhe pjesëmarrjen në festivale.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat