“Flaka e Janarit” edhe në fshatra

Kultura

“Flaka e Janarit” edhe në fshatra

Më: 21 nëntor 2014 Në ora: 10:42

Komiteti për Kulturë, Rini e Sport i komunës së Gjilanit e ka miratuar projekt-propozimin e manifestimit kulturor “Flaka e Janarit 2015”, duke rekomanduar një shpërndarje të programit, si në kohë, ashtu edhe në hapësirë. Ky komitet i kryesuar nga Shpresa Kurteshi ka rekomanduar edhe reduktime buxhetore, nëse kjo është e mundur të bëhet në shumën e planifikuar prej 40 mijë euro.
Lidhur me këtë temë, drejtori për Kulturë, Bujar Haziri ka thënë se Komiteti për Kulturë, Rini e Sport duhet t`i rekomandojë Kuvendit Komunal themelimin e një kodi të veçantë buxhetor për këtë manifestim, sikurse që tashmë është e domosdoshme që “Flaka e Janarit” të përfshihet në kalendarin e programit vjetor të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.
Haziri ka thënë se programi do të ketë disa ndryshime të vogla, të cilat bazohen te përvojat e deritashme, por do të ruhen katër shtyllat kryesore, duke shtuar se “Flaka e Janarit” është manifestim me të cilin Gjilani identifikohet prej 24 vitesh e këndej.
Ai ka thënë se ideja është që një pjesë e programit të bartet në disa prej fshatrave më të mëdha, atje ku edhe e ka zanafillën e tij manifestimi, duke pretenduar që kjo shtrirje të përfshijë edhe Luginën e Preshevës.
“Ideja është që pjesa e Dramës të reduktohet dhe të mos ketë karakter garues, sikurse edhe pjesa muzikore, të cilat mund të organizohen si festivale të veçanta gjatë muajve të verës” ka thënë Haziri.
KKRS i ka përkrahur propozimet e Nezahate Omerit, që në programin e “Flakës së Janarit” të përfshihet edhe një ekspozitë me fotografi të demonstratave të vitit 1989/1990 si dhe atë të Malazog Hoxhës, që pjesë e programit muzikor të jetë edhe “Vallja e Gilanit”, që është vlerë origjinale dhe unike e këtij qyteti.
Manifestimi kulturor “Flaka e Janarit” mbahet në nderim të dëshmorëve dhe martirëve të kombit.KultPlus

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat