Ministria e Kulturës e Shqipërisë pranon dështimin me Teatrin Kombëtar

Kultura

Ministria e Kulturës e Shqipërisë pranon dështimin me Teatrin Kombëtar

Më: 21 nëntor 2014 Në ora: 10:40

Ministria e Kulturës pranon se Teatri Kombëtar është një godinë që ka shumë probleme në infrastrukturë, por ndërhyrje në godinë nuk mund të ketë para gjysmës së dytë të vitit 2015. Vetëm një ditë më parë ishte vetë drejtori i Teatrit Kombëtar Hervin Çuli, i cili ndërsa prezantoi detaje nga kalendari artistik të institucionit që ai drejton, theksoi se godina e teatrit është në emergjencë. Sipas tij, për problemet që paraqet godina e Teatrit Kombëtar që daton si ndërtim nga viti 1939, herë pas herë i ka dërguar letra dhe Ministrisë së Kulturës. Por drejtori i Teatrit Kombëtar, ndërsa shpresonte në një ndërhyrje të plotë në godinë, sipas tij më mirë do të ishte ndërtimi i një teatri të ri kombëtar. Por në një kohë kur ndërtimi i një teatrit të ri kombëtar do ti kushtonte buxhetit të shtetit me miliona euro, duket se Ministria e Kulturës pranon më mirë të bëjë një investim në rregullimin e infrastrukturës së tij. Pranë Ministrisë së Kulturës bëjnë të ditur se ata e njohin mirë gjendjen problematike që parqet institucioni teatror më i madh në vend, por asnjë ndërhyrje në infrastrukturë nuk mund të jetë para gjysmës së dytë të 2015, shkruan Kultplus.
Por edhe pse Ministria e Kulturës premton se vetëm në 6 mujorin e dytë të 2015 do të mund të ketë investime në infrastrukturë, drejtori Hervin Çuli pohoi më herët se rikonstruksioni vetëm mund të zgjaste disa vite më shumë godinën e TK, duke theksuar se Shqipëria kërkon një teatër të ri kombëtar. Ndërkaq edhe pse godina e Teatrit Kombëtar është në emergjencë, shfaqjet teatrore vijojnë normalisht në teatër madje dhe me publik që nga fillimi i sezonit deri tani ka arritur në 10 mijë vetë. Por ndërsa TK ka prezantuar një kalendar me shfaqje që shkojnë deri në qershor të 2015, aktorët duhet të rrinë në pritje për rregullimin e godinës ku ata punojnë, pasi ndërtimi i një teatri të ri ende nuk është pohuar nga Ministria e Kulturës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat