Heroi, mungon dashuria

Kultura

Heroi, mungon dashuria

Më: 21 tetor 2014 Në ora: 12:02

Një vështrim kritik mbi filmin “Heroi”, me regji të Luan Kryeziut, marrë shkas nga prezantimi i tij në Festivalin e Filmit Shqip në Nju Jork
Gjatë luftës së Kosovës, një fshat është rrethuar dhe rrezikon të masakrohet nga serbët. Një djalë i ri e shpëton fshatin duke inskenuar një rezistencë me disa bashkëfshatarë që ndihmojnë dhe bëjnë të mundur të japin përshtypjen se kemi të bëjmë me një numër ushtarësh.

Ky djalë bëhet kështu heroi që shpëton fshatin dhe pritet si i tillë në çlirim. Por ai trupëzon vlera humane e morale që shkojnë ndesh me mentalitetin lokal të nepotizmit e tarafeve dhe pak nga pak del nga skena e harrohet deri sa bie viktimë e humbjes së vlerave që drejtojnë jetën dhe vendin e që e bëjnë të humbë punën, familjen e vendin … Vlen të vlerësohet guximi i skenarit për të trajtuar një temë të ndjeshme si ajo e mentalitetit mafioz e të marifeteve që rregullojnë jetën në mjaft vende të Ballkanit e ku dinjiteti njerëzor shpesh nëpërkëmbet e merr vendin dhe rolin e Donkishotit. Vlerat morale të heroit në ndeshje me modelin dominant e çojnë këtë të fundit në një dëshpërim paralizues për ta degraduar më pas atë në stadin më të ulët, atë të humbjes së gjithçkaje, të punës, familjes e madje edhe të Atdheut. Në këtë pikë të fundit, filmi cek, megjithëse vetëm tangjent, fatin e gjithë refugjatëve, që në një mënyrë apo në një tjetër kanë dështuar të kenë sukses në vendin e tyre, më tepër për paaftësi përshtatjeje me një tendencë drejt përçudnimit të një numri vlerash, sesa shkurt për paaftësi.

Kasti cilësor, Arben Bajraktaraj në rolin e Heroit, Çun Lajçi, në rolin e një “ndihmësheroi” dhe punues varresh, Selman Lokaj, me një prani dinjitoze së bashku me drejtorin e fotografisë Roger Simonsz janë kreditet e pazëvendësueshme të këtij filmi që ngërthen një histori të veçantë.

Arben Bajraktaraj është me plot gojën aktori më i mirënjohur shqiptar i gjeneratës së re, të ardhur nga trojet shqiptare, i cili ka spikatur në lojën e tij në filma si “Taken”, në rolin e Markos, Antonin Dolohovit të “Harry Potter and the Deathly Hallows”, Mr. Starzinskit të Sarah’s Key, Hardquanon-it, adaptimi i romanit të autorit Viktor Hygo, “Njeriu që qesh” etj. Ai, edhe një herë më shumë, dëshmon për artin e tij, të cilin e ngre shkallë më lart, në një karrierë tanimë të shkëlqyer, duke dhënë një lojë të arrirë në detajet më të holla. Në lojën e heroit çdo gjest, çdo dialog është i krahasueshëm e në nivelet më të larta të realizuara ndonjëherë në kinema, jashtë e pavarësisht nga një provë e parë e një regjisori të ri.

Loja e Arben Bajraktarajt te “Heroi”, të kujton Adrien Brody, te “Pianisti”, dramën historike me aq shumë çmime me regji të Roman Polanskit dhe skenar të Ronald Harwood.

Është fat që një drejtor fotografie si Roger Simons që ka punuar me disa nga emrat e mëdhenj të kinemasë, si Brian de Palma (“Gruaja Fatale”) apo David Frankel (“Djalli vishet me Prada”) apo në seri si “Spiral”, ka xhiruar “Heroin”, një film me buxhet të vogël.

Çun Lajçi, me një art të përkorë dhe me një stil të pakrahasuar në kinemanë shqiptare, ka kontribuuar shumë në krijimin e personazhit të një fshatari të thjeshtë dhe siç e tha në debatin pas premierës së filmit, ka peshuar, punuar dhe ndryshuar dialogët duke i bërë më realë.

Filmi ia del të universalizojë mesazhin mbi fatin jo vetëm të heroit në një vend të vogël si Kosova, por më larg, fatin e njeriut të drejtë e të ndershëm në përgjithësi. E kjo jo vetëm në situata si ato të pasluftës në një vend të vogël Ballkanik, por në përgjithësi fatin e njeriut që përpiqet të ruajë vlerat njerëzore e humane që shoqëritë moderne po i nxjerrin jashtë kohe.

Çun Lajçi, në llojin e vet, spikat dhe pavarësisht nga koha më e vogël filmike e një personazhi dytësor arrin në dimensionin e një roli të dytë të shkëlqyer. Është i arrirë, i goditur, i vërtetë dhe pragmatik, një fshatar autentik.

Heroi viktimë e emrit dhe e figurës së tij vdes për bukë së bashku me familjen e tij, e detyrohet të shesë gjakun e vet dhe sheh një bashkëfshatar, që nuk i jep një punë në restorantin e tij, sepse nuk e sheh dot heroin të “katandiset” në nivelin e një shërbyesi. Këtij dimensioni, që është një pasqyrë e një mentaliteti dominant të madhështisë legjendare shqiptare, mund t’i ishte mëshuar më shumë në film. Trajtimi i manisë së madhështisë, mospërputhja e vlerave të reja me ato tradicionale, një nga challenge-t e shoqërisë së sotme shqiptare, që do t’i jepte filmit një dimension avangardë, që gjithsesi e ka arritur disi, në një kinema nacionale të Shqipërisë të ndikuar thellësisht e për dekada të tëra nga realizmi socialist e heroi pozitiv.

Por linja kryesore e filmit dëmtohet nga zgjatjet e peripecive të heroit që e segmentojnë dhe e zbehin mesazhin kryesor të filmit dhe i shtohen njëra-tjetrës pa e çuar përpara linjën dramaturgjike.

Stërzgjatje e peripecive të heroit, edhe pse në skena të ndryshme, i mëshojnë të njëjtës ide pa e çuar përpara fillin dramaturgjik dhe e shpërqendrojnë, duke e afruar filmin me elemente të filmit dokumentar.

Ndërkohë, filmi ka gjetje simpatike si dhurata e pulës, një dhuratë aq origjinale e cilësore në një aspekt, po aq komike në një tjetër, dhe humbja e saj, një paralele e vlerës së heroit që zbehet e humbet, siç humbet një pulë deri në degradimin në një varfëri totale e në një stad që jepet metaforikisht në ëndrrën për të vjedhur një pulë!

Skenari, ndërkohë, vuan nga gabimet klasike të skenarëve të para, ku autori e ka të vështirë të eliminojë një variant për të lënë atë më të arririn, nuk heq dot asgjë dhe në fund të filmit parakalojnë nga realiteti tek ëndrra disa zgjidhje të mundshme: një vrap i heroit për të vjedhur një pulë i dhënë paralelisht me vrapin e tij në betejë, vetëvrasja e heroit dhe varrimi me një ceremoni klishe të përshëndetur nga pushtetarët, një fund i mundshëm dhe fundi i vërtetë, ai i largimit të heroit si refugjat. Metafora e këpucës që arnon heroi përçon mesazhin se në statujën e tij mentale diçka është e dalë kohe dhe do të duhej të ndryshohej. Konflikti që krijohet me të shoqen, po të zhvillohej më tej se një ose dy akte revoltë, po të kishte mendim do të ishte një rrugë e mirë për të vënë para pasqyrës arkaiken dhe flluskën jashtë realitetit ku jeton heroi. Por revolta e të shoqes nuk merr dot një rol më të madh që do të ndihmonte në pasqyrimin më të mirë të dimensionit ku po fundoset heroi, por stepet në vendin tradicional të gruas shqiptare të bindur, e që po të mund të evoluonte më shumë do të ndihmonte në zhvillimin e linjës dramaturgjike.

Filmi vuan ende nga tabuja e skenave të dashurisë sikurse filmi shqiptar në përgjithësi, ku shpesh i vetmi komunikim mes dy sekseve ngelet vetëm një përkëdhelje flokësh. Skenat e dashurisë mes personazhit kryesor dhe të shoqes, janë të domosdoshme në një histori si ajo e heroit, sepse do t’i jepnin besueshmëri lidhjes se çiftit që u reziston kushteve ekstreme, pasi është një dashuri e madhe që e mban këtë çift ende të bashkuar edhe në kushtet më të mjera. Kjo dashuri është e imagjinueshme lehtë dhe s’ka nevojë për skena që ta tregojë dhe se jo çdo film duhet të ketë skena dashurie.

Por ndërsa një audiencë shqiptare mund ta konsiderojë zgjatjen e ekzistencës së çiftit si rezultat direkt të vlerave tradicionale të familjes shqiptare ku gruaja nuk e lë çerdhen në asnjë rrethanë, një shikues perëndimor rrezikon të mos e kuptojë.

Mungesa e shprehjes e këtij dimensioni human të domosdoshëm në këtë lloj gjinie madje kufizon edhe lojën e heroit, i cili në skenat me të shoqen disa herë duket si i penguar.

Adriana Morina, në rolin e gruas së heroit, që mori Çmimin e Aktores më të Mirë, meriton të shënohet për një lojë të ndier, megjithëse mungesa e një rezistence më të madhe të rolit të saj ndaj mënyrës se si nënshtrohet heroi, e ka bërë atë të zbehtë si karakter.

Kjo, së bashku me mosevoluimin dhe emancipimin e figurës së gruas me gjithë praninë e të gjitha kushteve, është një nga dobësitë e filmit. Në fillim prej të shoqit dhe më pas të babait, gruaja e re nuk ka veçse një rol pasueseje.

Është vështirë të kuptohet se pse Çmimin e Aktorit më të Mirë të festivalit e ka fituar gruaja e heroit dhe jo heroi, në një kohë që filmi fitoi Çmimin e Skenarit më të Mirë, Filmit më të Mirë të festivalit, dhe kjo nuk mund të arrihej kurrsesi pa lojën e personazhit kryesor. Vetëm në rastin e një loje të dobët të heroit kryesor, ky çmim mund t’i kalonte rolit të dytë, por në këtë rast nuk do të kishim kurrsesi një çmim për filmin më të mirë. Pra, Çmimi i Aktorit më të Mirë veçse i është tjetërsuar Arben Bajraktarajt! Dhe fakti se Adriana Morina e luan më së miri rolin e saj, nuk e ndryshon këtë analizë. Selman Lokaj, me një prani dinjitoze, Saleatin Bilali, Xhemi Agaj, Enver Petrovci, për të përmendur vetëm disa, e arrijnë qëllimin e tyre, megjithëse një numër skenash në film janë të dobëta dhe të shpëtuara për një fije nga kasti, në kontrast me skena të tjera të shkëlqyera.

Ndërkohë, një numër kufizimesh, mendoj se vlen të nënvizohen. Montazhi duhet të shkurtonte peripecitë e heroit, të cilat nuk e çojnë përpara linjën dramaturgjike dhe e segmentojnë rrëfimin. Skenari çalon që në fillim në skenën kryesore që krijon heroin. Kjo skenë e vështirë për t’u realizuar duket si një “deus ex machina”, pasi nuk është aspak e besueshme se si tre vetë arritën të sprapsin një numër të madh trupash. Nuk tregohet se si u detyruam të tërhiqen gjithë ato trupa; intriga e kësaj skene është e dobët; mungon në gjetje që e cenon që në fillim cilësinë e filmit dhe e ul pritshmërinë e spektatorit.

Klishetë e diskutimeve zyrtare, duhet të jepeshin më në mënyrë metaforike dhe skenat e takimit me pushtetin janë të lehta, të dobëta nga ana e skenarit dhe madje të luajtura keq. Ka një dizekuilibër mes lojës së shkëlqyer të Arben Bajraktarit, Cun Lajçit, të ndjekur nga Selman Lokaj e Adriana Morinës dhe lojës së disa personazheve të tjerë në rolet episodike.

Mungesa e skenave të dashurisë është pas defektit të skenave që “krijojnë” heroin, mungesa e dytë e madhe e filmit, në mos më e madhja.

Mungesa e skenave të natyrës së bukur është një tjetër mundësi e pa shfrytëzuar në film. Kosova ku është xhiruar filmi ka një natyrë të mrekullueshme, skenat e kësaj natyre mund të ishin futur lehtësisht në film, pasi çifti jetonte në natyrë dhe do t’i kishte bërë të mundur shikuesit të merrte frymë në mes të skenave kreshendo të mjerimit ekstrem që parakalojnë nga fillimi në fund, duke krijuar një atmosferë dëshpëruese.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat