Shqiptarët dhe sllavët: Një histori përmes etnonimeve

Kultura

Shqiptarët dhe sllavët: Një histori përmes etnonimeve

Më: 21 tetor 2014 Në ora: 11:04

Emri etnik i shqiptarëve: si "arbërit" u bënë "shqiptarë": kur del për herë të parë ky emërtim dhe si e fitoi “shqiptar” statusin e emrit të ri etnik në garë me emërtimin e vjetër “arbër”. Po emri etnik i fqinjve të veriut "shqa", emërtim për sllavët, ç'lidhje ka me emrin "shqiptar". Të gjitha këto në librin më të ri të prof. Bardhyl Demiraj "Shqiptar dhe shqa", i saposhpërndarë në libraritë e vendit. Një monografi etno-linguistike e shkruar me objektivitet dhe bazuar në të dhëna dhe dëshmi interesante për etnogjenezën e shqiptarëve, botuar këto ditë nën titullin: “Shqiptar dhe shqa-Histori popujsh përmes dy emrave etnikë”, botimet “Naimi”, Tiranë 2014.

Libri i ri i prof. Bardhyl Demirajt, shef i katedrës albanologjike në Universitetin e Mynihut, i paraqitet lexuesit si një monografi e plotë shkencore, duke e parë këtë çështje në një mënyrë tjetër, jo vetëm origjinale, por edhe paradigmatike. Libri i përgjigjet interesit të lexuesit për të ditur burimin e emrit etnik të shqiptarëve; si u kthye emri i ri etnik i tyre në gjedhe ku shqiptarët mund ta ndienin veten se ishin të njëjtët, pavarësisht prej dallimeve krahinore, fetare dhe etnozakonore që koha kishte lënë në identitetin e tyre. Ajo që ndodhi me tiparet etnoveçuese të shqiptarëve prej fundit të Mesjetës e këndej duket qartë se është një proces i ndërlikuar dhe jo aq i njohur në studimet shqiptare. Studiuesi provon se “arbër” e “shqiptar” në periudha të ndryshme nuk kanë qenë kuptimisht në raporte të njëjta me përftimin e tyre sot, si etnonim historik ndaj etnonimit modern.

Sipas autorit të librit, prof. dr. Bardhyl Demiraj, dëshmitë më të hershme për emërtimin “shqiptar” datohen në shek. XIV-XV, por “shqiptar” në këtë periudhë nuk shënjon patjetër atë bashkësi etnike, sikurse e konceptojmë ne sot etnosin shqiptar, por thjesht dhe vetëm pjesëtarin e një bashkësie etnike që përdorte gjuhën shqipe si mjet komunikimi, pra, më fort me kuptimin “shqipfolësi”. Dëshmia më e hershme na del kështu si llagap familjar në një mjedis multietnik. Është fjala konkretisht për qytetin e Drishtit mesjetar, me një status urban të vetin, ku gjëllinin tri bashkësi të ndryshme etnike-gjuhësore: bashkësia shqipfolëse (katolike), ajo sllavishtfolëse (që i përkiste Kishës Ortodokse Sllave) dhe ajo romane (arumune apo dalmatine). Gjatë kësaj periudhe dhe në vazhdim erdhi e hodhi shtat emërtimi shqiptar, fillimisht si “shqipfolësi” e më pas – në shek. XVII-XVIII – si “shqiptari”, duke zëvendësuar një etnikon të mëparshëm. Bëjmë fjalë këtu për atë kompleks etnonimik mbi bazën arbën-/arbën- (toskërisht: arbër, arbëresh, arbëror ~ gegënisht arbnesh, arbnesh) që na del rregullisht edhe në shkrimet shqipe të shek. XVI - XVII.

Prof. Demiraj në librin “Shqiptar dhe shqa” arrin në përfundimin se “përhapja dhe përgjithësimi i emrit etnik shqiptar është sendërtimi gjuhësor i reagimit vetëmbrojtës që zhvilloi vetë etnosi shqiptar gjatë shekujve XVII-XVIII, në të cilin besimi fetar (disallojësh, por aspak sipërfaqësor) dashur pa dashur i la vend gjuhës amtare, e cila – krahas hapësirës jetike kompakte dhe traditës jetësore shqiptare – u shndërrua në identifikatorin themelor brenda matriksit të kulturës etnike shqiptare. Kemi të bëjmë, pra, me një proces etnogjenetik që paraqitet jo vetëm si ndër më të hershmit në Europë, por mbetet edhe sot e kësaj dite i pashoq në bashkësinë e popujve ballkanikë”.

Një aspekt tjetër që trajon libri është emërtimi “shqa” që përdorin shqiptarët për sllavët. Sipas autorit, fjala “shqa” nuk është gjë tjetër veçse pasqyrim i fjalës latine mesjetare “sclavus” (shumës sclavi). Përmes analizash të mirëfillta etno-linguistike autori arrin të rindërtojë historinë e marrëdhënieve ndëretnike midis shqiptarëve dhe sllavëve, sidomos sa i përket formëzimit të matriksit të kulturës etnike të popullit shqiptar. Emërtimi popullor “shqa”, që dikur identifikonte “tjetrin”, “fqinjin” që nuk fliste shqip, mori një konotacion të theksuar negativ prej gjysmës së dytë të shek. XIX dhe në vazhdimësi, në varësi të plotë me acarimin e marrëdhënieve dhe konflikteve ndëretnike. Edhe sot e kësaj dite ajo pjesë e popullsisë që e njeh dhe e përdor këtë emër etnik, me të ka parasysh “hasmin”. Është shqiptari nga njëra anë dhe nga ana tjetër është shqau, si fqinji i tij me potencial gjithherë armiqësor.

Nëntitulli i librit Nëntitulli i librit (Histori popujsh përmes dy emrave etnikë) bën të qartë se në këtë studim ndërmerret një analizë e historisë së kontakteve ndëretnike përmes dy etnonimeve; bëhet fjalë, pra, për një shqyrtim marrëdhëniesh ndëretnike, parë nga perspektiva gjuhësore, pasi këto kontakte i sendërton qoftë analiza etimologjike, ashtu edhe shtjellimi i historisë së brendshme të emërtimeve shqiptar dhe shqa. bën të qartë se në këtë studim ndërmerret një analizë e historisë së kontakteve ndëretnike përmes dy etnonimeve; bëhet fjalë, pra, për një shqyrtim marrëdhëniesh ndëretnike, parë nga perspektiva gjuhësore, pasi këto kontakte i sendërton qoftë analiza etimologjike, ashtu edhe shtjellimi i historisë së brendshme të emërtimeve shqiptar dhe shqa.

Sipas prof. Anila Omari, “Shqiptar dhe shqa. Histori popujsh përmes dy emrave etnikë” i Bardhyl Demirajt, nga shtëpia botuese “Naimi” është një triptik studimesh të mirëfillta etnolinguistike ku shqyrtohen tema që kanë të bëjnë me “çështjen shqiptare” dhe që vijojnë të ngjallin diskutime në debatin intelektual-albanologjik të sotëm. Lënda ndahet në tri pjesë: I. Emri etnik shqiptar, II. Shqau ndër shqiptarë, III. Dy popuj në kontakt, trevat shqiptare në Mesjetën e hershme. Të tria këto pjesë plotësojnë njëra-tjetrën: ndërsa studimi i parë shpjegon përhapjen e etnonimit shqiptar si reagim vetëmbrojtës i etnosit shqiptar për tu dalluar nga popujt fqinjë, studimi i dytë ndjek prejardhjen dhe historinë e etnonimit shqa qysh nga dyndjet e para sllave në Ballkan dhe gjatë bashkëjetesës e fqinjësisë prej më shumë se 15 shekujsh të shqiptarëve me popujt sllavë të Jugut, dhe studimi i tretë përqendrohet në trevat e bashkëjetesës apo kontakteve

shqiptaro-sllave në Mesjetë, të cilat konfirmohen të jenë zhvilluar në pjesën perëndimore e qendrore të Ballkanit. Studimi ngërthen në vetvete një qasje ndërdisiplinore: historike, filologjike, etnolinguistike, antropologjike, me një metodë studimi të analizës diakronike të dukurive që trajton”.

Prof. Omari nënvizon se “autori shpalos disa përsiatje lidhur me “çështjen shqiptare” në debatin e sotëm albanologjik, ku preken disa probleme të nxehta të etnogjenezës së shqiptarëve, ndërsa përvijohet jo pa qëllim një historik i krijimit të këtij debati që nga shek. XV-XVII me daljen në dritë të temave që lidhen me emrin e Shqipërisë (Dheu i Arbënit, lat. Albania, Epirus), shqiptarëve (arbëreshët/arbërorët, lat. albani, epiroti), me prejardhjen e tyre dhe marrëdhëniet e afërisë ose birërisë me popujt e Ballkanit antik, si epirotët e maqedonasit e lashtë, me shtrirjen e tyre në hapësirën gjuhësore shqipfolëse (e arbënë, e arbëneshe/ arbëreshe) e dalluar si e tillë nga mjedisi rrethues shumëgjuhësh, me historinë e vetë shqiptarëve të dëshmuar nëpërmjet personazheve të mëdhenj të lashtësisë me të cilët shqiptarët identifikojnë vetveten, si Aleksandri i Madh, Pirroja i Epirit e më vonë Gjergj Kastrioti Skënderbeu, të gjitha këto të pasqyruara në shkrimet e albanologëve të parë shqiptarë (Frang Bardhi), në letrat e vetë prijësit të madh të shqiptarëve, Skënderbeut (“…ne quhemi epirotë”), në studimet e mëvonshme të arbëreshëve eruditë (Guzzetta, Chetta, Masci) e deri në mendimin albanologjik të shek. XIX-XX me përfaqësues të shquar si Hahn, Meyer, Pedersen, Jokl, Nopcsa etj. e jo më së fundi albanologu i shquar Eqrem Çabej. Me këtë rast oponenca shtrihet më tej në tezat e historianit Oliver Schmitt për etnogjenezën shqiptare dhe identitetit kombëtar shqiptar, që cenojnë thelbin e kulturës kombëtare shqiptare në përbërësit themelorë të saj: hapësirën kompakte etnike shqiptare, gjuhën shqipe si mjet komunikimi i përbashkët, traditat themelore të asaj bashkësie që komunikon në këtë gjuhë. Autori denoncon tezat diskriminuese ndaj etnosit shqiptar të këtij historiani dhe termat përkatës të farkëtuar prej tij, si “shoqëritë shqipfolëse” apo “Europa Juglindore shqipfolëse”.

Lidhur me dokumentimet më të hershme të etnonimit “shqiptar” punimi sjell disa dëshmi të reja që kanë dalë në dritë nga botimi kohët e fundit prej studiuesve arbëreshë të veprave të mbetura në dorëshkrim që i përkasin shek. XVIII. Ajo që në libër tërheq interesin edhe të lexuesit më të gjerë, jospecialist, është qasja etnolinguistike e problemit të etnonimit shqiptar. Këtij kreu autori i ka kushtuar vëmendje të veçantë dhe ka nxjerrë përfundimet e veta lidhur me arsyet e ndërrimit të emrit etnik të vjetër arbëresh me më të riun shqiptar, një çështje e diskutuar nga studiuesit që janë marrë me të, por asnjëherë e zgjidhur në mënyrë bindëse. Mbi këtë bazë, përfundimi që nxjerr autori është se populli shqiptar, në një reagim vetëmbrojtës për mbijetesë, zgjodhi në mënyrë pragmatike një identifikues tjetër etnik, që ishte gjuha amtare, pra, një emër etnik që kishte si përmbajtje tashmë gjuhën shqipe. Kjo tregon se në etnosin shqiptar ndodhi një proces etnogjenetik i veçantë, që e dallon atë nga proceset etnoformuese të popujve të tjerë ballkanikë. Me gjithë karakterin shkencor, vlerëson prof. Anila Omari, libri i Bardhyl Demiraj paraqet interes jo vetëm për një publik të specializuar në fushën e gjuhësisë historike, por edhe për

lexuesin intelektual kureshtar për ndriçimin e disa aspekteve të panjohura sa duhet të identitetit, gjuhës dhe kulturës sonë kombëtare.

Skeda e librit

Titulli: Shqiptar dhe shqa-Histori popujsh përmes dy emrave etnikë

Autori: Bardhyl Demiraj

Gjinia: studim etnolinguistik

Redaktor: Naim Zoto

Recensues: Anila Omari, Shaban Sinani

Botues: “Naimi” - Shtëpi botuese dhe studio letrare

www.botimenaimi.com

© 2014: “Naimi”

ISBN: 978-9928-109-75-0

Numri i faqeve: 250

Çmimi: 1000 lekë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat