Metafora e kalit dhe një antologji poetike

Kultura

Metafora e kalit dhe një antologji poetike

Më: 29 shtator 2014 Në ora: 11:45

“Kur shkova për herë të parë në shtëpi të Agollëve së bashku me mikun tim Shaban Sinani, autor i një libri studimor shumë interesant të titulluar “Njerëzit e krisur” të D. Agollit, Poeti na priti më këmbë në korridor, si një kalë i plakur, por sfidant. I vendosa mbi tavolinë poezitë e tij dedikuar kalit, pelës dhe mëzit dhe ai, pasi i pa, me humorin karakteristik më tha: Çudi, pse unë i kam shkruar gjithë këto? S’di gjë, s’ka mundësi! …Dhe kështu, i bindur se bisedës sonë po i vinte fundi dhe ishte e pamundur të kishte befasi të tjera, i thashë se, me siguri Vdekja e kalit duhej të ishte vjersha e fundit që kishte shkruar për kuajt. Dritëroi heshti pak dhe tha: Shiko, vjen një ditë që edhe kuajt shtrihen përdhe dhe vdesin, por ama ata një jetë të tërë qëndrojnë në këmbë. Edhe natën kur flenë. Biseda jonë për kuajt u mbyll me befasinë e fundit. Pas Vdekja e kalit, kishte shkruar edhe dy poezi të tjera: Vraponte një kalë dhe I dashur kalë. Të dyja vjershat janë në dorëshkrim, me një kaligrafi të pastër edhe pse duket qartë se në shumë germa gishtërinjtë e dorës nuk i janë bindur plotësisht, për shkak të 83 maleve me dëborë që Poeti mban mbi supe”.

Kështu, me një hyrje të shkurtër që merr shkas nga një vizitë këto ditë në shtëpinë e Dritëroit, e nis librin e tij më të ri prof. dr. Roland Zisi, dekan i Fakultetit të Edukimit dhe Shkencave Shoqërore në universitetin “E. Çabej”, Gjirokastër. Libri krejt i veçantë i Roland Zisit, Antologji poetike për kuajt botimet “Naimi”, Tiranë 2014, përmban 33 poezi dhe 2 proza poetike nga Dritëro Agolli dhe shoqërohet me një studim monografik për këtë pjesë të krijimtarisë së poetit të madh shqiptar.

“Vështirë të gjendet tjetër poet shqiptar, si ai, qoftë i traditës qoftë bashkëkohor (ndoshta edhe i huaj), -shkruan autori i librit- që të ketë treguar kaq shumë interes dhe të ketë shkruar kaq shumë vargje dhe prozë për kuajt, me kaq përkushtim, dashuri, altruizëm dhe humanizëm që zgjatet deri në zoomorfizëm. Nuk ka përmbledhje poetike, roman, novelë apo qoftë edhe intervistë të D. Agollit që të mos ketë tituj, vargje, sentence ose rreshta për kalin, pelën dhe mëzin. Në këtë këndvështrim, krijimtaria e Dritëroit me këtë motiv është padyshim një vepër unike e letërsisë shqipe e ndoshta dhe e letërsisë botërore”.

Antologji poetike për kuajt nuk është një antologji poetike e thjeshtë apo një përmbledhje e rëndomtë e disa vjershave, e ndërtuar për të kënaqur kritere dhe arsye tematologjike. Kjo antologji është një prej dëshmive letrare e artistike të programit human e estetik të autorit që nis në fillim të viteve 1960 dhe që vijon deri në ditët e sotme. Autoriteti, shpejtësia, ritmi, masa, ekuilibri, ndikimi dhe urtësia e këtij programi kulturor të Agollit, e ka zanafillën, veç të tjerash, edhe në dashurinë e tij unike për natyrën, në njohjen e thellë të saj, të botës bimore e shtazore, sidomos të kuajve, nga të cilët ka marrë gjithçka të mirë e të bukur, gjithë vlerat e mësipërme, për t’i bërë më pas pjesë organike të programit e veprës së tij letrare e cila na vjen si një kontribut shquar jo vetëm për letërsinë tonë por edhe për letërsinë botërore.

Skeda e librit:

Titulli: Antologji poetike për kuajt ((33 poezi dhe 2 proza poetike nga Dritëro Agolli)

Autori: Roland Zisi

Gjinia: Antologji shoqëruar me një Studim monografik

Recensues: Blerina Suta, Mariglena Meminaj, Luçiano Boçi

Redaktor: Shaban Sinani

Botues: “Naimi”- www.botimenaimi.com

ISBN: 978-9928-109-76-7

Copyright: Autori

Numri i faqeve: 144

Çmimi: 700 lekë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat