Fryma, dinamika e vizionit e kohës në veprat e Hasan Selimit

Kultura

Fryma, dinamika e vizionit e kohës në veprat e Hasan Selimit

Nga: Ramiz LUSHAJ Më: 28 shtator 2014 Në ora: 12:57

- Esse e plotë për veprat "Antologji e Endrrës" (2013) dhe "E Drejta Ndërkombëtare Publike dhe e Ardhmja Botërore" (2014) -

...
1.
“Antologji e Ëndrrës”(2013) e Hasan Selimit përveçohet dukshëm e thuktë si një “Vepër e Vertikalitetit”, e shfaqur asht’ e palcë në dimensionet e madhërishme prej nga Qielli (Zoti) në Tokë (Njeriu), nga Ëndrra (Hyjnore) tek Vepra (Jetësore).
Kjo vepër si një prozë poetike, në esse e përsiatje të saj, me plot musht e mesazhe pasqyron e jep traditë, evolucion, prognozë. Aty fjalaflet se Zoti i Gjithpushtetshëm e i Mëshirshëm në Qiell kërkon që edhe njerëzit e tij në Tokë të jenë të pushtetshëm e bajemirë, të duan vetëveten, të mos harrojnë prejardhjen, lindjen e trashëgiminë, të duan të Drejtën e të Vërtetën, të ecin kah e Mira dhe e Mbara. Pra, njerëzit të kenë shenjtëritë e veta, të kenë shenja lavdie të tyre, të jetojnë jetën.
Hasan Selimi, besimtar e mendimtar, në kit’ vepër teologo-filozofike të një lloji të veçantë, në kit’ botë në zhvillim me shpejtësinë e dritës e me dixhitalizim përtej imagjinatës ma të ndezur, na e mirëparaqet Jetën si Mision dhe Njeriun Udhëtar, i cili vrapon, në kambë, me gravitet, në përballje, drejt të nesërmes. “Njeriu në jetën e vet udhëton, -thotë autori- bile edhe vrapon për të gjetur gjënë e tij më të shtrenjtë, më të bukur, më të domosdoshme, më të nevojshme”(f. 47)
Edhe Ëndrrat marrin krahë në Galaktikë e hapaudhë lartësore në Jetën reale, tokësore, në faqet e librit. Ëndrrat janë tharm’ në langun e Jetës, që në brumin e Kohës na e japin Bukën e përditshme. Ëndrrat pa tharm’ e Jeta pa lang’ mbeten thatanike, shkretinë. Ka të drejtë autori atdhetar i kësaj vepre me visare teksa pohon, apelon: Ne, Shqiptarët, jemi Ëndrrimtarë shumëshekullor, me pritmëri e shpesh deri në tepri. Sot, plot Ëndrra e Vepra Kombëtare Shqiptare po iu besojmë me sakrifica, me shpresë e besë, këtij Rendi të Ri Botëror, integrimeve e zhvillimeve euro-atlantike në BE e NATO, krijimit të Shqipërisë Etnike, Natyrale, të paktën në kufij vilajetor shqipfolës të 1912-tës.
“E Drejta Ndërkombëtare Publike dhe e Ardhmja Botërore”(2014), libri ma i ri i Hasan Selimit, si të thuash, është një ”Vepër e Horizontalitetit”. Natyrisht, e drejta ndërkombëtare publike si nocion, kodifikim, subjekt, etj., është një tërësi aktesh të pranuara me pëlqimin e Kombeve, të cilat aplikohen si burim i së drejtës për çdo shtet. Në kit’ rrafsh horizontal edhe Shqipëria Londineze ka vendin e rendin e vet, lidhjet, marrëdhëniet e dinamikat diplomatike, politike, juridike të saj me shtetet fqinjë e ato ballkanike, ato paneuropiane e ndërplanetare. Sigurisht, edhe bartja e traditës shqiptare e të drejtës ndërkombëtare publike, nga Antikiteti Ilir tek ky Rendi i Ri Botëror, ka ardhë ndër breza në rrafshin horizontal si prurje, si përvojë, si trashëgimi kombëtare, sadoqë ka pasë ndërprerje kohore të shpeshta, izolime, bllokime e kundërvënie të shumta prej vetes e nga të tjerët, memorie shtypshkrimore disi të pakët, etj. Patjetër, edhe trajtesa plotore e autorit Hasan Selimi në kit’ monografi shkencore shtrihet në rrafshin horizontal, si arritje e autorit, si përvojë e kohës.

2.
Vepra “Antologji e Ëndrrës” (2013) më përngjan si një Traktat teologjik e filozofik, që autori ia vno në prehën kohës së sotme, ua jep në duar lexuesve të tij. Hasan Selimi ecën fort e mirë në këto dy shina. Duket timonier i zoti. Sa hyjnor edhe akademik. Vërtet nga shpirti e gjuha e tij shkruhet me njohje të thellë e kulturë të gjërë për Teologji e Filozofi, të cilat nuk janë krejt e njëjta gja, po e veçanta përgëzuese për autorin është fakti botëformues e librashkrues se nuk i sheh ato si dy të kundërta, si përjashtuese ndaj njëra-tjetrës. Ai me peshoren e studiuesit e çekiçin e drejtësisë, sheh ndërveprimet e ban analiza krahasuese mes mendimit shkencor filozofik e atij teologjik fetar.
Në krejt veprën “Antologji e Ëndrrës” besimtari me bekim e penë, Sheh Hasan Selimi – Njeri i Mirë, është - njëherash - sa i Mendimit dhe i Veprimit, pasi nga nektari i traditës e i kohës, nga shembujt e vetëvetes e të realitetit, del me përfundime të themelta, domethënëse, visare, që disa sish marrin dhe vlera e vulë kodike e aksiometrike. Qartë duket se ky autor meritor e vizionar ka plug e farë nga fryma e Kuranit, nga drita e Ehlibejtit, palcon nga genet e veta brezni mira, jep nga shenjtëritë e shejat e veta.
Vepra tjetër e Hasan Selimit “E Drejta Ndërkombëtare Publike dhe e Ardhmja Botërore” (2014) me fol troç është një “Manual” i vyer në tavolinën e punës për diplomatët, politikanët, ekspertë e studentë (pas)universitar të së drejtës ndërkombëtare publike.
Edhe ata që nuk e kanë kit’ lami si profesion apo pasion, po ta lexojnë kit’ monografi shkencore kanë përfitesa kulturore në dijenitë e tyre qytetare, pasi vet autori dorëshkrimor i saj është një personalitet shumëdimensional i kohës sonë, ka derdh e shkri’ aty dijeni e aftësi të mendjes e penës së tij.
Pra, njejtësisht e njëkohësisht, të dy e nderojnë lartësisht njëri-tjetrin: edhe autori veprën, edhe vepra autorin.

3.
Kjo vepra e dytë e Hasan Selimit më përngjan edhe me një “Autostradë” shqiptare, mbarëkombëtare e ndërkombëtare. Sigurisht, në kilometrat e horizontin e saj është E Drejta Ndërkombëtare Publike. Specialistët në zbatim projekti një fragmenti rruge në ndërtim i thonë “loti” ndërtues. Kësisoj edhe kjo vepër shkencore e tij ka segmentin e vet vendor e kohor. Ka energjitë e rrezatimet e veta. Patjetër, si për Autostradën Durrës-Prishtinë e ma andej, kemi nevojë edhe për një “Autostradë” të tillë me vepra si kjo e Hasan Selimit, pasi të tilla vepra i kemi të pakta në skedat shqip të bibliotekave me libra në Tiranë, Prishtinë apo Shkup. Duhen sa ma shumë libra të tillë në Autostradën e Dijes e të Kohës që të krijojmë bibliotekë të veçantë me to në korpusin bibliotekar kombëtar.
Në kit’ soj veprash për të drejtën ndërkombëtare publike kemi kryesisht disa libra universitar nga disa titullar, me tituj e grada shkencore, që i kanë shkrue ato germë pas gërme e vit pas viti për t’i pasë në katedra e auditore, si pjesë medalionare të detyrës, profesionit e rrogës. Krejt ndryshe ngjet me Hasan Selimin. Ai e ka shkrue kit’ monografi shkencore si Atdhetar Kombëtar, si Qytetar i Lirë, në Kohën e Lirë, me Vullnet të Lirë. Po jo me Kosto të Lirë.
Doktoranti jurist, teolog, studiues, Hasan Selimi nga Kasajt e Tropojës e me banim familjar në afri të Unazës së vjetër të Tiranës, prej dekadash punon gjyqtar me togun e zi e faqe të bardhë në Shkodër, kryelartë i udhës edhe në vitin e vështirë ’97. Ndoshta shteti ende ka mendësi se ka lind për të punue vetëm në kit’ kryeqytet të lashtë e të ri të Veriut Shqiptar të coptuem më 1913.
Kulla e Hasan Selimit në Kasaj të Tropojës në brezni janë të mendjes e të pushkës, si meshkujt edhe femnat, dhe i kanë lanë emën e vend vetes në rranjët e trollit, të fisit të Shipshanit e Gashit, të Malësisë së Gjakovës e Rrafshit të Dukagjinit dhe në ditët e shekujt e kombit. Edhe farefisnia i kanë lisnue dinjitar. Në memorien e historisë kombëtare kanë dëshmorë e martirë të kombit që kanë dhanë jetën në Plavë-Guci e deri në Sanxhak.
Në familjen e Hasan Selimit të gjithë janë (pas)universitar. Një shtëpi intelektuale. E shoqja e tij në rreth katër dekada, Fahrija, është mësuese. Tre fëmijët e tij me emra epik, lisa rrënjas të trollit të vet, Tanusha, doktorre e shkencave, avokate me kërkesa e mbingarkesë pune, dy djemtë mastër të shkencave, Kushtrimi e Kreshniku, kanë krye juridikun, ndonjani edhe fakultet të dytë. Kështu, siç duket, ata janë një “dekanat” më vete e hierarkia nuk ka mëdyshje: dekan i pavotueshëm është Hasan Selimi.
Përndryshe, Hasan Selimaj, ky studiues shumëdimensional, në ditët e sotme e në hapësira etnike shqiptare, në simbolikë e tue ia sydrit’ kaçikin, tue ia njoft udhët e jetës si dhe dy veprat e tij të botuara “Antologjia e Ëndrrës’ dhe “E Drejta Ndërkombëtare Publike dhe e Ardhmja Botërore” e ato në dorëshkrim, mund të themi se është një nga “kryepleqtë” e fjalës juridike, filozofike, teologjike, diplomatike.

4.
Sheh Hasan Selimi kur shkruan “Antologji e Ëndrrës” në gjithçka e për gjithçka i beson Vehtes, e nis nga Vetëvetja. Kjo duket genetike, e brezave të vet, e trollit të tij. Ndaj burimon me kaq forcë magjike, dlirësi hyjnore, peshë realiteti në faqe e rradhë të veprës së tij të vyer.
Ai e ka vendos mrekullisht e mjeshtërisht në qendër të veprës së vet Njeriun. E ky Njeri është Krijesë e dashur e Zotit, që ia dha shpirtin si shkëndi e dritës së vet. Ky Njeri jeton brenda lirisë së Zotit, me dashurinë për Zotin, në hapësira gjeo-historike e (anti)demokratike të kohës. Nuk është as “Njeriu i Ri” ideologjik. Po as skllav modern i Kapitalit. Në kit’ vepër mirfilli teologo-filozofike Hasan Selimi e ka kryefjalë Njeriun e Lirë, me të gjitha Dimensionet e Njeriut të Lirë. Natyrisht edhe me të gjithë kompleksitetin, diversitetin, kontraversitetin e dinamikën e Njeriut të Sodit e të Kohës së Sodit.
Dimensionet jetësore të Hasan Selimit si besimtar i lartë e jurist i shquar e bajnë ta këndvështrojnë Njeriun në epiqendër e brenda parimeve të shenjta e ato juridike. Ai është krejt natyral e aspak artificial. Sa hyjnor edhe jetësor. Si në veprën e tij edhe në profesionin e detyrën e tij, në besimtarinë e jetën e tij.
Prof. Dr. Lisen Bashkurti, ambasador, president i Akademisë Diplomatike Shqiptare, në parathanien e tij “Një jetë me nder, vlerë, besim e dituri”, botuar tek vepra e Hasan Selimit “E Drejta Ndërkombëtare Publike dhe e Ardhmja Botërore” (2014) kumton: “Ajo që përputhet tek të gjithë opinionet për Hasan Selimin është një fakt, që do të thoja unik për një gjyqtar, por shumë i dëshiruar për drejtësinë shqiptare. Hasan Selimi e sheh njeriun në kompleksitet. Ai gjykon fillimisht njeriun e pastaj çështjen e tij. Ai zbërthen psikologjinë, rastet, rrethanat, kushtet, mjediset, trashëgiminë, sfidat, hallet, shkaqet – e pastaj vesh togun e zi të gjyqtarit për të dhënë vendimin. Për Hasan Selimin, kodet, proçedurat, ekspertët, prokurorët, avokatët, të pandehurit ose persoant përpara drejtësisë – janë qënie që gëzojnë trajtimin më të arsyeshëm,më të drejtë e më të dobishëm për to, për familjet e tyre e për mbarë shoqërinë. Është rast unik në përvojën time të njoh një gjyqtar të tillë” (f.23).
Kjo detyra e profesioni i juristit të mbrrimë i ka ndihmue mjaft e mirë studiuesit të themeltë e të vlertë, Hasan Selimi, për me e shkrojt artnisht veprën e tij shkencore me 252 faqe me vështrime, analiza e konkluzione shkencore për të Drejtën Ndërkombëtare Publike.

5.
Dy veprat e Hasan Selimit në të djeshmen e afërt do të ishin “mollë e ndaluar” apo “lule mos e prek”. Si traktati filozofiko-teologjik “Antalogjia e Ëndrrës” (2013) edhe “manuali” diplomatik, historik, juridik, kulturor “E Drejta Ndërkombëtare Publike dhe e Ardhmja Botërore” (2014).
Dje, feja ishte e ndaluar zyrtarisht, deri në përndjekje ideo-politike, në dënime publike e juridike. E kemi përjetue ne brezat e ’67-tës kit’ ikuizicion komunist. E, megjithatë feja jetonte në shpirtin, ritet e ëndrrat e besimtarëve të saj të shumtë. Ishte e mbetet paradoks i madh i globit që në kombin shqiptar që Shën Konstandini i Madh i Nishit të Dardanisë e shpalli Krishtërimin Fe Zyrtare për botën e derisotme. Asokohe nuk mund të konceptohej që Sheh Hasan Selimi të botonte një vepër të tillë si “Antologjia e Ëndrrës”.
Dje, E Drejta Ndërkombëtare dhe Marrëdhaniet Ndërkombëtare ishin privilegj i njerëzve të përzgjedhur nga kriteret e klasa politike e shtetit monist ma të izoluar të botës. Ata që merreshin me këto disiplina madhore të diplomacisë shqiptare i kishin apo i trajtonin këto si “pronë” e tyre. Aq ma keq. Ishin “tabu” për të tjerët. Kjo politikë me të tilla praktika na ka pru tek e keqja e sotme që në kit’ fushë, në këto disiplina, të kemi vepra të pakta. Boshllek të madh. Asokohe studiuesi me dimensione akademike, Hasan Selimi, nuk mund ta botonte një vepër të tillë shkencore si kjo: “E Drejta Ndërkombëtare Publike dhe e Ardhmja Botërore”, pasi këto ishin atribut e kontribut i njerëzve të caktuar nga shteti i kohës e jo nga të tjerët me vullnet të lirë. Kjo nuk do të ishte e mundur as nga një personalitet shumdimensional si Hasan Selimi një jurist doktorant në Gjykatën e Shkodrës, një Sheh ehlibejt me bekim e gradë në Gjakovë përtej Qafës së Morinës krye kullës së tij, një qytetar i Tropojës, i Shkodrës, i Tiranës, i Gjakovës; një njeri i pushkës në traditë e i penës me meritë. As nga Hasan Selimi me vlera e visare, me emër të mirë në kohna të vështira.
Me dy veprat e tij Hasan Selimi i ka thye muret e izolimit. Ndokush mund të thotë se kjo u tejkalue në vitet ’90. Jo. Këto mure thyhen çdo ditë, çdo vit, në çdo dekadë e çdo shekull. Muri i izolimit të diktaturës së djeshme ishte tejet i madh, ndaj duhet kohë e luftë e madhe me e thye atë njëherë e mirë, përgjithmonë. Diku, në mes fjalëve urtake e bekimore të Papa Franceskut në 21 shtatorin 2014, kuptimova mesazhin e Tij: të ruhemi nga diktaturat e reja. E ka të drejtë. Diktaturat e reja krijojnë mure të rinj të izolimit nga brenda. Dalja nga diktatura të vjetra të zeza apo të kuqe e rënia në diktatura të bardha ose të pafytyra, formësojnë e formatojnë “mure” brenda nesh. Mure mes shtetarëve e popullit, mes krahinave e vllaznive dhe familjeve, etj. Mure me fqinjtë, me Europën, me botën.
I ndritshmi me mendje e penë, Hasan Selimi, ngrihet përditë mbi muret e izolimit të djeshmes e të sotmes. Mbi muret e izolimit nga jashtë e nga brenda. Me muret që na i ngrejnë të Tjerët e me muret që ia ngrejmë Vetes. I thyen ato. Nëse me veprën e dytë “E Drejta Ndërkombëtare Publike dhe e Ardhmja Botërore” e thyen murin e izolimit nga jashtë, me veprën e parë “Antologjia e Ëndrrës” i thyen muret e izlimit nga brenda.
Thyerja e mureve kërkon mjeshtri, muskuj, dije, djersë. Edhe muret e djehit me hekurnajë. Edhe muret e sodit me betonime. Edhe muret e djehit me klone. Edhe muret e sodit me klonime. Duket se Hasan Selimi ka shpirt e forcë me u ngrit mbi muret, me i thye ato, brenda Vetes e tek të Tjerët, nga Jashtë e nga Brenda. Kjo duket edhe tek dy veprat e tij që kanë shumçka: Jetë. Dinamikë. Dimensione. Hapësira. Lartësi. Shembullime.
Këto janë shenja të mirë në veprat e tij, në jetën e tij.

6.
Vepra studimore “E Drejta Ndërkombëtare Publike dhe e Ardhmja Botërore” i hap udhë studiuesit doktorant Hasan Selimi të jetë pjesë e botës akademike, pasi në rradhë e faqe të saj shohim stilin akademik të autorit jurist kariere, ndjejmë frymën akademike në trajtesa shumëdisiplinore, në sjelljet e përcjelljet e fakteve e argumenteve; në analiza të ngulta e të thukta përmes klasifikimit, seleksionimit, krahasimit; mbrritja në konkluzione, vështrime me prognozë e vizione kombëtare shqiptare, bashkohore euro-atlantike, globale.
Zotësi dinjitare tregon studiuesi Hasan Selimi teksa rrok me vështrim e analizë rrënjë e degë edhe diplomacinë, edhe të drejtën ndërkombëtare publike, edhe gjithato zhvillime të sotme bashkëkohore si tek kapitulli VI “Rendi i Ri Botëror dhe reforma juridike e OKB-së” (f. 193-238), etj.
Natyrisht, E Drejta Ndërkombëtare dhe Marrëdhaniet Ndërkombëtare janë “bakllava” e Diplomacisë që na shfaqet e vjen para syve e në terren praktik politik e jetësor. As njana e as tjetra nga këto dy disiplina nuk janë vet “bakllava”, po elementë të gatimit të saj.
Hasan Selimi, edhe në kit’ veprën e fundit, i ruan graniturat përbërëse, gramaturat lëndore, temperaturat mjedisore e kohore, tue e pjekë “bakllavën” pa u djegë në duart e magjes së tij – laborato dhe me pasë hijeshi e shije në tavolinën e punës të të interesuarve dhe në biblioteka vetjake e publike (ndër)kombtare.
Kjo është meritë e tij: e pastër, e paqtë, e pëlqyeshme. Duket se autori ka intelekt genetik, natyror, hyjnor. Po ka edhe dorë për mirë. Ka edhe dorë akademike.
Shyqyr që nuk ka hyrë në thelluta të mëdha të Drejtës Ndërkombëtare e të Marrëdhanieve Ndërkombëtare, se ndoshta hala nuk do të kishte ardhë drejt nesh me kit’ vepër shkencore, e cila gjatë shpalimit na merr me vete në autostradë pa na lanë e fut në xhepa të saj. Hasan Selimi mirëflet për Traditën Ilire, për Lindjen e Afërt e të Mesme dhe Kinë e Indi deri tek Rendi i Ri Botëror dhe tek OKB e sodit, tek Karta e Kombeve të bashkuara e reforma të nevojshme e të pritshme të saj.

7.
Një tjetër meritë e Hasan Selimit në kit’ vepër shkencore ka të bajnë me faktin se E Drejta Ndërkombëtare dhe Marrëdhaniet Ndërkombëtare i këndvështron, hulumton, trajton, prognozon, konkludon në lidhje me zhvillime të sotme botërore, me vet dinamikat diplomatike e politike në terrenin panshqiptar e global.
E Drejta Ndërkombëtare dhe Marrëdhaniet Ndërkombëtare në kit’ vepër të Hasan Selimit më përngjasojnë disi edhe ndryshe: si “dy barrë” të ngarkesës të një kali në rrugëtim, ndërsa zhvillimet botërore si “frerët” e këtij kali. Barrët nuk duhet me i marrë ana kah kurrnjani krah. Edhe frenat duhet me dijt me i mbajt fort e mirë.
Autori i veprës shkencore “E Drejta Ndërkombëtare Publike dhe e Ardhmja Botërore” është një kalorës i mirë, i zoti, i pakthyeshëm, i pathyeshëm. Kali i rrinë mirë Atij. Ai është një ndër kalorësit e kohës tonë. Ai kalëron qyshse ka mësue me ecë në kambë në Kasaj të Shipshanit të Malësisë së Gjakovës... Ai kalëron me kalin e tij. Në korsinë e tij. Në hisen e diellit të vet. Me shenjat e shenjtëritë e veta. Me frymën e vet të trollit, besimit, veprimit. Me veprat e veta.
Hasan Selimi në hapat, frymën, dritën, udhët, në veprat e tij...do’ me i përnga’ përditë e përjetë vetëm një njeriu në kit’ botë e tokë: Hasan Selimit. Në kuptimin hyjnor e njerëzor, ideal e real ky punon e jeton që Hasan Selimi të jetë e mbetet Hasan Selimi. E ky njeri i mbrrimë po ia mbrri’ të jetë i tillë. Shenja të mira të profilit të tij, të formatit të tij, janë edhe këto dy vepra të tij në dy vitet e fundit.
27 Shtator 2014

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat