Lamtumirë artistes Besa Imami!

Kultura

Lamtumirë artistes Besa Imami!

Më: 23 shtator 2014 Në ora: 09:48

Për një orë, para se të përcillej për në varrezat e Tufinës, artistja Besa Imami u nderua në hollin e Teatrit Kombëtar. Familja, djali, të afërmit, kolegët dhe miqtë hynin njëri-pas tjetrit për t’i dhënë lamtumirën e fundit dhe për t’i lënë kurora me lule. Besa Imami (1928-2014) u nda nga jeta pasditen e së dielës, në moshën 86-vjeçare. Artistët, por edhe njerëzit e thjeshtë do ta mbajnë mend për interpretimin e saj, në rolin e Donikës te filmi “Skënderbeu” (1953). Por si e kujtojnë kolegët Besa Imamin?

Tinka Kurti: Besa Imami është një nga figurat më të mira të teatrit

Besa ka qenë një aktore e mrekullueshme, njeri i jashtëzakonshëm, prind i mrekullueshëm, edhe një shoqe e mirë shumë. Është një nga figurat më të mira të Teatrit Kombëtar. Kam pasur raste që të luaja me Besën, sepse të dyja të harruara kemi qenë, dy partnere, dy malësore. Gjithmonë e kisha frikë përgatitjen e saj. Kur Besa më ka kërkuar faljen e gjakut, në vend që të isha unë trimëresha, ishte ajo, ajo që e kërkonte dhe ishte shumë bukur. Për herë të fundit e kam takuar kur ka bërë aksidentin e këmbës, por më pas kemi shkuar në spital. Patëm një ditë shumë të bukur me Papën, dhe lajmin e Besës nuk e deshëm (qan).

Margarita Xhepa: Në mesin e aktorëve të mëdhenj, ishte edhe një zë i fuqishëm i grave

Ishte një ndër aktoret e para që bashkë me kolegët vunë themelet e teatrit tonë. Ishte koha e pasioneve të mëdha, ishte koha e aktorëve të mëdhenj. Në mesin e aktorëve të mëdhenj, ishte edhe një zë i fuqishëm i grave, i aktoreve tona, ashtu sikurse ishte zëri i Besa Imamit. Një aktore do të thoja e shkëlqyer, një aktore që në zbërthimin e personazheve shquhej për thellësinë e mendimit, një aktore që emociononte me një zë të bukur dhe kumbues. Atëherë ne ishim një vullnet, një mendje, një pasion dhe një thjeshtësi. Besa ka krijuar personazhe të lavdishme jo vetëm në teatër, por edhe në kinematografi, karaktere që do të mbeten të paharruara në memorien e spektatorëve tanë. Ishte një zonjë fisnike që shquhej për një qytetari të admirueshme. Kurrë nuk do ta harroj!

Lazer Filipi: Ajo ka luajtur rolin më të madh, Donikën

Besa Imami ishte një aktore shumë e madhe. Aktorët luajnë shumë role, por ajo ka luajtur rolin më të madh, Donikën, bashkëshorten e Gjergj Kastriotit, të figurës më të madhe të kombit tonë. Bashkëshortja që e ka ndjekur në të gjitha veprimet e tij është Donika Kastrioti, Besa Imami.

Petrit Malaj: Sado i vogël ishte një personazh, Besa Imami ndërtonte një karakter të spikatur

Ndihemi keq, ndihemi keq të gjithë, pasi humbëm sot, një nga aktoret e teatrit shqiptar, por edhe të kinemasë. Mendoj se, në traditën tonë emra të tillë kanë lënë shumë, kanë lënë shumë dhe kanë folur shumë për brezin tonë, por edhe për të rinjtë që aspirojnë që të bëhen e ardhmja. Duhet që t’i njohim më tepër ato që kanë krijuar këto figura të shquara të artit teatral, siç është edhe Besa Imami. Prej tyre padyshim kemi se çfarë të marrim, në drejtim të pasionit, të këmbënguljes dhe të talentit të mrekullueshëm, por edhe të një vetëmohimi, që kanë treguar herë pas here në skalitjen e personazheve. Kjo ka qenë një veçori e Besa Imamit, sepse përpiqej që sado e vogël të ishte figura, të ndërtonte një karakter të spikatur dhe të dashur për të gjithë.

Suela Konjari: Rolet e Besa Imamit janë përjetësim për të gjithë ne

Mendova për ty, me dashuri dje, por kjo nuk është asgjë e re. Kam menduar për ty edhe ditë të tjera para së djeshmes. Vetëm pak ditë më parë, kur Gjakova jote e dashur të nderoi me “Mirënjohja e Qytetit”, unë pata nderin të jem aty, në skenën gjakovare, që plot emocion duartrokiste çdo fjalë tuajën që përcillej në pelikulë… Sot mendoj në heshtje, e përlotur, ashtu si u përlotëm të gjithë në atë sallë. Të gjitha janë kujtime tashmë… Rolet e tua, pasuri për artin skenik dhe për të gjithë ne, janë përjetësim, janë dhuratë për ne, për kujtimet tona, nga të cilat nuk do të largohesh dot kurrë. Lamtumirë e dashur Besa Imami, Donika Kastrioti jonë!

Besa Imami (1928-2014) ka lindur në qytetin e Gjakovës. Në vitin 1937, familja e saj erdhi nga qyteti i Gjakovës për t’u vendosur në Tiranë. “Artistja e Merituar”, Besa Imami i ka dhënë publikut mbi 90-të role. Në kinematografi u bë e njohur për publikun me rolin e Donika Kastriotit në filmin “Skënderbeu” të realizuar në vitin 1953. Më pas do të vijonin role të tjera në filmin “Brazdat” në vitin 1973, “Në fillim të verës” në vitin 1975. Disa nga rolet e tjera që ka interpretuar janë: MbretëreshaTeuta tek “Artani”, Nënë Zyraja te “Bashkë me Agimin”, Prenda te “Cuca e Maleve”, Rusha te “Halili dhe Hajria”, rolin e Lajes te “Lulet e Shegës” etj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat