Ndërron jetë aktorja Besa Imami, homazhet sot te Teatri Kombëtar

Kultura

Ndërron jetë aktorja Besa Imami, homazhet sot te Teatri Kombëtar

Më: 22 shtator 2014 Në ora: 09:10

Ndërron jetë në moshën 86-vjeçare aktorja e skenës shqiptare, Besa Imami, e cila vuante prej kohësh nga një sëmundje e rëndë. Aktorja Besa Imami ,ka lindur në 8 Gusht të vitit 1928 në qytetin e Gjakovës. Në vitin 1937, familja e saj u shpërngul nga qyteti i Gjakovës për t’u vendosur në Tiranë. Në kinematografi ajo do u bë e njohur për publikun e gjerë me rolin e Donika Kastriotit në filmin “Skëndërbeu” të realizuar në vitin 1953. Homazhet për Besa Imamin do të bëhen sot në orën 13:00 në Teatrin Kombëtar. Që nga shtatori i vitit 1946 e deri në 1 Shtator të vitit 1988, Artistja e Merituar, Besa Imami i ka dhënë publikut mbi 90-të role, midis të cilave përmendim rolin e Mbretëreshës Teuta tek “Artani” e Selman Vaqarrit , rolin e Nënë Zyrasë tek “Bashkë me Agimin” e Bashkim Kozelit, rolin e Prendës tek “Cuca e Maleve” e Kolë Jakovës, rolin e Klara Gaberit tek “Procesi i Lajpcigut-Gjergj Dimitrovi”, rolin e Rushës tek “Halili dhe Hajria” e Kolë Jakovës, rolin e Lajes tek “Lulet e Shegës”, rolin e Nënës tek “Monserati”, rolin e Gjinervës tek “Rrënjët e thella” etj. Në vitin 1961, kur ishte vetëm 33 vjeç, Besa Imami për meritat e saj artistike do të vlerësohej me titullin “Artiste e Merituar”. Vetëm para 7 ditësh, nga një propozim i Fondacionit Kulturor Mbarëkombëtar “Nermin Vlora Falaschi” ajo është nderuar nga Gjakova, vëndlindja e saj edhe me titullin “Nderi i skenës shqiptare”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat