Vdes dhe varroset në heshtje të çuditshme shkrimtari Ali Abdihoxha

Kultura

Vdes dhe varroset në heshtje të çuditshme shkrimtari Ali Abdihoxha

Më: 19 shtator 2014 Në ora: 11:36

Ditë më parë, më 15 shtator 2014, është ndarë nga jeta dhe varrosur me një heshtje të pashpjegueshme shkrimtari i njohur, ish-drejtor i Shtëpisë Botuese «Naim Frashëri», Tiranë, Ali Abdihoxha.
Në mediet e Tiranës për vdekjen e tij mezi u gjet ndonjë njoftim, ndërsa s’raportohet nëse u zhvillua ndonjë ceremoni mortore.
Opusi krijues i tij, pavarësisht se ishte në hullitë e politikave të kohës që jetoi, sikundër edhe krijimtaria e shkrimtarëve të tjerë, përmbante vlera të larta artistike dhe ishte një nga autorët e dashur për lexuesit e të gjitha moshave.
Autori i një prodhimi të pasur letrar, i njohur e i vlerësuar edhe në Kosovë kur këtu libri shqip nuk shihej me sy të mirë nga pushteti, kishte lindur në Elbasan në vitin 1929. Ishte edhe pjesëmarrës në luftën për çlirimin e Shqipërisë nga pushtuesit nazifashistë, shkruan Koha.
Ka studiuar dhe është diplomuar në Institutin e Letërsisë Botërore “Maksim Gorki” në Moskë, Rusi.
Ali Abdihoxha ka qenë i njohur si një nga prozatorët më të mirë të kohës. Vepra e tij “Një vjeshtë me stuhi”, është ribotuar disa herë. Ka qenë një bestseller i vërtetë që trajtonte jetën e një vajze shqiptare e përfshirë në rezistencën kundër pushtuesve fashistë në vitet e Luftës së Dytë Botërore.
Pas vitit 1990 Ali Abdihoxha ishte tërhequr në jetën familjare dhe ka evituar edhe daljet në mediat, aq sa në internet nuk arrijnë të gjendën as njoftime biografike e as fotografi të tij.
Veprat e tij janë:
Ëndra dhe dritë (1963), Një vjeshtë me stuhi (1968),Tri ngjyra të kohës (1970), Dueli i madh (1975), Mirazh (1978), Vila në periferi (1982), Vepra letrare (1983), Kronika e një nate (1984), Sfida (1987), Sarajet (1997).
Disa prej tyre janë botuar nga “Rilindja” si komplete edhe në Kosovë gjatë viteve të ’70-ta.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat