Vepër me rëndësi monografike e historiko-kombëtare

Kultura

Vepër me rëndësi monografike e historiko-kombëtare

Nga: Halil Haxhosaj Më: 14 shtator 2014 Në ora: 23:07

“Thesar kombëtar i Mërgatës shqiptare në Suedi, 3”, botues, Shoqata e shkrimtarëve dhe e artistëve shqiptarë “Papa Klementi XI Albani”, Suedi, Prishtinë, 2014.

Pas botimit të pjesës 1 dhe 2 të kësaj vepra, kjo Shoqatë e shkrimtarëve dhe artistëve shqiptarë nga Suedia botoi edhe pjesën e tretë me një volum të madh dhe të një formati ekskluziv. Interesimi, puna, përkushtimi dhe mundi i personave të angazhuar për realizimin e këtij projekti më në fund u realizua me sukses. Dhe suksesi sa vjen e shtohet, madje duke marrë epitete të ndryshme nëpër të gjitha anët e botës aty ku jetojnë dhe ku ka shqiptarë e posaçërisht në shtetin amë në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Greqi, Mal të Zi, e pse jo edhe në Serbi e vende të tjera.

Vepra “Thesar kombëtar i mërgatës shqiptare në Suedi, 3” zgjon interesim tek lexuesit e zakonshëm në njërën anë, por edhe te studiuesit, shkencëtarët dhe persona të tjera që merren me studimet, analizat dhe gjendjen e shqiptarëve në mërgim, gjegjësisht, sipas kësaj vepre, të atyre që jetojnë, punojnë, veprojnë dhe krijojnë në Suedi, në anën tjetër. Dhe do të gjejnë çdo gjë në të tri këto vëllime, sepse autorët e saj kanë paraqitur të gjitha anët e mërgatës shqiptare të Suedisë. Dhe kjo është realizuar për lakmi, sepse qëndron në rrafshin e pasqyrimit të veprës historike, asaj letrare monografike e pse jo edhe të një albumi fotografish e dokumentesh me vlerë të lartë të pasqyrës reale momentale të kësaj mërgate në Suedi. Duke u bërë gërshetimi i këtyre elementeve dhe të tjerëve që gjenden në faqe e veprës shtohet vlera, rritet çmimi dhe me siguri në të ardhmen bëhet burim i një historie tjetër të shkruar gjatë këtyre viteve nga penat e njohura të intelektualëve, poetëve e shkrimtarëve, studiuesve e të tjerëve shqiptarë që jetojnë, punojnë e veprojnë sot në Suedi.

Sa herë që shfletohen të gjitha librat e kësaj vepre, 1, 2, e 3 e begatojnë interesimin dhe diturinë e lexuesit. Kjo bëhet me sukses, sepse autorët në mënyrë kronologjike, madje të sistematizuar dhe të shtruar ashtu siç duhet, ia servirojnë lexuesit këtë begati të kësaj mërgate, të gjysmës së dytë të shekullit XX dhe dekadës së parë të këtij XXI, që me të vërtetë është një thesar kombëtar shqiptar.

Pjesa e tretë e veprës “Thesar kombëtar i mërgatës shqiptare në Suedi, 3” është e strukturuar me një formë të ashtuquajtur të sistemimit në kapituj dhe përbëhet prej tetë kapitujve të shënuar me numra. Secili kapitull ka elemente dhe specifika dalluese, por që mjeshtërisht kurorëzohen dhe bashkëdyzohen në tërësinë e veprës. Në pjesën më të madhe të kapitujve shpërfaqet aktiviteti i kësaj mërgate në Suedi, por edhe gjera të tjera me vlerë kombëtare, kulturore, arsimore, e pse jo edhe shkencore, sportive e të tjera. Ky strukturim e avancon formën e kësaj vepre në tërësi, e sidomos të pjesës së tretë në veçanti, sepse shndërrohet në begati artistike, dokumentare, e madje edhe letrare e

artistike. Begatia i shtohet edhe me fotografi, e sidomos me disa shkrime në gjuhën suedeze që paraqiten në faqet e saj.

Ndër kapitujt më interesant dhe më të begatë janë ai i krijimeve letrare e poetike si dhe ai për mbajtjen dhe zhvillimin e arsimit e të shkollës në gjuhën shqipe. Në këtë kapitull përveç që botohen poezi, tregime dhe krijime të tjera të shkrimtarëve të mërgatës shqiptare janë botuar edhe recensione, kritika e vlerësime për veprat e botuara si dhe me rastin e përurimit të tyre. Shkrimet e botuara të të gjitha formave, llojeve e gjinive letrare shënojnë vlerë, edhe pse aty-këtu disa janë të krijuesve fillestarë, që i kanë bërë hapat e parë në krijimtarinë artistike. Këtu pasqyrohen edhe përurimet e veprave të përkthyera nga gjuha suedeze në shqipe dhe anasjelltas.

Në këtë vëllim, pra në pjesën e tretë të veprës, konkretisht në faqen 339 janë dhënë edhe rezultatet e një konkursi letrar për poezi të quajtur “Sofra poetike” të shpallur nga Shoqata e shkrimtarëve dhe artistëve shqiptarë në Suedi “Papa Klementi XI Albani”, në bashkëpunim me Qendrën Kulturore Shqiptare “Migjeni” mbajtur në qytetin Boras në vitin 2013 dhe 2014. Në këtë manifestim letrar i cili tashmë është bërë tradicional janë shpallur rezultatet e konkursit, por janë dhënë edhe disa shpërblime të tjera. Të gjitha këto janë përcaktuar nga juria e zgjedhur nga organizatorët.

Po ashtu janë për t’u dalluar e lakmuar edhe shkrimet për aktivitete bamirëse, sepse ato nuk janë pak. Ky aktivitet zgjerohet, e pse jo edhe kurorëzohet me listën dhe shumën e shënuar të atyre personave që kontribuuan me ndihma në të holla për ndërtim e shtëpive për të pastrehët në Kosovë. Si pasqyrimin i këtij solidariteti është lista e 156 bashkatdhetarëve të cilët u solidarizuar për ndërtimin e një shtëpie të re familjes së Munish Beqirit nga fshati Llaushë i Podujevës.

Edhe paraqitja e disa fragmenteve të librit “Mërgata për arsimin në vendlindje (Shupkovc, Zasellë, Kçiq i Vogël në rajonin e Mitrovicë”, 2011) i autorit Hysen Ibrahimi është një pasqyrë reale e ndihmës së kësaj mërgate për ndërtimin e shkollave të kësaj ane. Siç shihet nga fragmentet e këtij libri pasqyrohet edhe ndihma e shqiptarëve në Suedi për dhënien të 3% qysh në vitin 1993, madje në artikullin me titull “Aksioni i parë, 1993”, thuhet: “Ishte 5 maji i vitit 1993, Hysen Ibrahimi, ishte në një organizim për formimin e Komisionit Rajonal për grumbullimin e 3% në cilësinë e anëtarit të Komisionit Qendror të Fondit të Republikës së Kosovës për Suedi”. Me këtë dëshmohet se ky fond ishte duke u realizuar në Suedi nga të gjithë mërgimtarët shqiptarë dhe çdo organizim tjetër bëhej duke mos e ndaluar e as penguar këtë obligim, i cili ishte me konotacion shtetëror të Republikës së Kosovës, që ishte e okupuar nga forcat e falangës serbe të udhëhequra nga krimineli Milosheviq.

Duhet potencuar se të gjitha këto aktivitete sikurse edhe veprimtaritë e tjera të Shoqatës së mërgimtarëve shqiptarë në Suedi plotësohen me sukses me fotografi, dokumente e procesverbale që kanë vlerë të madhe dokumentimi të këtij realiteti, tashmë historik. Rruga e tillë e organizimit të këtyre mërgimtarëve është për t’u lakmuar, madje është edhe një rrugë e cila ishte një ndihmë specifike e luftës për liri dhe pavarësi të Republikës së Kosovës, që fatmirësisht u kurorëzua në vitin 1999 nga luftëtarët e UÇK-së dhe ndihma e aleatëve të bllokut ushtarak botëror.

Në vend të përfundimit do të ishte e qëllueshme citimi i disa vargjeve nga poeti i ynë i mirënjohur Andon Zako Çajupi, i cili për Mëmëdheun ndër të tjera shkruan: “I dashuri Mëmëdhe/ Të dua edhe kështu si je/ Por kur të shoh të lirë/ Do të të dua më mirë/”. Mbase mu kështu e kanë dashur dhe e duan mëmëdheun të gjithë mërgimtarët shqiptarë anembanë botës e në veçanti mërgimtarët shqiptarë të Suedisë.

Për veprën e Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI Albani” me titull “Thesar kombëtar i mërgatës shqiptare në Suedi, 3” mund të flitet, shkruhet e studiohet edhe më tepër dhe më shumë, sepse kjo përveç se thesar kombëtar shqiptar, është edhe një monografi historike e të gjitha veprimtarive të shqiptarëve atje. Andaj këta shqiptarë të kësaj mërgate me siguri e donë mëmëdheun e tyre, Kosovën martire, tash “edhe më mirë”, edhe më shumë, edhe më ngrohtë!

E kanë dashur, e donë dhe do ta donë!

Edhe përgjithmonë, edhe përherë, edhe deri në pakufi ... !!!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat