Unë, shqiptari i serialit hollivudian “Boardwalk Empire”

Kultura

Unë, shqiptari i serialit hollivudian “Boardwalk Empire”

Më: 2 shtator 2014 Në ora: 08:41

Po, jam i biri i fshatarit, ai emigranti që vrapoja arave me plot ëndrra, që sot nuk më ndalon kush të përjetoj ëndrrat… Kështu mund të niste jeta ime si një film.

Episodit të fundit të serialit më të ndjekur në SHBA “Boardwalk Empire” i dhamë fund.. Ndihem shumë i privilegjuar që u bëra pjesë e këtij seriali gjigant, aq më tepër në sezonin e fundit të saj dhe në sekuencat e spotit publicitar që do të transmetohet në të gjitha platformat dixhitale të planetit. Ndërkohë që pjesë e këtij seriali ishte edhe një 12-vjeçar shqiptar i lindur në SHBA. Ai do të jetë ylli i ardhshëm i Hollywood-it. E kanë pagëzuar James Dean i ri, por emri i vërtetë është Jon Necaj, me baba tropojan dhe mama korçare. Që në këtë moshë ka fituar besimin e producentëve hollivudianë dhe në shesh-xhirim ishte fantastik, të përcillte me të vërtetë atë pamjen e fëmijëve të shkathët të viteve ‘30 (alla Gavroche) që bënin gjithçka për të nxjerrë bukën e gojës. Krenar që u njohëm dhe u bëmë shokë si shqiptar në një film kaq të madh “Boardwalk Empire”, Hollywood TV Series, episodi i fundit, Sezoni 5, HBO, ku vetëm episodi i fundit e kishte buxhetin 15 milionë $.

Të përjetosh gjithë atë prodhim skenik me një staf të palodhur kineastësh është një ëndërr që për hir të së vërtetës as që e kisha menduar ndonjëherë. Dikur isha ai djali i pafajshëm që brenda një shtëpie të hermetizuar shikoja vjedhurazi serialin e famshëm “Santa Barbara”, por pa e menduar se ato vende përrallore shesh-xhirimesh do t’i ndjeja nga afër. Por ja që jetës asnjëherë kurrë nuk i dihet (never say never). Të hysh brenda dhe të ndjekësh vetëm xhirimet e prodhimit hollivudian është një lotari, jo më të jesh pjesë e aktrimit dhe të ndjekësh udhëzimet e gjigantëve kineastë të filmit që është një përvojë që nuk ka të paguar. Çdo gjë funksionon si një sahat dore ku edhe për detajin më të vogël, që nga maja e flokut deri edhe te lidhëset e këpucëve, ka të punësuar që nuk u shpëton asgjë. Prandaj prodhimi i filmit hollivudian bën diferencën, sepse për çdo detaj të vogël ka punësuar me qindra punëtorë që brenda në ekran të shfaqet jeta reale e historisë. Mbase nuk jam ai aktori që flas e paguhem me miliona, por jam ai aktori që pa mua, protagonisti i filmit do të dukej si nusja pa dasmorë, i zhveshur, joreal. Të gjithë jemi të rëndësishëm në film. Sepse filmi nuk është një monolog në monodramë, por është një bashkëveprim kolektiv, kompleks, ku çdo aktor me karakterin e vet ka historinë e jetës së tij, prandaj ndihet i respektuar nga kushdo për punën që bën. Nuk ka sesi të mos ndihesh i privilegjuar të jesh pranë protagonistit të serialit, gjigantit hollivudian Stive Buscemi. Jo më të aktrosh pranë tij, të shkosh pas çdo lëvizje të tij dhe të ndjesh atë magjinë e aktrimit e tij. Nga producentët m’u besua karakteri i gangsterit të padëmshëm, që i bënte të gjitha, familjar, miqësor, vigjilent ndaj veprimeve mafioze, por asnjëherë keqdashës ndaj njerëzve të thjeshtë. Prandaj çdo aktor ka përkujdesjen më maksimale në shfaqjen e tij nga ana e stafit, përndryshe do të përkujdeseshin vetëm për aktorin kryesor dhe filmi do të ishte i dështuar. Skenat gjigante të episodit të fundit ishin ndërtuar mbi rërën e brigjeve të Nju Jorkut për të kujtuar ngjarjet e viteve ‘30 në Atlantic City. Një skenë që i ngjante një maketi ku ishin ndërtuar një brez ndërtesash e dyqanesh prej druri që kanë kushtuar rreth 4 milionë $ vetëm për dy javët e xhirimeve. Çdo gjë ishte punuar me kujdes për të ngjallur edhe një herë ngjarjet e kazinove të Atlantic City që asokohe ishte pushtuar nga grupet mafioze të drejtuara nga Al Capone. Mania pas parasë së pistë ishte bërë gjuetia e gjithë mafiozëve. Në karakterin tim, isha një gangster i ëmbël (slick gangster 1931), parimet e mia ishin harmoni e respekt në familje, i dashur me fëmijët, i shqetësuar në hallet e punëtorëve, miqësorë me vizitoret turiste, dhe i komunikueshëm e shoqëror me njerëzit…

Ndërsa për të tjerat, le të presim të shfaqet seriali se do të ketë shumë surpriza për qindra miliona fansa në të gjithë botën.

Menjëherë pas Boardwalk Empire nis një ofertë bashkëpunimi në filmin e ri të regjisorit të famshëm Steven Spielberg me protagonist Tom Hanks që flet për Luftën e Ftohtë me Bashkimin Sovjetik të viteve ‘50-‘60. Që në ditët e para një përvojë e veçantë të instruktimit tim në karakterin e ri të një agjenti amerikan në Luftën e Ftohtë të viteve ‘50-‘60 me Bashkimin Sovjetik, nga ku kam edhe pseudonimin “Jaka blu e metrosë”. Është mrekulli e pakrahasueshme të kesh regjisorin më të mirë të botës, Steven Spielberg, (Director) dhe protagonist të filmit Tom Hanks në një shesh-xhirimi në “Untidlet cold war thriller”, ku xhirimet nisin në mesin e shtatorit..

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat