Këtë javë hapet Sculp’edu 2014

Kultura

Këtë javë hapet Sculp’edu 2014

Më: 1 shtator 2014 Në ora: 11:22

Përgatitjet për edicionin e 3-të të festivalit Sculp’Edu, që kryesisht ka karakter edukativ dhe i dedikohet të rinjve dhe nxënësve, kanë hyrë në fazën finale. Sculp’Edu 2014 nis më 3 shtator dhe vazhdon deri më 7 shtator.

Të gjithë pjesëmarrësit në këtë ngjarje edukativo-kulturore përmes aktiviteteve të ndryshme do të kenë mundësinë që të njihen më për së afërmi fushat e artit që ata duan të zgjedhin, pastaj në lidhje me çështje të ndryshme sociale, siç janë barazia gjinore dhe etnike, të drejtat e njeriut, si dhe mbrojtja e mjedisit.

Në këtë edicion, mbrojtja e mjedisit do të ketë një fokus të veçantë.

Në Sculp’Edu, këtë edicion pritet që të marrin pjesë të rinj nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia, ndërsa aktivitetet e festivalit do të zhvillohen në Mullin-Marash të Prizrenit.

Qëllimi themelor i Sculp’Edu edhe këtë vit është nxitja e bashkëpunimit rajonal dhe ndërkombëtar në fushën e kulturës dhe sidomos në atë të skulpturës. Në këtë kuadër do të ketë sesione edukimi për fëmijët dhe të rinjtë për barazi gjinore, pastaj orientimin për zgjidhjen e drejtimit të artit për studime universitare dhe vetëdijesimi për ruajtjen e natyrës.

Ndërkaq promovimi i kulturës së qytetit të Prizrenit, pra arkitekturës së lashtë dhe traditave historike mbetet ndër motivimet themelore të angazhimit në Sculp’Edu, ku gërshetohet edhe bashkëpunimi mes artistëve vendor dhe të rajonit.

Duke pas parasysh faktin që sistemi edukativo-arsimor në Kosovë me gjithë përpjekjet për reformim ende ofron një qasje tradicionale, ku nxënësve e studentëve u mohohet shprehja e mendimit të lirë dhe iu kufizohet kreativiteti, sivjet Sculp’Edu sjellë debatin për mendimin kritik, pastaj punëtoritë e diskutimet për kaosin mjedisor në nivel vendi, ndikimin e artit publik në mbrojtjen e mjedisit, riciklimin dhe ripërdorimin e materialeve, artin me materiale ricikluese sikurse edhe bisedat me artistë të huaj.

Me këto aktivitete Sculp’Edu synon që të krijoj hapësirë për shprehje të talentit nga ana e të rinjve në artin e skulpturës, duke trajtuar edhe tema sociale, të zhvilloj kreativitetin te fëmijët e shkollave fillore përmes aktiviteteve të ndryshme, të rrisë vetëdijen për mbrojtje të mjedisit me anë të përdorimit të materialeve ricikluese, etj.

SculpFest është i pari dhe i vetmi festival i kësaj natyre në tërë Ballkan. Ky festival ndahet në tre departamente/festivale: Sculp’Ice, që mbahet zakonisht në shkurt, Sculp’Edu që mbahet në shtator dhe Sculp’Biennale që do të nis në 2016-ën dhe do të mbahet çdo dy vite.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat