Çmimi kryesor në Pragë për projekti filmik ‘Vera e ëndërron detin’

Kultura

Çmimi kryesor në Pragë për projekti filmik ‘Vera e ëndërron detin’

Më: 30 gusht 2014 Në ora: 23:15

‘Vera e ëndërron detin’ – projekti filmik i metrazhit të gjatë, me skenar të Doruntina Bashës dhe regji të Kaltrina Krasniqit, fiton çmimin e parë në programin për skenar nga Evropa Qendrore, Midpoint, si ‘Projekti më i mirë i filmit të gjatë.’ Çmimi përfshin një shumë monetare që ka për qëllim zhvillimin e mëtutjeshëm të projektit.

Projekti u prezantua më 29 gusht 2014, nga producentja dhe regjisorja Kaltrina Krasniqi dhe skenaristja Doruntina Basha, para panelit ndërkombëtar prej 14 anëtarëve, në Pragë të Republikës Çeke.

‘Vera e ëndërron detin’ u vlerësua si më i miri nga paneli vlerësues i përbërë nga përfaqësues kryesorë të industrisë së filmit në Evropë, si dhe Amerikë: Berlinale Talents, HBO Europe, Sundance Director’s Lab, Mediterranean Film Institute, EAVE etj.

Projekti është në fazën e zhvillimit të skenarit dhe planifikon të nisë preproduksionin në 2015.

Sipas fjalëve të skenaristes, Doruntina Basha, ‘skenari është rrëfim bashkëkohor kosovare, që eksploron marrëdhëniet shtypëse ndër-njerëzore.’

Regjisorja dhe producentja Kaltrina Krasniqi, shprehet: ‘ky çmim është jashtëzakonisht i rëndësishëm për projektin sepse i hap rrugë për bashkëpunim ndërkombëtar dhe e konfirmon potencialin e projektit.’

Më shumë detaje rreth këtij projekti do të zbulohen në muajt e ardhshëm.

Pjesëmarrja në Midpoint është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat