Përurohet pllaka përkujtimore e poetit Jakup Ceraja

Kultura

Përurohet pllaka përkujtimore e poetit Jakup Ceraja

Më: 26 gusht 2014 Në ora: 19:57

Me rastin e 80-vjetorit të lindjes dhe 13-vjetorit të vdekjes së poetit Jakup Ceraja, në fshatin e tij të lindjes, Cerajë, të komunës së Leposaviqit, është përuruar pllaka përkujtimore e këtij poeti dhe atdhetari. Nismën për ngritjen e pllakës përkujtimore e kishin ndërmarrë ditë më parë bashkëfshatarët dhe miqtë e tij të shumtë. Këtë nismë e ka mbështet financiarisht edhe Komuna e Mitrovicës, qytet ky ku poeti e kaloi pjesën më të madhe të jetës së tij, duke punuar e vepruar.

Në ceremoni ishte i pranishëm nënkryetari i komunës, Safet Kamberi, veprimtari i çështjes kombëtare, Adem Demaqi, Flora Brovina, nga Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës, veprimtari i çështjes kombëtare, Don Lush Gjergji, si poet, profesorë, miq e bashkëpunëtorë të poetit, si dhe bashkëfshatarët e poetit dhe qytetarë të shumtë nga Mitrovica e më gjerë. .

Duke mbajtur fjalën e rastit në emër të organizatorëve dhe fshatarëve të Cerajës, Jusuf Haliti, bashkëfshatarë e bashkëmoshatar i poetit Ceraja, tha se cerajasit janë sot më krenarë se kurrë për poetin Jakup Ceraja, i cili fshatin e tij të lindjes, duke e ndërrua mbiemrin nga Idrizi në Ceraja, e bëri të njohur në tërë gjeografinë shqiptare dhe përtej saj.

“Kjo që ne po bëjmë sot për Jakupin tonë të dahsue nuk është asgjë në krahasim em atë që bëri Jakupi për ne, për fshatin, Kosovën e më gjerë. Sidoqoftë, tani e tutje pllaka përkujtimore e poetit Jakup Ceraja do të qëndroj këtu dhe do të na frymëzoj neve që të ndjekim rrugine Jakupit, e ajo ishte rruga e lirisë, rruga e Pavarësisë, rruga e shkollimit dhe edukimit, rruga krijimit të vlerave të mirëfillta kulturore dhe letrare, ashtu sikur që bëri ai vet”, tha ndër të tjera Haliti.

Edhe folësit tjerë thanë se Jakup Ceraja kishte shpirt krijues dhe vepra e tij ka vlera të larta dhe të përjetshme, që shërbejnë si inspirim për brezat e rijnë. Flora Brovina, nga Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës tha se shkrimtari Jakup Ceraja me veprat e tij ka dëshmuar se është një ndër autorët më të mirë në vend. Sipas saj, ai ka lënë gjurmë të pashlyeshme në artin e të shkruarit dhe për këtë të gjithë mitrovicasit duhet të ndihen krenarë për autorin Ceraja. Ajo theksoi se figura e tij meriton nderimin dhe respektin më të lartë nga gjithë.

Për punën dhe veprën e tij ka folur edhe Drejtori i Bibliotekës së qytetit ”Latif Berisha”, Miftar Kurti, i cili theksoi se veprat e shkrimtarit Ceraja janë ndër më të kërkuarat në bibliotekën e qytetit. Sipas tij, poeti Ceraja në jetën e tij plotë me sfida, vendlindjes i ka kënduar me mall e dashuri, i ka kënduar me përkushtim dhe zjarr. “Në poezinë e Cerajës vendlindja nuk është diçka abstrakte, ajo është diçka konkrete. Është e dukshme, e prekshme. Është një gur mbi varr, është një cicërimë zogu, një blegërimë deleje, një fyell ndër male, një lojë me koza, një kokërr gruri a misri”, tha ai.

Sipas Miftarit, nga vargjet e poezisë së Cerajës rrjedh mesazhi se edhe në këto anë ka jehuar dhe duhet të jehoj kënga dhe vallja. “Nuk harrohen, nuk do të harrohen këto kreshta, këto vise, është mesazhi i poetit, sepse këtu u derdh djersa dhe gjaku, se këtu u punua e po punohet me përkushtim e me shpirt”, tha ai.

Veprimtari Don Lush Gjergji, vlerësoi lartë figurën dhe veprën e poetit Jakup Ceraja. Ai madje tha se ka lënë disa takime shumë të rëndësishme në Prishtinë për të marrë pjesë në këtë përurim të pllakës përkujtimore të poetit Jakup Ceraja, të cilin siç tha, e çmon dhe respekton shumë.

“Dikur moti më erdhi një zarf nga Mitrovica dhe kur e hapa vërejta një vjershë kushtuar Nënës Tereze shkruar nga poeti Jakup Ceraja. Ishte poeti i parë këtu ndër ne në Kosovë që kishte shkruar një pezi për Nënën Tereze. Ai ka shkruar me përkushtim dhe në shkrimet e tija ka vetëm vlera të mirëfillta. Tani kur erdha për herë të parë këtu në fshatin e Jakupit, kuptova pse shkrimet dhe poezitë e tij ishin me aq domethënie e kuptim dhe kishin kaq shumë vlerë”, tha Don Lush Gjegji ndër të tjera.

Për poetin Jakup Ceraja foli edhe profesor Emin Kabashi. Ai bëri apel që të vazhdohet me botimin e veprave në dorëshkrim të poetit Ceraja dhe që ato të mos humbin. Vajza e poetit Jakup Ceraja, falënderoi të pranishmit për pjesëmarrje në këtë ceremoni të përurimit të pllakës përkujtimore të babait të saj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat