Herkuli rikthehet sërish në kinema

Kultura

Herkuli rikthehet sërish në kinema

Më: 23 gusht 2014 Në ora: 16:23

Dwayne Johnson, apo “Shkëmbi” siç i thonë ndryshe, është ylli i “Herkulit”, filmi më i fundit i kushtuar heroit mitik grek.

Për legjendën e mundjes të kthyer në aktor, kjo shënoi dhe përpjekjen më të fundit për protagonizëm, pas mjaft rolesh tepër të vlerësuara, por përgjithësisht dytësore.

Ka pasur reagime të ndryshme ndaj trajtimit të ri, disi ndryshe, të gjysmë-zotit grek, por dy të tretat e kritikëve në sajtin “Rotten Tomatoes” i dhanë një vlerësim pozitiv.

Herkuli me 12 bëmat e tij legjendare shfaqet akoma më luftarak e i sofistikuar në betejë, ndërsa rrethohet edhe nga 6 shpirtra të ngjashëm, me të cilët duhet të stërvisë një ushtri po aq të pamëshirshme e të etur për gjak, sa ç’e ka reputacionin...

Ky krijim i ri i tipit shpata-sandale të lashta e shumë aksion, duket se i vjen për shtat publikut e vetëm gjatë javës së parë të shfaqjes në kinematë amerikane ka grumbulluar 20 milionë dollarë, ndërsa llogarit edhe 28 milionë të tjerë nëpër botë, që pas premierës më 23 Korrik.

Një muaj nga pushtimi i ekranit të madh në Amerikë, Herkuli pritet të mësyjë po me kaq sukses edhe tregun europian. Vet Johnson, nga ana tjetër, po shijon suksesin personal edhe në planin financiar. Revista “Forbes” këtë vit e listoi si aktorin e dytë më të paguar, pas Robert Downey Junior, për të cilin vet 42-vjeçari thotë me shaka se vazhdon ta mundë në renditje, por vitin që vjen do t’ia marrë stafetën.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat