“Tri dritare dhe një varje” mirëpritet në Sarajevë

Kultura

“Tri dritare dhe një varje” mirëpritet në Sarajevë

Më: 20 gusht 2014 Në ora: 11:08

Filmi nga Kosova “Tri dritare dhe një varje”, i regjisorit Isa Qosja është shfaqur mbrëmë premierë botërore në kuadër të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Sarajevë.

Ky projekt kinematografik me skenar të Zymber Kelmendit dhe regji të Isa Qosjes, është mirëpritur nga publiku boshnjak edhe për faktin se trajton një dhimbje të luftës me të cilën krahas popullit të Kosovës është përballur edhe popullata boshnjake si pasojë e agresionit dhe të gjenocidit të shkaktuar nga regjimi serb.

Filmi paraqet dhimbjen e një gruaje të dhunuar gjatë luftës së fundit në Kosovë, që vendosë të thyej heshtjen, por që e përcjellin më pas problemet me njerëzit të cilët e rrethojnë.

Pas premierës Vjosa Berisha është ndarë e kënaqur me vlerësimin e publikut.“U kry bac! – Urime ekuipazhit të filmit ishte një sukses i madh duke gjykuar nga publiku ... “ ka shkruar Vjosa Berisha në Twitter, pas shfaqjes së premierës së filmit.
Para premierës Berisha ka postuar një foto ku shihet kolona e gjatë e të interesuarve për ta parë prodhimin kinematografik nga Kosova.

“Ky rresht i gjatë duke pritur për të parë sonte premierën botërore "Tri dritare dhe një varje" Jam lumtur që po e përjetojë këtë!” ka theksuar Berisha.

Filmi “Tri dritare dhe një varje”, është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës. Në këtë projekt luajnë aktorët Irena Cahani, Luan Jaha, Aurita Agushi dhe Leonora Mehmetaj.

Ekipin nga Kosova e ka uruar edhe drejtori i Qendrës Kinematografike të Kosovës, Arben Zharku.

Agjencia e lajmeve “Reuters” në një shkrim të publikuar ditë më parë ka vlerësuar se filmi “Tri dritare dhe një varje” është pretendent për ta fituar çmimin e parë në festivalin ndërkombëtar të filmit në Sarajevë.

Kjo agjenci e rëndit filmin nga Kosova në mesin e nëntë filmave që janë pretendentë për çmimin kryesor “Zemra e Sarajevës”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat