Violinisti: André Rieu, mbreti i valsit dhe i zemrave të publikut

Kultura

Violinisti: André Rieu, mbreti i valsit dhe i zemrave të publikut

Më: 30 korrik 2014 Në ora: 23:03

Brenda stadiumit Hallen në Zyrih, André Rieu po lëkundet para dhe mbrapa në dhomën e veshjes. Sendet që ndodhen në këtë dhomë udhëtojnë kudo me të. Kështu, Rieu, 64 vjeç mund të kthehet gjithnjë në një mjedis familjar. Pavarësisht kësaj, ai është nervoz rreth performancës së ardhshme. Ai mbështetet nga 50 muzikantë me eksperiencë, por e di se të gjithë sytë, janë përgjithësisht mbi të.

Rieu nuk është ai lloj njeriu që i shmang rreziqet. Ai ndërmerr ture që e çojnë në stadiumet më të mëdha në botë. Kudo që shkon, një riprodhim i kështjellës vjeneze të Schonbrunn, një herë e një kohë pallati i perandoreshës Sisi, e ndjek pas. Fasada e kështjellës është rreth 3000 metra katrorë. Qindra projektues skene duhet të punojnë pa pushim për pesë ditë që ta ndërtojnë. Është podiumi udhëtues më i madh. Po ashtu, Rieu mban 600 tonë material me vete, 200 tonë më shumë se “Rolling Stones”, që i vendos në 80 kontejnerë.

Muzikanti holandez është përgjegjës për rreth 500 njerëz, përfshirë orkestrën e tij, Johann Strauss, dhe Baletin Shtetëror të Vjenës, që udhëton me të. “Njerëzit mendojnë se unë jam çmendur”, thotë Rieu. “Një skenë e tillë më kushton miliona dhe më duhet të porosis dy, ndryshe do kem probleme gjatë performancës. Të gjitha paratë që kam kursye shkojnë për turet, por mua më pëlqejnë”.

“André ka një nuhatje të shkëlqyer për biznes”, thotë një partner në firmën ligjore ndërkombëtare dhe ish-këshilltar i Rieu. “Ai e sheh botën e muzikës klasike si shumë elitare; ai do t’ua kthejë muzikën njerëzve. Jo në shfaqje të kota, por në shou madhështorë që të marrin frymën, me fustane përrallore dhe me kështjella. Vetë Rieu jeton në një kështjellë mesjetare në qytetin holandez të Maastricht. Ai zotëron një koleksion impresiv instrumentesh për orkestrën e tij. Ai i bie një Stradivariusi 276-vjeçar që vlen disa milionë. Askush nuk e beson se ai i bie një violine kaq të çmuar. Por Rieu nuk preket nga kritikat.

“Është e thjeshtë. Unë luaj muzikën që dua”, thotë ai. “Po, jam i privilegjuar që luaj një Stradivarius, sepse ka një tingull unik dhe të bukur. Ai e ndërtoi violinën time të mëparshme në vitin 1667, kur ishte i ri dhe shumë i dashuruar. Mund ta dëgjosh. Tani kam një të ndërtuar në vitin 1732. Një vajzë e vogël koreane e ka atë nën pronësi, sepse ishte në fakt pak e vogël për mua”.

Në vitin 1987 maestro ende luante si violinë e dytë në orkestrën e vogël simfonike të Limburgut, të dirigjuar nga i ati. I riu Rieu e urrente të ulej në pjesën e pasme dhe të mos vihej re. Ndaj ai filloi Salon orkestrën e tij dhe luante muzikë për të moshuarit në azile, bashkë me tre shokë. Për shkak të mikpritjes nga të moshuarit, besimi i Rieut u rrit dhe në vitin 1992, ai firmosi marrëveshjen e tij të parë të regjistrimit. “Përpara kësaj, më thoshin shpesh se duhej të kthehesha në shtëpi e të luaja për gjyshen”.

Albumi i dytë, që e publikoi dy vjet më pas, i dha Rieut famën dhe e vuri në majë në klasifikimit të Top 100 për një vit të tërë. Pasi Holanda iu dorëzua muzikës së tij, e gjithë bota e pasoi. Albumet e tij blihen kudo, nga Zelanda e Re në Japoni, me miliona disqe të shitura.

Audienca është një tjetër pikë e fortë e shfaqjeve të André Rieu. Ai di ta gëzojë publikun, shakatë e tij shkaktojnë të qeshura ndërsa muzika e tij i dhuron duartrokitje të gjata. “Zviceranët janë shumë të përmbajtur. Çdo audiencë është ndryshe. Në Shtetet e Bashkuara njerëzit janë të uritur për kulturë. Amerikanët udhëtojnë 3000 kilometra për të parë koncertin tim. Por pavarësisht se për çfarë audience performon, kur ne çlirojmë tullumbacet, të gjithë çmenden”, rrëfen Rieu.

Pastaj ai shton ëndërrueshëm “nëse një ditë do të bëhesha Kryeministër i Holandës, gjëja e parë që do të bëja do ishte t’u ktheja holandezëve kënaqësinë e punës. Të gjithë jemi çoroditur nga ideja se puna është diçka e tmerrshme. Për mua, pas gruas, fëmijëve dhe seksit, puna është pjesa më e rëndësishme e jetës”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat