“Darka e gabuar” përkthehet në polonisht

Kultura

“Darka e gabuar” përkthehet në polonisht

Më: 28 korrik 2014 Në ora: 15:46

Ndonëse i bazuar mbi një ngjarje të vërtetë, që ka trazuar vite më parë një qytet të tërë, dhe ndonëse i hetuar për një kohë tepër të gjatë, herë haptas e më së shumti, në fshehtësi, e vërteta e darkës ka mbetur ende sot e pashpjeguar plotësisht

Romani “Darka e gabuar” e Ismail Kadaresë shkon në gjuhën polake. Përkthyesja e njohur e shqipes në këtë vend, Dorota Horodyska bën të njohur për botën letrare polake një tjetër roman të shkrimtarit shqiptar, ndonëse në këto vite duket se kriza e ka rrudhur përkthimet në këtë gjuhë. Lajmin e bën të ditur shtëpia botuese ekskluzive e shkrimtarit, “Onufri”, ndërsa del versioni origjinal i titullit: Kolacji dla ëroga – Darka për armikun (“Darka e gabuar”).

Darka e gabuar eshtë shkruar në Malin e Robit (Durrës), Lugano të Zvicrës dhe Paris gjatë verës dhe dimrit 2007-2008. Një darkë krejtësisht e pazakontë, me një mjedis mister, është subjekti i romanit të Kadaresë. Ndonëse i bazuar mbi një ngjarje të vërtetë, që ka trazuar vite më parë një qytet të tërë, dhe ndonëse i hetuar për një kohë tepër të gjatë, herë haptas e më së shumti, në fshehtësi, e vërteta e darkës ka mbetur ende sot e pashpjeguar plotësisht.

Personazhi kryesor, doktor Gurameto i madh, që pati studiuar në Gjermani, shtron një darkë për oficerët gjermanë që erdhën nga Greqia për të marrë nën kontroll Shqipërinë. Njerëzia ngatërron tingujt e muzikës gjermane me të shtënat e mitralozëve. Doktor Gurametoja i madh, nuk do të jetë kurrë në gjendje të sqarojë arsyet e darkës. Ai kthehet në hero për disa e në armik për disa të tjerë.

“Darka e gabuar” lidh dy njerëz dhe dy kohë historike. Më një anë doktor Gurameton dhe komandantin e divizionit gjerman, koloneli Fritz von Schwabe, mbajtës i Kruqit të Kuq, në anë tjetër “Shqipërinë gjermanike” me atë komuniste. Kalimi “miqësor” i gjermanëve nazitë në qytetin e jugut lidhet me darkën në fjalë që patën dy miqtë e vjetër të shkollës, dhe që u bë e “gabuar” sepse fatalisht përcaktoi kthesën në jetën e personazhit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat