Lakmia shkatërron gjithçka, këshillë nga një supermashtrues

Kultura

Lakmia shkatërron gjithçka, këshillë nga një supermashtrues

Më: 21 korrik 2014 Në ora: 14:09

Mbi romanin “Ujku i Wall Street-it”, botuar në shqip nga “Onufri”

Në fund të viteve ’80, një i ri 26 vjeçar filloi punë si agjent burse në Manhatan, në zemrën financiare të Amerikës. Ai quhej Jordan Belfort. Mendjen e kishte plot ambicie, ndërsa xhepat, të zbrazur. Brenda 10 vitesh, Jordan do të bëhej një ndër njerëzit më të pasur në Amerikë. Sidoqoftë, në fund të këtyre 10 viteve, ai do të përfundonte në një burg federal për mashtrime të rënda financiare.

Pasi bëri rreth 2 vjet burg, Jordan doli, siç shprehet vetë, “si njeri i ndryshuar”. Me këtë rast, shkroi një libër autobiografik me titull “Ujku i Wall Street-it”. Shumë shpejt, libri i tij u bë ndër më të shiturit në Amerikë. Kjo nxiti regjisorin e famshëm Martin Scorsese që librin ta shndërronte në një film, ku rolin e Jordan-it e luajti aktori i shquar Leonardo di Caprio. Filmi pati fitime kolosale, duke kapur shifrën 400 milionë dollarë.

Tashmë, libri “Ujku i Wall Street-it” ka ardhur edhe në gjuhën shqipe. Kur David Hudhri, botues i “Onufrit”, pati idenë e botimit të këtij libri të bujshëm në shqip, nuk hezitova të pranoja ftesën që ta përktheja. Arsyeja është e thjeshtë: libri ka një përmbajtje shpërthyese dhe ka shumëçka për t’i lënë përshtypje lexuesit shqiptar.

Libri synohet si autobiografi. Jordan Belfort rrëfen jetën e vet që nga çasti që i hyri rrugës së pasurimit (kur ishte 26 vjeç), e deri në çastin e arrestimit nga FBI-ja rreth 10 vjet më vonë.

Thelbi i librit është i qartë: autori synon të rrëfejë ngritjen dhe rënien e vet si ikonë e sipërmarrjes amerikane në vitet ’90. Këtë nuk e bën për t’u mburrur. Në fund të fundit, ai përfundoi në një burg federal, pasi iu kuptua skema mashtruese si pronar i një firme komisionere që mashtronte klientët duke i detyruar të blinin aksione të pavlera.

Po pse e shkroi autori këtë jetëshkrim? Në mënyrë që, siç rrëfen ai, t’u shërbejë njerëzve si paralajmërim për “të pasurit dhe të varfrit bashkë;… kujtdo që po mendon të marrë dhuntinë që i ka dhënë Zoti dhe ta keqpërdorë…. Si dhe kujtdo që mendon se të qenit i njohur si ‘Ujku i Wall Street’ përmban qoftë dhe një grimë joshjeje”.

Jordan ishte një djalë jashtëzakonisht inteligjent, i fokusuar te suksesi dhe pasurimi. 26 vjeç, fillon punë në një firmë komisionere, LF Rothschild, ku e nis nga zeroja. Nga “llum bataku” (siç e quan mbikëqyrësi i tij në firmë), ai ngrihet gjithnjë e më tepër nga ana ekonomike dhe shoqërore. Inteligjenca e tij e veçantë, si dhe aftësia bindëse si folës, e bëjnë që të ngrejë shkallët e karrierës. Më në fund, arrin të hapë firmën e vet komisionere, Stratton Oakmont, diku jashtë Wall Street-it.

Këtu fillon dhe ngritja si raketë në botën e biznesit për Jordan-in. Pasuria që bën ai është përrallore. Nami që fiton në botën e bursës është i jashtëzakonshëm, aq sa miqtë (më pas, dhe armiqtë) e quajnë “Mbreti”, madje dhe “Ujku i Wall Street-it”. “Ujku” është i pamëshirshëm; ai jo vetëm mbijeton në xhunglën e bursës amerikane, por edhe pasurohet. Klientët i mashtron, shtetin e shmang, ndërsa veten e pasuron.

Gjithsesi, në këtë proces pasurimi dhe afirmimi, Jordan fiton gjithë botën, por humbet shpirtin e vet. Ai ndahet nga gruaja e parë, Denise, dhe martohet me një modele, Nadine. Ajo i lind dy fëmijë, një djalë dhe një vajzë.

Martesa e tij është plot me probleme. Ai neglizhon Nadine-n dhe fëmijët, ndonëse, thellë-thellë, i do. Shkon me prostituta që kushtojnë dhjetëra mijë dollarë nata, bëhet i varur nga droga (aq sa nuk funksionon më dot pa të), shfrytëzon çdo njeri që njeh (madje dhe familjarët e vet) për të mashtruar shtetin, dhe bën pastrim parash në Zvicër.

Jordan-i s’është aspak krenar për veten, por lakmia për pasuri dhe sukses e vënë përposh në mënyrë të pakthyeshme. Ai pothuajse vdes nga vesi i vet i drogës. Një moment, fundos dhe jahtin e vet disa milion dollarësh në një stuhi në Itali, thjesht nga arroganca e vet. Në fund, FBI-ja dhe Zyra e Prokurorit amerikan arrijnë ta mbërthejnë dhe ta fusin në burg.

Mesazhi

Në veçanti, mua si përkthyes, ky libër më shtrëngoi që të reflektoja për dy tipare të veçanta të tij.

Së pari, stili i shkrimit është i jashtëzakonshëm. Jordan-i, autori, e bën lexuesin të shtanget, të tmerrohet, të qeshë, të qajë, të dashurojë dhe të urrejë bashkë me autorin. Madje, shpeshherë, lexuesi arrin të dojë dhe të urrejë vetë autorin.

Megjithëse roman i gjatë, Jordan-i s’e lë lexuesin të humbasë interesin për asnjë moment. Stili i lexueshëm, dialogët e shpejtë, përshkrimet qesharake dhe interesante, madje dhe komike të personazheve të ndryshëm, s’të lënë ta ulësh librin për asnjë grimë. Përveç kësaj, Jordan-i fut në libër edhe anën e dhimbshme dhe të tmerrshme të jetës. Komikja dhe tragjikja kombinohen për të na dhënë një realizëm që të mban të mbërthyer pas faqeve të librit.

Së dyti, mbresa më e madhe që të lë ky libër është vlera aktuale që ka për lexuesin shqiptar, ndonëse i shkruar nga një njeri që është produkt i Amerikës, një botë shumë e largët për shumëkënd prej nesh.

Ku qëndron kjo vlerë aktuale? Jordan-i ka një fjalë të vetme për këtë: lakmia. Që të mos keqkuptohemi në këtë pikë, Jordani s’bën moralizëm në libër. Nuk flet si një njeri i penduar, që tani u jep leksione të tjerëve sesi të sillen. Kjo do të ishte hipokrizi. Jo, ai flet me gjuhën e atëhershme, me fjalët dhe mendimet lapërdhare të një njeriu të papenduar, derisa ra në duart e drejtësisë amerikane.

Gjithsesi, mësimi është i qartë. Lakmia shkatërron gjithçka: familjen, lidhjet shoqërore dhe vetveten. Në Shqipëri, si në çdo vend tjetër, njerëzit ndahen në dy grupe: ata që janë të pasur, dhe ata që duan të bëhen të pasur. Por të gjithë jemi të vetëdijshëm se Shqipëria ka një veçanti nga shumë vende perëndimore: këtu është më e lehtë që të mashtrosh shtetin, të mos paguash taksat, të merresh me pastrim parash, drogë, etj, dhe të bësh shumë para dhe shpejt. Ligji e ka të vështirë të kapë fajtorët.

Kjo ngjiz, pjell dhe edukon një klimë lakmie, ku njeriu, i papenguar nga ligji, pasurohet si të mundet dhe lakmon këdo që pasurohet. Madje dhe shoqëria jonë, shpesh, na jep një moral aspak moral, sipas të cilit “budallai është i ndershëm” dhe “po të isha dhe unë në krye, do të vidhja njësoj si filani”. Kjo e bën edhe më të përligjur dëshirën për pasuri përtej çdo morali njerëzor dhe ligjor. Jordan-i ka një mesazh për ne: pasuria është gjë e mirë, por nëse njeriu shkel moralin e shoqërisë dhe rregullat e shtetit, mund të fitojë gjithçka materiale, por, në fund, do të humbasë vetveten. Çfarë u mësojmë fëmijëve tanë, nëse sillemi si Jordan-i i bursës amerikane? Çfarë brezash të ardhshëm do të ngremë në shoqërinë shqiptare nëse u mësojmë (me sjellje, në mos me fjalë) se rëndësi ka pasuria, jo vlerat njerëzore? Këto dy pyetje marrin përgjigje aktuale, të drejtpërdrejta, dhe të pasheqerosura nga ky libër i jashtëzakonshëm i një supermashtruesi të bursës, i cili e kuptoi në kurriz të vet çmimin e lakmisë dhe imoralitetit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat