Databaza e Trashëgimisë Kulturore, një dritare e re e Kosovës

Kultura

Databaza e Trashëgimisë Kulturore, një dritare e re e Kosovës

Më: 15 korrik 2014 Në ora: 20:13

Kosova nga sot është bërë me databazë të trashëgimisë kulturore, e cila mund të vizitohet edhe në internet përmes faqes www.trashegimia.org. Në të prezantohen asete të trashëgimisë arkitekturore, arkeologjike dhe të trashëgimisë së luajtshme të Kosovës. Faqja për publikun, www.trashegimia.org u lëshua sot në një ceremoni zyrtare në Muzeun e Kosovës.

Në ceremoni ka marrë pjesë edhe Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi, Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Ian Cliff, përfaqësues të ambasadave tjera, organizatave e ndërkombëtare dhe të institucioneve qendrore e lokale të trashëgimisë kulturore.

Ministri Krasniqi theksoi se ky projekt i lansimit të databazës, është një mundësi tjetër për prezantimin e Kosovës për publikun brenda dhe jashtë vendit.

“Nga sot ne po hapim një dritare të re që bota ta njoh me mirë Kosovën, ashtu siç edhe është. Databaza e trashëgimisë kulturore, që po hapet sot për publikun, përveç një mundësi informimi për monumentet tona historike, kulturore e fetare, për traditat, zakonet, zejet, veshjet, e shumë gjëra të tjera, është edhe një mundësi më shumë që qytetarë nga mbarë bota ta njohin më mirë trashëgiminë tonë kulturore dhe të vizitojnë këto monumente”, ka thënë ai, teksa ka falënderuar Ambasadën e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë për mbështetjen financiare si dhe organizatën Trashëgimia Kulturore pa Kufij për implementimin e projektit.

Ai gjithashtu ka thënë se ky është vetëm fillimi dhe se kjo databazë do të pasurohet dhe promovohet edhe më shumë.

“Kjo databazë nuk është më veç e institucioneve, është e të gjithë qytetarëve, pasi edhe ata përmes zbulimeve të tyre, përmes promovimit mund ta ndihmojnë shumë që trashëgimia jonë kulturore si një vlerë unike të njihet nga e gjithë bota”, tha ministri.

Databaza është një projekt i rëndësishëm që shërben edhe më shumë në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore dhe është një pasuri shtesë e jona, ka vlerësuar ministri.

Ndërkaq ambasadori Cliff, është shprehur se Kosova ka trashëgimi të pasur kulturore. “Ka një përzierje të objekteve të ndryshme historike të të gjitha feve, dhe kjo databazë është një dritare publike e asaj se çfarë Kosova ka të ofrojë.

“Mbështetja e këtij projekti, është që Kosova të ketë një mjet që të menaxhojë trashëgiminë e saj kulturore. I përket ministrisë dhe çdokujt që është i interesuar për trashëgiminë kulturore në Kosovë që ta bëjë të dobishëm këtë mjet”, tha ai.

Në faqen online për publikun janë të prezantuara 265 asete të trashëgimisë kulturore, prej të cilave 185 arkitekturore, 52 arkeologjike dhe 30 te luajtshme. Në të monumentet paraqiten të ndara edhe sipas rajoneve në Kosovë. Faqja është në 3 gjuhë, shqip, anglisht dhe serbisht.

Ky projekt është mbështetur nga Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë dhe është implementuar nga CHWB-ja dhe MKRS-ja.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat