Kosova fiton të drejtën e propozimit të filmave për OSCAR

Kultura

Kosova fiton të drejtën e propozimit të filmave për OSCAR

Më: 11 korrik 2014 Në ora: 15:23

Kosova fiton të drejtën e propozimit të filmave për OSCAR Academy of Motion Picture Arts and Sciences, që ndanë çmimet OSCAR, e ka njoftuar Qendrën Kinematografike të Kosovës se nga ky vit ka të drejtë të propozojë një film për konsiderim për çmimin OSCAR në kategorinë e filmit të huaj. Ky njoftim erdhi pas aplikimit të QKK-së të bërë këtë vit dhe pas përmbushjes së kritereve të akademisë dhe lobimit ndërkombëtar. Të drejtën për t’u nominuar nga Kosova e kanë të gjithë filmat e metrazhit të gjatë të cilët janë shfaqur në kinematë e Kosovës për shtatë ditë rresht nga data 1 tetor 2013 deri me 30 shtator 2014. Kosova, sikur edhe shtetet tjera, ka të drejtë të nominojë vetëm një film. Nominimin do t’a bëjë një grup prej 7 selektorësh nga Kosova të cilët do të konfirmohen nga QKK në ditët në vazhdim.

“Ky është një lajm shumë i mirë për filmbërësit Kosovar, një mundësi e shkëlqyer për karrierën e tyre dhe një afirmim i lartë për Kosovën dhe industrinë e filmit” tha drejtori i QKK-së Arben Zharku.

Ministri në largim i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi ka përgëzuar gjithë filmbërësit në Kosovë për këtë të arritur. “Ky është një tjetër hap që Kosova po e bën për prezantim në skenën kulturore të botës. Kjo është një mundësi shumë e mirë për prezantimin e kinematografisë kosovare”, tha ministri Krasniqi.

QKK dhe MKRS falënderojnë anëtarët e bordit të AMPAS, si dhe gjithë njerëzit dhe institucionet që kanë kontribuar në këtë proces.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat