Mitrovica me edicionin e parë të festivalit të filmave “Bridge Film Fest”

Kultura

Mitrovica me edicionin e parë të festivalit të filmave “Bridge Film Fest”

Më: 10 korrik 2014 Në ora: 15:40

Është hapur konkursi për pranimin e filmave të edicionit të parë të Festivalit të filmit “Bridge Film Fest“, i cili do të mbahet në Mitrovicë në muajin shtator.

Nerimane Ferizi, organizatore e këtij edicioni, theksoi se ky edicion mirëpret filmat nga e gjitha bota. Ajo theksoi se tashmë përgatitjet kanë filluar dhe beson se deri me 19 shtator, kur do të behët hapja e këtij festivali, gjithçka do të jetë gati. Ajo potencoi se filmat do të shfaqen në Qendrën Kulturës “ Rexhep Mitrovica”, në ambientin e hapur, por janë duke menduar që një film të shfaqet edhe mbi “Urën e Ibrit”

“Është edicioni i parë i këtij festivali dhe ne që nga sot i mirëpresim filmat që do të aplikojnë në këtë edicion. Prandaj sot do të bëhet edhe lansimi i vebfaqes së “Bridge Film Fest”, ku do të ketë njoftime për të gjitha ecuritë e festivalit”, tha ajo.

Ben Apolloni, njëri nga organizatorët, theksoi se është e rëndësishme që në këtë edicion do të flitet për gjuhën e bashkëpunimit në mes popujve dhe jo në gjuhën e ndasisë. Ai theksoi se në këtë edicion filmat që trajtojnë temat për urrejtje ndëretnike do të diskualifikohen. “Me këtë festival ne dëshirojmë të flasim për tolerancën në mes njerëzve, për bashkëpunimin në mes tyre, prandaj që nga sot është hapur konkursi për edicionin e parë të “Bridge Film Fest”, tha ai.

Festivali do të mbështetet nga Ministria e Kulturës, qendra e Kulturës “Rexhep Mitrovica”, buzë Ibrit dhe nga Komuna e Mitrovicës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat