Krasniqi takoi drejtorin e ri të Bibliotekës, Bedri Zyberaj

Kultura

Krasniqi takoi drejtorin e ri të Bibliotekës, Bedri Zyberaj

Më: 10 korrik 2014 Në ora: 15:08

Ministri në largim i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi ka pritur sot në një takim njohës drejtorin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, Bedri Zyberaj, me të cilin kanë diskutuar për organizimin dhe mbarëvajtjen e punës së BKK-së.

Duke i uruar për detyrën, Krasniqi i ka ofruar mbështetjen e plotë drejtorit Zyberaj në mënyrë që BKK-ja të ketë menaxhim sa më efikas, dhe përmes punës së saj, të sensibilizohet lexuesi dhe të rritet dëshira për librin. Ai ka përgëzuar menaxhmentin për punën e deritashme që është bërë në BKK.

“MKRS-ja garanton se do të jetë gjithnjë në përkrahje të menaxhmentit Bibliotekës Kombëtare ‘Pjetër Bogdani’, duke qenë lehtësues në mbarëvajtjen dhe krijimin e kushteve më të mira për punë”, tha ministri.

Ministri, po ashtu, u shpreh se procesi i zhvillimit të mëtejmë të BKK-së duhet të jetë me trendet botërore dhe të ofrohet sa më shumë me lexuesin dhe publikun.

Ndërkaq, drejtori i BKK-së, Bedri Zyberaj, ka falënderuar ministrin për mbështetjen e vazhdueshme që ka ofruar për bibliotekën. Ai e informoi ministrin për punën që është bërë deri më tani në BKK dhe për planet që ka ai në të ardhmen për ta dërguar bibliotekën dhe librin sa më afër lexuesit.

Gjithashtu, Zyberaj tha se do të thellojë dhe shtojë bashkëpunimin me institucione bibliotekare.

MKRS-ja në programin e saj ka përkrahjen e botimit të librit, blerjen dhe shpërndarjen e tij nëpër bibliotekat komunale.

Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani” është ndarë vitin e kaluar nga ajo Universitare me nënshkrimin e memorandumit e cila në bazë të Ligjit për Bibliotekat është institucion i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat