Çfarë zgjedhim të lexojmë gjatë stinës së verës

Kultura

Çfarë zgjedhim të lexojmë gjatë stinës së verës

Më: 9 korrik 2014 Në ora: 00:58

Një libër nën çadër! Në fund të fundit, edhe libri ka stinë. E çfarë më mirë se sa një libër, mund të të freskojë trurin në mes të vapës pranë detit?

Kryesisht libra argëtues, që s’kërkojnë shumë përqendrim, por që, nga ana tjetër, edhe të të përfshijnë me subjektin e tyre, janë gjithmonë në kërkim gjatë stinës së nxehtë.

Sonila Krosi, koordinatore në një nga libraritë më të mëdha në kryeqytet, thotë se ka pasur raste kur familjarët kanë ardhur për të blerë libra, vetëm disa minuta para se të nisen për pushime. Zgjedhjet janë të ndryshme, në bazë të moshës, por edhe gjinisë.

“Në periudhën e verës, njerëzit interesohen më tepër për libra, të cilat janë të lehtë për t’u lexuar. Kryesisht ato që nuk janë të lodhshëm, apo le të themi në sensin që nuk duan shumë përqendrim”.

Zgjedhjen përgjithësisht e bëjnë gratë, edhe për pjesëtarët e tjerë të familjes, por kjo s’do të thotë që meshkujt nuk lexojnë. Ndërkohë që ato vet preferojnë tituj që lidhen me dashurinë, meshkujt preferojnë më shumë librat historikë dhe ato filozofikë. Ndërsa fëmijët janë klientë që mbizotërojnë, sepse përveç programit që u ka dhënë shkolla, edhe ata kërkojnë libra çlodhës.

“Zgjedhjet më të shumta janë kryesisht për enciklopedi, apo edhe për librin artistik që, ashtu sikurse edhe për të rriturit, edhe fëmijët duan të lexojnë diçka çlodhëse, duke qenë se është sezoni i verës, apo duan të jenë larg periudhës së shkollës, kur janë të detyruar të lexojnë me çdo kusht. Ndërsa tani e lexojnë thjesht për qejf librin, për t’u kënaqur më shumë”.

Nëse vjet, 3 nga librat më të tërhequr mbetën “50 hijet e Greit”, “E zhveshur para teje” “Hija e erës”, këtë vit, titujt që kanë pasur më shumë interes, janë librat më të rinj që kanë ardhur në librari.

“Ndër titujt e rinj që sugjerojmë për këtë verë janë “Keini dhe Abeli”, që është shumë i bukur dhe ia vlen ta lexosh, pasi ka diçka përtej asaj që mund të quhet thjesht një libër vere. Nuk mund ta diferencojmë nëse është për femra apo për meshkuj, pasi këtë diktojnë shitjet. Nga librat psikologjikë, “Të menduarit shpejt dhe të menduarit ngadalë”, ndërsa sa i përket romaneve psikologjike, “Telashe dashurie”, pasi ashtu si dhe “Keini dhe Abeli” kanë lidhje me tema sociale dhe janë më afër njerëzve”.

Ndërkohë, librat e letërsisë shqipe nuk janë të kërkuar, edhe pse - sipas specialistëve - ka shumë libra interesante. Megjithatë, pavarësisht preferencave, periudha e verës dhe veçanërisht e plazhit, të jep hapësira për të të zhytur në botën e librit, një botë me situata e emocione që fillojnë e mbarojnë nën hijen e çadrës tënde.

10 librat e verës më të shitur në botë

Asgjë s’mund ta plotësojë stinën e verës, më shumë se një libër i mirë. Edhe në momentin kur je duke marrë rreze dielli në një plazh ekzotik, apo duke pritur në stacionin e autobusit për t’u kthyer në shtëpi, një libër i mirë shijon gjithmonë.

Dhe, në përzgjedhjen e një libri, që duhet të jetë gjithmonë i pranishëm në çantën tuaj të plazhit, preferencat nuk njohin kufij. Ai mund të jetë një romancë e bukur dashurie, “fiction”, apo libër ku personazhi kryesor heton mbi një krim dhe në fund triumfon gjithmonë e vërteta.

Por, cilët janë 10 librat, që qëndrojnë në “top listën” e më të shiturve në botë?

Vendin e parë e mban libri me historinë dramatike të një vajze që, në muajt e fundit të betejës së saj me kancerin, njeh dashurinë e vërtetë të jetës. “Faji në yjet tona”, i shkrimtarit John Green, ka tërhequr më së shumti lexuesin e kësaj vere.

“E padukshmja”, e James Patterson dhe David Ellis, që mban vendin e dytë, flet për një ish-investigues të FBI-së, që zbulon pas shumë vitesh një sërë krimesh, të ndodhura gjatë punës së tij.

Janet Evanovich dhe libri i saj “Top secret 21”, i cili flet për një femër që i duhet të shpëtojë shoqen e saj të ngushtë nga disa persona të rrezikshëm, mban vendin e tretë.

Romanca, këtë herë, mban vendin e katër. “Premtimi”, i autores Robin Ker, rrëfen dramën e një burri të vè, dyert e zemrës së të cilit janë gati të hapen për të dashuruar sërish.

Vendin e pestë e mban romani me titull “Krimbi i mëndafshit”, i Robert Galbraith, ku personazhi kryesor, hetuesi privat Cormoran Strike, investigon zhdukjen e një shkrimtari, i cili lë pas një dorëshkrim skandali.

Lista, më pas, vijon me romancën “Derisa prekemi”, të Susan Mallery, “Kur dita shkatërrohet”, nga Maya Banks, “Nëse unë do të qëndroja”, i Gayle Forman, “I kundërti”, nga Veronica Roth, dhe së fundmi romani “Zoti Mercedes”, nga “mbreti” i thrillerit, Stephen King.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat