“Departamenti AP” bashkon teatrot e Ferizat e të Elbasanit

Kultura

“Departamenti AP” bashkon teatrot e Ferizat e të Elbasanit

Më: 2 korrik 2014 Në ora: 14:23

Kryetari i Ferizajt, Muharrem Svarqa ndihej i lumtur derisa priste artistët nga Elbasani dhe Ferizaj, të cilët së bashku do të inskenojnë shfaqjen “Departamenti AP”.

Drama e Jeton Nezirajt do të vihet në skenë nga regjisori Adonis Filipi dhe mëton të jetë model i bashkëpunimit jo vetëm kulturor midis Kosovës e Shqipërisë. Provat për këtë shfaqje, e cila konsiderohet se është e para që realizohet si projekt i përbashkët në mes dy teatrove shqiptare, andej dhe këndej kufirit, duke i marrë edhe përgjegjësitë financiare në dysh, tashmë kanë nisur nga katër aktorë, dy ferizajas dhe dy elbasanas.

“Ideja e shfaqjes së përbashkët u hodh gjatë vizitës në Elbasan. Bashkë me kryetarin e Bashkisë së Elbasanit kishim biseduar për shumë mundësi bashkëpunimi, por kjo shfaqje është fillimi që duhet të pasohet nga projekte të tjera jo vetëm kulturore”, ka thënë kryetari Svarqa.

Regjisori Adonis Filipi ka thënë se shpreson që ky projekt të ketë rrugëtim të gjatë dhe pret të jetë model i shfrytëzimit të kapaciteteve të përbashkëta. Sipas Filipit, teksti i Nezirajt synon të depërtojë në raportet aq të ndjeshme siç janë ato në mes të individit dhe pushtetit apo krijuesit dhe pushtetit. Kurse puna me një ekip aktorësh të ndryshëm, për Filipin nuk duket të jetë e vështirë, sepse përvoja e tij prej krijuesi e ka përballur me punën nëpër teatro të vendeve të ndryshme. Ka realizuar shfaqje gati në secilin teatër të Shqipërisë.

“Në vetvete kuptohet që është sfidë, por gjuha e teatrit është universale. Por unë do të synoj një unifikim kreativ estetik”, ka thënë ai.

Ndërkaq autorit Jeton Neziraj foli në veçanti për çështjen e censurimit të krijuesve.

“Vetë titulli asoconon me përmbajtjen, që flet për kohën e agjitacionit dhe propagandës që bëhej në kohën e totalitarizmit, për t’ia mbushur mendjen publikut për pagabueshmërinë e partisë-shtet dhe ideve të saj”, ka thënë Neziraj, duke theksuar se “censura vazhdon edhe në kohën e transicionit veçse ajo tash është më e sofistikuar”.

Shfaqja e përbashkët e Ferizajt dhe Elbasanit pritet të marrë pjesë në festivalin ndërkombëtar “Skampa”, që mbahet në Elbasan dhe në Festivalin e Teatrove të Kosovës, që mbahet në Ferizaj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat