E drejta autoriale në Kosovë

Kultura

E drejta autoriale në Kosovë

Më: 25 prill 2014 Në ora: 09:31

Qendra kulturore Evropiane mesditën e së enjtes, organizoi debat mbi të drejta të autorit në kohërat digjitale. Ky debat u organizua në prag të shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Pronësisë Autoriale, që është më 26 prill.

Teknologjia dhe digjitalizimi po i sfidon shumë të drejtat e autorit dhe zbatimi i ligjit në Kosovë arrin deri në 40 %, ishte një ndër konstatimet e panelistëve të debatit që ishet në përbërje të ekspertit të Bashkimit Evropian për mbrojtjen e të drejtave të autorit, Ianis Kikkis, zyrtarë për mbrojtën e të drejtave të autorit nga Ministrin e Kulturës, Valon Kashtanjeva, si dhe kompozitori Florent Boshnajku që njëherësh është edhe udhëheqës i shoqatës për të drejta të autorit, në temën “Kufizimet dhe të drejtat që i kufizon ligji për të drejta të autorit”.

“Ky është problem global nuk është vetëm problem i Kosovës, këtë problem duhet shikuar në këtë aspekt, si problem të përgjithshëm”, tha eksperti i Bashkimit Evropian për mbrojtjen e të drejtave të autorit, Ioannis Kikkis.

“Qëllimi ynë kryesor është që të drejtat e autorit të jenë sipas standardeve evropiane. Është një ligj i ri që nga viti 2011, i cili është në një nivel të kënaqshëm por janë disa zbrazëtira në të dhe mendoj që ato do të plotësohen. Jo çdo njëri e di rëndësinë ekonomike të të drejtave të autorit. Përmes këtyre konferencave ne do të mundohemi t’i mbështesim këto nisma, siç është konferenca e sotme.

Përmes përvojave të veta,ekspertet e BE-së do të kontribuojnë në këtë debat” tha Kikkis, duke vazhduar të thotë që qëllimi nuk ishte që të krijonin kriminel por konsumator. Sipas tij nuk kërkohet që Kosova të jetë në paralelet e njëjta me Francën, por që të jetë e përafërt me vendet e Ballkanit.

Ndërsa zyrtari për mbrojtën e të drejtave të autorit nga Ministria e Kulturës, Valon Kashtanjeva u shpreh që dënimi që mund të marrin ata që merren me piratëri është prej 3muajve deri në 9 vite burg. Por që fatkeqësisht deri më tani nuk ka asnjë të dënuar, pavarësisht që pirateria është prezent në secilin hap që bëhet.

“Në vitin 2012 Ministria e Kulturës ka marr iniciativën për përbërjen e një strategjie kundër falsifikimit dhe piraterisë, strategji kjo që është bërë në bashkëpunim të ngushtë me akteret e fushës dhe që është miratuar në tetor të 2012, bazuar në këtë strategji është formuar taskforca kundër piraterisë. Nga data 1 janar e vitit 2013 shkelja e të drejtës së autorit përbën vepër penale dhe kjo taskfocë ka zyre për të drejta të autorit, zyrën për pronësi, zyrën për pronësi intelektuale.

Taskforca do të veproj deri në vitin 2016 me këtë strategji të tanishme që ka. Deri më tani ka pasur 35 mijë kopje të CD-ve të konfiskuara, materiale kryesisht me muzikë , video lojëra, programe kompjuterike që janë të mbrojtura tashmë me ligjin për të drejta të autorit. Pos kësaj ka pasur edhe qindra libra të konfiskuara dhe taskforca është duke vepruar ende në teren që do të veproj akoma, varësisht nga informacioni që ne e kemi” u shpreh Kashtanjeva, duke i bërë thirrje të gjithëve që të marrin masa edhe vetanake për mbrojtjen e të drejtave të autorit.

Kurse kompozitori Florent Boshnjaku, që njëherësh është udhëheqës i shoqatës për të drejta të autorit, gjatë debatit u shpreh shumë skeptik për zbatimin e ligjit mbi të drejtat autoriale. Sipas tij është shumë absurd fakti që deri më tani nuk është asnjë person i dënuar për keqpërdorim të të drejtave autoriale.

“Para luftës në Kosovë tirazhi i shitjes së kasetave ka arritur në 10 mijë sosh , dhe me shitje jashtë Kosovës ka arritur 200 mijë kopje. Sot jemi në vitin 2014 dhe shitja në rastin më të mirë të mundshëm arrin 1 mijë shitje. Edhe në mediume keqpërdoret e drejta e autorit, jo që keqpërdoret por nga mëngjesi e gjerë në mbrëmje gjithçka që lëshohet është komplet pa të drejtë autoriale.

Fatmirësisht gjërat ligjore janë rregulluar, thjeshtë ka mbetur edhe implementimi i tyre, kemi bërë edhe takimet e para dhe jemi në fazën e tarifave. Shpresojmë që edhe shteti të na ndihmoj.

Kemi pasur takime edhe me medie dhe është kërkuar edhe një draft kontratë, RTK është e para që duhet t’ia nis kësaj pune pasi që është televizion publik. Edhe në vendet e rajonit ka ndodhur kështu”, tha Boshnjaku. Sipas tij kjo përgjegjësi vlen edhe për film edhe për letërsi, mirëpo sipas Boshnjakut muzika është fushë që ka krijimtari të vazhdueshme dhe është më shumë profitabile. Boshnjaku gjithashtu u shpreh se në parim të gjithë janë për kryerjen e obligimeve të pagesës por që akoma nuk kanë mbërritur deri të implementimi i ligjit.KultPlus

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat