Dorëshkrimi i pabotuar i Marquezit

Kultura

Dorëshkrimi i pabotuar i Marquezit

Më: 24 prill 2014 Në ora: 10:02

Gabriel Garcia Marquez, i cili javën që lamë pas ndërroi jetë, ka lënë disa dorëshkrime të pabotuara. Ai nuk ka dashur ti botonte në të gjallë të vet, ka deklaruar redaktori kryesor i shtëpisë botuese Pinguin House, Cristobal Pera.

Titulli i dorëshkrimit të pabotuar të Marquezit është “Do të shihemi në gusht”, ndërsa pjesa hyrëse është botuar në gazetën spanjolle “La Vangardia”. Në të përshkruhet udhëtimi i një gruaje të martuar, 50 vjeçare e cila çdo vit udhëton në një ujdhesë tropikale ku viziton varrin e nënës së vetë. Kjo grua është në një lidhje dashurie me një burrë, moshatarë i saj, me të cilin takohet në hotelin ku vendoset.
Tregimi ka një ton të lehtë erotik, në një ambient të rrethuar me natyrë tropikale dhe me zakone të banorëve lokalë.

Ky dorëshkrim besohet se është krijuar në kohën kur është botuar romani i fundit i Marquezit “Kujtim kurvash të trishta” (2004) dhe ka tematikë të njëjtë. Pera ka deklaruar se familja e nobelistit Marquez ende nuk ka vendosur nëse do ta aprovojë botimin e tij pas-vdekjes, dhe se cila shtëpi botuese do t’i marrë të drejtat e botimit.

Nobelisti Gabriel Garcia Marquez, i njohur mes miqsh si Gabo, vdiq më 17 prill në shtëpinë e vet në Meksiko Siti, ndërsa lajmi i vdekjes ka tronditur mbarë botën, ngase shkrimtari ka pasur adhurues të shumtë gjithandej planetit. Biografi i tij, Gerald Martin ka thënë se ky dorëshkrim me gjasë është krijuar nga ndonjë tregim i shkurtër.

“Për mua kjo është një befasi. Herën e fundit kur kam biseduar me Gabon për atë tregim, është dashur të botohej në një libër bashkë me tre tregime të tjera të pavarura”, ka deklaruar Martin.
“Tani po flitet për disa episode ku gruaja kthehet dhe ka aventura të ndryshme çdo vit, dhe shihet që këto Gabo i ka shkruar më vonë”, ka shtuar Martin.

Qeveria kolumbiane, javën e ardhshme, në panairin e librit do ta themelojë çmimin për letërsi me emrin e Marquezit dhe do ta ndajë çdo vit për tregimin më të mirë të shkurtër të shkruar në gjuhën spanjishte.
Agjencia shtetërore kubaneze “Prenasa Latina” ka bërë të ditur se Festivali i sivjetmë i filmit në Havanë do t’i kushtohet Marquezit. Është e njohur tashmë që shkrimtari ishte i afërt me ish presidentin kubanez, Fidel Kastro. Kastro në adresë të shkrimtarit kishte dërguar një kurorë me lule të verdha dhe të bardha, ku kishte shkruar “Mikut tim të dashur”, ka bërë të ditur televizioni kubanez.KultPlus.com

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat