100 mijë euro mbështetje për librin dhe revistat letrare

Kultura

100 mijë euro mbështetje për librin dhe revistat letrare

Më: 24 prill 2014 Në ora: 09:59

Në Ditën Botërore të Librit dhe të së Drejtës së Autorit, Ministri i Kulturës, Memli Krasniqi ka nënshkruar sot tre vendime për përkrahjen e librit dhe revistave letrare.
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi ka nënshkruar vendimin për përkrahjen për botim të titujve të rinj, vendimin për blerjen e titujve të botuar dy viteve të fundit dhe përkrahjen për revistat letrare.

Siç njofton Ministria e Kulturës, vendimet janë nënshkruar bazuar në kompetencat që ia jep Ligji për Veprimtarinë Botuese dhe Librin dhe Rregullorja për punën e Këshillit të Librit.
Rekomandimet për të tri këto vendime kanë ardhur nga Këshilli i Librit, pas konkurseve publike, në të cilat kanë konkurruar shtëpitë botuese të Kosovës, thuhet në njoftim.

Mbështetja totale në të tria kategoritë arrin shumën prej 100 mijë euro dhe krahasuar me përkrahjen për vitin e kaluar rritja është në masën rreth 30 %.
Janë gjithsej 35 tituj të rinj që do të mbështetën nga MKRS-ja për botim me një shumë totale prej mbi 50 mijë euro.
Ndërkaq, tek konkursi për blerjen e librave të botuar në dy vitet e fundit përkrahja totale është rreth 23 mijë euro.

Nga kjo janë blerë 53 tituj dhe nga secili titull do të blihen rreth 80 kopje, që në total numri i librave të blerë do të shkojë në mbi 4 mijë kopje.
Librat e blerë, në një ceremoni zyrtare në ditët në vazhdim, do t’iu shpërndahen bibliotekave publike nga të gjitha komunat e Kosovës.
E tek revistat letrare përkrahja në total është 26 mijë euro dhe nga kjo shumë janë mbështetur shtatë revista letrare.
Revistat letrare të përkrahura janë: ‘Jeta e Re’, ‘Metafora’, ‘Symbol’, ‘Fjalë e Valë’, ‘Sharri’, ‘Soz Koprusu’ dhe ‘Jehona’.Kultplus

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat