Skenari `Shpia` i Lendita Zeqirit merr Grand Prize

Kultura

Skenari `Shpia` i Lendita Zeqirit merr Grand Prize

Më: 23 prill 2014 Në ora: 10:15

Skenari i filmit artistik të metrazhit të gjatë “Shpia”, nga “American Movie Awards”, është shpërblyer me çmimin “Grand Prize”, garë në të cilën nëpër vite ishin shpërblyer edhe Meryl Streep, Steven Spielberg, Michael Cimino, Katharine Hepburn. Lendita Zeqiraj, skenariste e këtij projekti filmik ka thënëse shpreson që ky çmim, përveç tjerash ta ndihmojë edhe në mbledhjen e fondeve për finalizimin e filmit

Të mendohej më herët se artistët kosovarë do të arrinin aty ku ka arritur Meryl Streep, Steven Spielberg, Michael Cimino, Katharine Hepburn..., do të na dukej një ëndërr. Por me skenarin e filmit artistik të metrazhit të gjatë “Shpia”, Zeqiraj ka bindur komisionin vlerësues të “American Movie Awards”, të cilët, për punën e shkëlqyer të Zeqirajt, pikërisht skenarit “Shpia”, i kanë ndarë çmimin “Grand Prize”, vlerësim që u është bërë pikërisht artistëve të lartpërmendur në vitet e mëhershme, pasi që çmimet e “American Movie Awards”, në Amerikë ndahen qysh nga vitet e 80-ta.

“Kualiteti i skenarëve që kishim nderin ti shqyrtojmë dhe vlerësojmë ishte thjeshte mahnitëse. “Shpia”, është veçuar me një ide të re e të fuqishme, një mënyrë e re e shprehjes dhe rrëfimit i cili ndërtohet gradualisht duke shpalosur botën emocionale të personazheve të krijuar me një mjeshtri të veçante”, i është shkruar Zeqirajt me rastin e konfirmim për çmimin e ndarë, çmim që ka bërë të ndihet mirë padyshim regjisoren Zeqiraj, e cila tashmë ka matur profesionalizmin e saj me shumë kineastë nëpër festivalet më prestigjioze në botë, me filmin e metrazhit të shkurtë “Ballkoni”, që shumë shpesh është kthyer në Kosovë edhe me çmime shumë të mëdha.

“Ky është një konfirmim se jemi në rrugë të mirë, edhe pse, ende në gjysmën e shtegut. Shpresoj që ky çmim, përveç tjerash do t'na ndihmojë edhe në mbledhjen e fondeve për finalizimin e filmit”, ka thënë për KultPlus, Zeqiraj, e cila tashmë është në përgatitje edhe të përzgjedhjes së aktorëve që do të jenë pjesë e këtij filmi që ka bërë për vete edhe “American Movie Awards”.

“Të gjitha projektet e mija filmike, që nga filmi EXIT deri te SHPIA, merren me kompleksitetin e marrëdhënieve ndërnjerëzore dhe ndjeshmërinë individuale. Krejt këto të vendosura në rrethana të caktuara. Kam punuar edhe dokumentarë dhe filma të shkurtër eksperimentalë, në kërkim të mediumeve dhe mjeteve të reja të shprehjes. Edhe filmi im i fundit "Ballkoni" flet për një situatë ku marrëdhëniet dhe komunikimi midis njerëzve, prodhojnë dhe zbulojnë një mendesi shoqërorë dhe probleme aktuale të të përditshmes, ku humori dhe tragjika ekzistenciale pasqyrojnë absurdin e situatave. Kështu, në të gjitha projektet e mija deri tash, vija qe ndan komedinë nga tragjedia është shumë e hollë, për të mos thënë ë pavërejtshme”, ka thënë Zeqiraj.

Ndërkohë, sipas saj personazhet në filmin "Shpia", janë njerëzit që e rrethojnë çdo ditë. Njerëz të guximshëm, që edhe pas përvojave të vështira jetësore arrijnë të jetojnë jetën e tyre.

“Aftësia e tyre për të ruajtur gëzimin, buzëqeshjen dhe sensin e humorit dhe në të njëjtën kohë fuqia që të jetojnë me barrën e dhimbjes, është pothuajse e mrekullueshme. Jetesa e tyre është shumë modeste, elementare, me çaste që karakterizojnë të përditshmen e kësaj ane, me plagë të thella shoqërore, ku humori është e vetmja terapi që kanë”, ka zbuluar më pas Zeqiraj, karakteret që përbëjnë filmin e radhës që për produksion filmik kosovar ka n’Art studio dhe atë të Norvegjisë “Merkur”. (Kultplus)

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat