Në mbrojtje të kalldrëmit...

Kultura

Në mbrojtje të kalldrëmit...

Më: 20 prill 2014 Në ora: 09:56

Mbështetur në të dhënat e Komunës së Prizrenit, organizata joqeveritare “EC Ma Ndryshe” në kuadër të projektit “Urbanizmi i Prizrenit nën vëzhgim të përhershëm” vlerësoi se ekzekutivi i Prizrenit, ndonëse ka ndjekur shumicën e procedurave të duhura për realizimin e një investimi kapital të rëndësisë së veçantë, megjithatë ka iniciuar punimet pa e siguruar edhe përfundimisht lejen për ndërtim.

Në këtë kontekst është shqyrtuar ecuria e nisjes së punimeve në riparimin e Sheshit të Lidhjes, që ka ngjallur një debat në shoqërinë prizrenase sa i përket ruajtjes së vlerave natyrore dhe trashëgimisë urbane, në këtë pjesë të rëndësishme të Qendrës Historike të qytetit.

Referuar një informate të marrë nga Drejtoria e Urbanizimit dhe Planifikimit Hapësinor, lidhur me projektin, koordinatori i Programit të Trashëgimisë Kulturore, Valon Xhabali tha se nga kjo del se “Sheshi i Lidhjes është në procedurat përfundimtare për pajisje me leje”, derisa Drejtoria e Shërbimeve Publike që është bartëse e këtij projekti ka shpjeguar se gjatë hartimit të projektit ka pas debat publik me qytetarët, ndërsa në planifikim janë kyçur edhe ekspertë ndërkombëtarë, në mënyrë, që rivitalizimi të realizohet sipas standardeve të mirëfillta urbane.

Nisja e punimeve për projektin ka ngjallur reagim në mesin e qytetarëve për shkak të largimit të një numri të drunjve nga kjo hapësirë. Por komuniteti ka reaguar edhe në tetor të 2012-ës, gjatë fazës së planifikimit të projektit, me ç’rast është kërkuar që kalldrëmi të ruhet, sikurse që është apeluar që edhe jazet të kenë dimensionet e duhura.

“Shpjegimet e dhëna nga bartësit e projektit janë se në vend të kalldrëmit do të përdoret një material tjetër vendor (rrasat) shkaku i kostos, përderisa për jazet planifikuesit janë zotuar se do t’i rishqyrtojnë dimensionet. Lidhur me drunjtë, DSHP ka bërë të ditur se UN Habitat ka sjellë një ekspert ndërkombëtar, që ka hartuar një raport lidhur me gjendjen e tyre dhe masat që duhet ndërmarrë gjatë realizimit të projektit”, tha Xhabali.

Në raportin e ekspertizës ndërkombëtare, thuhet se disa drunj janë të vdekur, të sëmurë apo në shpërputhje me infrastrukturën, që do të vendoset dhe është paraparë zëvendësimi i tyre, sipas udhëzimeve të përgjithshme, që janë dhënë për tërë zonën. Po ashtu është kërkuar që hartohen udhëzime të shkruara mbi standardet e ruajtjes së gjelbërimit para nisjes së punimeve në terren, si dhe mbikëqyrja e gjelbërimit nga zyrtari komunal përgjegjës për mjedisin.

Bazuar në këto të gjetura, “EC Ma Ndryshe” i rekomandon komunës, që të mos iniciojë punime në asnjë projekt ndërtimor pa u pajisur me leje të duhur, ndërsa kërkon që pas çdo debati publik, procesverbali i takimit t’i shpërndahet pjesëmarrësve, në mënyrë që të ketë mundësi edhe për komente shtesë dhe përfshirje të vërtetë të qytetarëve në vendimmarrje.

Në rastet kur materiali ndërtimor ndikon në kosto të merret parasysh edhe shtyrja e realizimit të projektit deri në sigurimin e mjeteve të nevojshme.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat