Gazetaria, profesioni më i bukur

Kultura

Gazetaria, profesioni më i bukur

Më: 19 prill 2014 Në ora: 12:56

Kur pyeta një herë në një universitet të Kolumbisë se çfarë provimesh aftësie apo të karakterit profesional iu nënshtrohen personat që dëshirojnë të studiojnë për gazetari, përgjigja që mora ishte e prerë: “Gazetarët nuk janë artistë”. Në njëfarë mënyre, këto pikëpamje ushqehen nga bindja se gazetaria e shkruar është një zhanër letrar. Këtu e pesëdhjetë vjet të shkuara, shkollat e gazetarisë nuk ishin në modë. Ky zanat mësohej në zyrat e redaksive, shtypshkronja, qoshkat e kafeneve më të humbura, si dhe festat e organizuara të premteve në darkë.

Gazeta përgatitej në mjedise që u ngjanin pak a shumë punishteve, vendet më të përshtatshme për të mësuar e për t’u informuar dhe ku pikëpamjet lindnin e përpunoheshin në një atmosferë bashkëpunimi të ngushtë, ku ruhej e respektohej integriteti i çdonjërit. Gazetarët përbënin një grup të organizuar më së miri. Gjithçka që kishim në këtë jetë e ndanim bashkërisht dhe qemë aq fanatikë lidhur me profesionin tonë sa nuk flisnim kurrë për ndonjë gjë tjetër. Puna na kishte lidhur aq fort me shoqi-shoqin, sa pak kohë mund të mbetej për jetën intime të çdonjërit prej nesh. Ndonëse asokohe nuk ekzistonte kolegjiumi i redaksisë në kuptimin formal të fjalës, në orën pesë të pasdites i gjithë stafi mblidhej spontanisht sa për t’u çlodhur nga tensioni i përjetuar gjatë ditës dhe për të pirë një kafe në ndonjë vend ku mund të zhvillohej veprimtari editoriale.

Ishin mbledhje të hapura, ku diskutohej me zjarr rreth temave të çdonjërës prej rubrikave dhe ku viheshin pikat mbi i për numrin e mëngjesit të ditës së nesërme. Personat që nuk mësonin gjë prej gjëje në debatet e ndezura 24-orëshe të asaj akademie shëtitëse ose të gjithë ata që mërziteshin për vdekje nga bisedat e pafundme që zhvilloheshin, qenë pikërisht ata që dëshironin ose që mendonin se tashmë ishin gazetarë, por në të vërtetë nuk qenë të tillë. Asokohe gazetaria ndahej në tri kategori të mëdha: lajmet, historitë me karaktere dhe editorialet. Rubrika që kërkonte vërtetë finesë dhe që mbartte në vetvete goxha prestigj ishte ajo e editorialeve.

Puna e reporterit ishte më e nënvleftësuara, pasi personi që e kryente atë ishte rëndom ndonjë riosh, të cilit i ngarkoheshin detyra që nuk shkonin përtej shërbimeve të një çiraku. Si koha ashtu edhe profesioni kanë dëshmuar se sistemi nervoz i gazetarisë vepron sipas një stili që lëviz në drejtim të përkundërt me akrepat e sahatit; domethënë, në moshën 19-vjeçare unë isha studenti më i keq që kishte fakulteti i Drejtësisë dhe e nisa karrierën e gazetarit si anëtar i redaksisë së editorialeve. Tani gazetarinë nuk e quan më kurrkush gazetari, por shkenca e komunikimit ose komunikimi masiv. Pa hyrë në hollësira, rezultatet e përftuara nuk janë dhe aq inkurajuese.

Studentët që diplomohen nga institucionet akademike me pretendime tejet të mëdha dhe aspak realiste, ndonëse jetën e kanë përpara, duket që nuk kanë kurrfarë pika kontakti me realitetin dhe problemet kryesore të jetës në botën e njëmendtë, dhe më fort se profesionit e aftësive të lindura i kushtojnë rëndësi e vëmendje të pazakontë mënyrës se si të spikasin. Kjo gjë është veçanërisht e vërtetë sidomos lidhur me dy atribute kyç: kreativiteti dhe përvoja. Shumica dërrmuese e studentëve i hynë profesionit me mangësi të dukshme: ata kanë probleme të rënda me gramatikën e drejtshkrimin dhe nuk janë në gjendje ta rrokin në mënyrë instinktive materialin që lexojnë.

Ajo çka të shqetëson më së shumti është fakti se të gjitha këto shkelje të rregullave të etikës bazohen në një koncept “risku” për profesionin, në atë që është përshtatur në mënyrë të vetëdijshme dhe është rrënjosur krenarisht në rëndësinë e shenjtë të të qenit i pari që merr vesh diçka dhe para gjithkujt tjetër. Nocioni se lajmi më i mirë nuk është medoemos lajmi që ti ia ke dalë ta marrësh i pari, por në të shumtën e rasteve është ai lajm që paraqitet më mirë nga të tjerët, nuk do të thotë asgjë për ta. Dehumanizimi është duke u përhapur me një ritëm alarmues. Nuk është aspak e lehtë të kuptosh sesi teknologjia, me gjithë lavdinë e saj dhe mjetet e komunikimit që zhvillohen me shpejtësinë e dritës, gjëra që i lakmonim aq fort në kohën tonë, ia kanë dalë mbanë të përshpejtojnë dhe përkeqësojnë agoninë që lidhet me kohën e mbylljes së gazetës.

Fillestarët qahen se shefat u japin tri orë kohë të përfundojnë një detyrë që realisht nuk mund të kryhet në më pak se gjashtë orë, se u kërkojnë të përgatisin një material për dy kolona dhe në minutën e fundit u japin vetëm gjysmë kolone dhe se në kaosin e mbylljes së gazetës askush nuk ua ka ngenë ose të paktën të ketë mirësinë t’u japë një shpjegim, pa zënë ngoje këtu një fjalë sa për t’i ngushëlluar. Në të vërtetë, të raportuarit është një proces rindërtimi i detajuar dhe i kujdesshëm i fakteve. Thënë ndryshe është lajmi në tërësinë e vet, ashtu siç kanë ndodhur ngjarjet përnjëmend, të paraqitura në mënyrë të atillë që lexuesi të ndjehet sikur ngjarjet kanë ndodhur para syve të tij.

Në një vështrim të fundit, ne nuk propozojmë rrugë e mënyra të reja për të mësuar gazetarinë; por ajo që dëshirojmë të arrijmë është të ringjallim dhe mënyrat e vjetra të të mësuarit. Media do të bënte mirë ta mbështeste këtë mision shpëtimi, si në zyrat e redaksive ashtu edhe nëpërmjet skenarëve të krijuar bash për këtë qëllim, siç veprohet në rastet e shkërbimit të aksidenteve ajrore që mund të ndodhin gjatë fluturimit, në mënyrë që studentët të mësohen t’i shmangin katastrofat para se të ndeshen me to në jetën reale.

Gazetaria është një pasion që s’njeh kufij, që mund të përvetësohet e të humanizohet vetëm nëpërmjet një përballjeje që nxjerr shkëndija kur ndeshet me realitetin. Vetëm ata që e kanë këtë pasion në gjak mund ta kuptojnë këtë tërheqje magnetike që ushtron ajo, pasion që ushqehet nga paparashikueshmëria e jetës. Ai që s’e ka provuar më parë këtë përvojë mund të nisë të rrokë atë eksitim të jashtëzakonshëm që të ngjall lajmi, dalldinë e mirëfilltë që vjen e të pushton kur sheh frytet e para të punës tënde, por edhe sfilitjen morale që mbart dështimi.

Kurrkush që nuk ka lindur për këtë gjë dhe nuk është i përgatitur të jetojë për të, sepse vetëm kështu mund të kapesh pas këtij profesioni, i cili përndryshe ngjan krejt i pakuptueshëm dhe shterues, ku puna mbaron pasi lajmi është nisur drejt destinacionit, por vetëm për një çast, pasi gjithçka nis sakaq nga e para, madje me vrull më të madh, duke mos të falur as edhe një grimë prehjeje.

*Ky artikull është një ribotim i origjinalit, përkthyer nga Instituti i Medias së Kosovës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat