Performancë me ndjenja dhe përkulësi

Kultura

Performancë me ndjenja dhe përkulësi

Më: 19 prill 2014 Në ora: 01:02

Deserti i mbrëmjes së shtatë të Festivalit pianistik “Chopin Piano Fest”, sopranoja italiane, Marta Vulpi, e përcjell nga pianisti shkodran, Aleksandër Gashi, ka interpretuar veprat e nxjerra nga fondi i muzikës klasike italiane të shkruara dhe të kompozuara nga italianët e famshëm si Puccini dhe Donizzeti.

Me zërin e saj kumbues, Vulpi interpretoi nga një vepër të Giuseppe Verdi, Francesco Cilea, Gaetano Donizetti dhe tri të Giacomo Puccini, ku me performancën e saj mbresëlënëse ka bërë të ngritën në këmbë spektatorët të cilët e kanë komplimentuar përmes duartrokitjeve të gjata performancën e saj.

“Në këtë vend, kam ngelur e entuziazmuar me duartrokitjet e audiencës. Unë më shumë jam e njohur për interpretimet e Giuseppe Verdit, ku edhe kam marrë disa çmime në disa festivale verdiane. Për publikun e Kosovës i kam sjell disa vepra të kompozitorëve italian të cilat i interpretojë vetëm në raste të veçanta. Sonte, kam filluar me lirika dhe kam përfunduar me travijata. Gjithnjë me ndjenja dhe përkulësi i këndoj këto vepra që janë një ndër krenaritë e muzikës së vendit tim”, ka deklaruar për KultPlus, Marta Vulpi, nga Italia.

Tinguj të ngrohtë kanë jehuar në sallën e Swiss Diamond Prishtina nga pianoja ku po luante me mjeshtëri pianisti Aleksandër Gashi, ndërmjet atyre veprave të interpretuar nga sopranoja Vulpi. Ai me mjeshtërinë e tij në piano ekzekutonte perlat e veprave më të lavdishme të të gjitha kohërave të kompozitorëve klasik si: Chopin, Mozart, Shuman, Listz etj.

Pianisti Gashi, i cili vazhdon të performoj në “Santa Cecelia” të Romës, në këtë koncert ka shoqëruar në piano, sopranon prishtinase Arta Jashari e cila ka interpretuar “Nuit d’etoiles sous tes Voiles” të zviceranit Debussy, dhe po ashtu tenorin Liridon Sadriu që ka interpretuar një vepër të Verdit dhe Mozart.

Teksa rrjedhin notat e njëpasnjëshme të veprave të lartë-cekura të kompozitorëve që lanë gjurmë për shumë shekuj në muzikologjinë botërore, pianisti Aleksandër Gashi, koncertin e ka mbyllur me ekzekutimin e melodive të veprës “Polacca Eroica, opera 53...” të kompozuar nga Chopen.

Pianisti Aleksandër Gashi, ka theksuar se të ndjekësh llojet e muzikës klasike nuk është e lehtë, pasi që kërkohet një senzibilitet dhe një botëkuptim artistik i veçantë. Ai thotë se këtë senzibilitet e ka gjetur në mesin e audiencës së Kosovës.

“Kosova është një personifikim tejet i rëndësishëm për ne shqiptarët e Shqipërisë. Ju jeni vëllezërit dhe motrat tona. Përgjegjësia për të performuar para publikut të Kosovës është e dyfishtë, kam ndjerë një kënaqësi të veçantë dhe njëkohësisht edhe druhesha se si po luaj në piano para një publiku të tillë si ky sonte, që të përcjellë me shumë vëmendje se çka je duke ekzekutuar. Ky publik ka një senzibilitet dhe kulturë të madhe”, tha Gashi, i cili komplimentoi edhe interpretimet e sopranos Jashari dhe tenorit Sadriu.

“Paraqitja e tyre ishte fantastike. Janë dy elemente premtuese të Kosovës dhe kanë një premisë të jashtëzakonshme për të ardhmen e tyre në muzikën klasike. Bëj thirrje që ambienti artistik i Kosovës të bëj përpjekje për t’i ndihmuar muzikantët e rinj për të ecur përpara”, ka thënë Gashi.

Me performancën e grupit “Trio Vivo” e përbërë nga Lejla Pula në piano, Enkelejda Zajmi në flaut dhe sopranoja Besa Llugiqi, do të nisë koncerti i tetë i “Chopin Piano Fest”. Ky koncert do të mbahet të hënën mbrëma, në ora 20:00, në sallën e Swiss Diamond në kryeqytet.KultPlus

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat