Ëndrra e realizuar e Destan Gashit

Kultura

Ëndrra e realizuar e Destan Gashit

Më: 17 prill 2014 Në ora: 09:41

E mërkura ka gdhirë me pamje piktoreske në Bilbiotekën Kombëtare në kryeqytet. Në hollin e këtij tempulli, mëngjesi i acartë me dëborën e prillit gdhiu skulpturat e punuara me mjaft mjeshtri nga skulptori Destan Gashi, ky tash e disa vite një banor i Austrisë.
Me hapjen e ekspozitës që vetë Gashi e quante “Dem Baba Dem”, edhe pse ajo mbante titullin “Legjenda e Rozafës dhe histori të tjera në gur”, ai tha se plotësoi ëndrrën e tij të kamotshme, një ekspozitë në vendlindje.

Gjithçka në këtë ekspozitë frymon shqip. Për 27 vite pune duke skalitur, në 27 vite mërgimi gurët e tij kanë folur shqip, kanë frymuar shqip, janë skalitur shqip, dhe në këtë mënyrë përcjellin mall vendlindjeje, mall shqiptari. Ramize Bajraktari, ushtruese e detyrës së drejtorit të Bibliotekës Kombëtare tha se ndihet e privilegjuar që në këtë institucion ateron një punë si ajo e Gashit.
Përfaqësuesi nga Ministria e Diasporës, Lorik Pustina, para të pranishmëve u shpreh se ndihet i nderuar që ka rastin t`i shohë këto skulptura edhe në Kosovë.
“Ishte një përkrahje modeste që Ministria e Diasporës e bëri ndaj artistit me vetë iniciativën e ministrit për t’i sjellë këto skulptura të bukura në Kosovë. E mbaj mend që gjersa po pinim kafe me Gashin ai më tha se e gjithë bota i njehë skulpturat e vetëm në Kosovë nuk arriti kurrë të hapë asnjë ekspozitë. Kjo ka ndryshuar dhe sot kemi kënaqësinë që këtë krijimtari ta shpalosim në qendër të Prishtinës” pohoi Pustina.
Gashi, me anë të skulpturave, sjell femrën shqiptare në relacione të ndryshme. Ajo që është shtylla e shtëpisë, amvisja e punëtorja dhe gjinia e bukur, traditat bujare të lidhura me të dhe legjendat e gruas e për gruan vijnë në punimet e këtij artisti, lidhur gjithmonë me një grua ikonike si Rozafa.
Të gjitha temat që janë shtjelluar në skulpturat e tij janë simbolikë e lidhjes së tij me vendlindjen.
Ambasadori i Austrisë në Kosovë, Johann Brieger, tha se kemi të bëjë me një artist i cili nuk e ka pasur të lehtë jetën e tij.

“Kur shoh punën e artistit më duket se një gur mermeri po merr jetë, po jeton. Artisti ka pasur një jetë interesante dhe që nga fëmijëria duket se ka gjetur inspirime të ndryshme. Vitin e kaluar kisha mundësinë të njihja familjen Gashi dhe që atëherë jemi në kontakt të vazhdueshëm. Destani është një artist i madh” ka shtuar ambasadori Brieger.

Dekani i Fakultetit të Arteve i Universitetit të Prishtinës, Adem Rusinovci tregoi se si ishte njohur me Destanin, në këtë mënyrë duke shpalosur edhe madhërinë shpirtërore të tij dhe të veprave të tij.
“Shumë vite më parë kisha dëgjuar për Destan Gashin, artistin që jeton dhe vepron në Austri. Takimi ynë ishte i rastësishëm, në pamje të parë mu duk si një i huaj që shëtiste në rrugët e Prishtinës mirëpo i tëri ishte i mbushur me dashuri, në njërën nga kafiteritë e qytetit. Temat plot histori shqiptare krahas saj të gdhendura me dorën magjike të Gashit, janë të prezantuara këtu para nesh duke na kthyer në kohë dhe në emocione të ndryshme” tha Rusinovci.

Kurse artisti Destan Gashi më pak fjalë dhe shumë emocione, tregoi që tashmë ndihej i kënaqur që ëndrra e tij u realizua për të hapur ekspozitën e tij në Kosovë.
“Kjo është një ëndërr shumë e hershme. Që në Akademi kam ëndërruar që të hap një ekspozitë në Kosovë “Dem Baba Dem”. Këtu janë 20 skulptura lloj-lloj mermerësh nga periudha të ndryshme, kam skulptura edhe të sapo gdhendura tash kohën e fundit, por ato skulpturat më të mëdha nuk kam mundur ti sjell shkaku i peshës së tyre” ka shtuar Gashi.

Ekspozita me skulpturat e Destan Gashit do të qëndroj e hapur deri më 30 prill, në Bibliotekën Kombëtare. Gashi ka lindur në Rahovec ndërsa në vitin 1975 ka diplomuar në qytetin e Pejës.
Karriera e tij prej skulptori numëron edhe disa çmime si Prix d`Ellexence de la Ville de Bruxelles, Prix de Doutrelon de try dhe Medaille der Stadt Brussel.KultPlus

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat