Takim Mbarëkombëtar-si ta shpëtojmë dramaturgjinë shqiptare?

Kultura

Takim Mbarëkombëtar-si ta shpëtojmë dramaturgjinë shqiptare?

Më: 16 prill 2014 Në ora: 12:21

Regjisorë, dramaturgë, kritikë dhe aktorë në Takimin Mbarëkombëtar për Dramaturgjinë Shqipe rikthyen në vëmendje vlerat por dhe problemet që pengojnë zhvillimin e saj. Skenat shqiptare përballen me shumë probleme, por dramaturgjia shqipe prej vitesh ka qenë pak e inskenuar, dhe kjo jo vetëm për mungesë financimi, por dhe vëmendje.

Takimi i cili nisi dje në Teatrin Eksperimental “Kujtim Spahivogli” është i pari që zhvillohet në një nivel të tillë për dramaturgjinë shqipe. Ka një sërë problemesh që janë evidentuar në shkrimin e veprave teatrore nga autorët shqiptarë, disa thonë se nuk ka dramaturgji të mirë shqipe, disa të tjerë pohojnë se drama ka por ato nuk vlerësohen ashtu si e meritojnë, por problemi i parë mbetet teatri dhe regjisorët. Mungesën e dramaturgjisë shqipe, dramaturgu i njohur Bashkim Kozeli e sheh si mungesë vëmendje nga regjisorët, por dhe mungesë komunikimi mes teatrit dhe autorit të veprës.

Dramaturgu, i cili dy vite më parë u shpall fitues i konkursit të zhvilluar për dramën shqipe me veprën e tij “Ëndrra e Ismail Qemalit”, pohon se duhet një bashkëpunim më i ngushtë, teatër, regjisor, autor. “Teatri duhet të komunikojë më shumë me autorin, duhet afruar më shumë autori nga teatri, por për fat të keq mungon dhe një bashkëpunim i ngushtë regjisor dhe autor. Regjisorët nuk i afrohen dramës shqipe, sepse e kanë më të lehtë të vënë në skenë dramaturgjinë e huaj, kjo sepse nuk paguajnë autorin, ka raste që e marrin të gatshëm veprën, etj. Ka një nënvlerësim për dramën shqipe, është një mentalitet që tek ne dramaturgia është e dobët. Por sot jo vetëm bashkëpunimi që është problem, por dhe financimi.

Duhet më shumë mbështetje financiare”, u shpreh dramaturgu Kozeli. Alfred Bualoti, i njohur si regjisor dhe aktor në skenën teatrore, nga publiku mbahet mend dhe për suksesin e tij si bashkëregjisor me Andon Qesarin në komedinë “Pallati 176”. Edhe pse po bëhen gati tre dekada kjo komedi nuk rresht me suksesin e saj. E përballë problemeve që has sot dramaturgjia shqipe, si regjisor dhe aktor Bualoti tregon se janë shumë komponentë që e bëjnë një vepër të suksesshme. “Shtëpia e dramaturgjisë shqiptare është teatri. Nëse dramaturgjia është larg teatrit nuk sjell asgjë. Drama shqipe duhet të afrohet në teatër dhe jo të qëndrojë larg, por dhe regjisori duhet ta ketë në vëmendje.

Ky bashkëpunim ka munguar, nuk ka qenë si duhet. Sot teatri shqiptar ka shumë probleme, infrastrukturore dhe financiare, por veprën shqipe publike e kërkon. Mos harrojmë se komedia “Pallati 176” vijon suksesin e saj, pasi ka disa çelësa të artë si dramaturgji. Nëse një vepër i ka këto çelësa të artë, siç kjo komedi pati letrën anonime, ajo mbijeton në skenë”, pohon regjisori dhe aktori Alfred Bualoti. Takimi Mbarëkombëtar për Dramaturgjinë Shqipe Takimi Mbarëkombëtar për Dramaturgjinë Shqipe sot ka ditën e tij të dytë. Organizmi i tij erdhi në kuadër të kalendarit të përbashkët kulturor Shqipëri-Kosovë, i cili u nënshkrua më 13 shkurt mes Ministrisë së Kulturës të Shqipërisë dhe Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sportit të Kosovës.

Me pjesëmarrjen e dramaturgëve, regjisorëve dhe kritikëve të artit skenik nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, ky takim që sot vjen në ditën e dytë trajton disa tema si: Dramaturgjia Shqipe dhe Temat e Rëndësishme të Historisë dhe të Aktualitetit, Teknika e Shkrimit dhe Dega e Munguar e Dramaturgjisë, Teatri Shqiptar dhe Veprat e traditës, Regjisorët Shqiptarë dhe Dramaturgjia Shqipe, Drama Shqipe nga Këndvështrimi i një Aktori, etj.

Dramaturgët pohojnë se kemi një mori dramash të shkruara. Vetëm në konkursin e 100 -Vjetorit të Pavarësisë u paraqitën 74 drama, në një konkurs të shpallur nga Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” (ish Teatri i Komedisë) për dramën shqipe u paraqiten 15 vepra, në konkursin “Katarina Josip” në Prishtinë ka pasur po ashtu një numër të konsiderueshëm veprash të paraqitura. Sipas dramaturgëve, numri i dramave të pretenduara është goxha i madh, e duket se problemet janë në mungesën e bashkëpunimit mes autorit, regjisorit dhe teatrit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat