Ka dramë shqipe, por a ka vlera, kjo është çështja

Kultura

Ka dramë shqipe, por a ka vlera, kjo është çështja

Më: 16 prill 2014 Në ora: 08:15

As debatet e ngritura prej vitesh, as konkursi kombëtar enkas për dramën shqipe i ngritur 10 vjet më parë nuk çoi dot në zgjidhjen e problemit të mungesës së dramës shqipe në Teatrin Kombëtar. Madje në dhjetëvjeçarin e fundit kjo krijimtari nuk ka hedhur as një hap më përpara. Përpjekjet e Dhimitër Anagnostit, Stefan Çapalikut, Rikard Ljarjas, Mihal Luarasit, Aqif Mulliqit etj, etj mbetën të shpërfillura përballë politikave të drejtimit të Teatrit Kombëtar prej më shumë se dhjetë vitesh. Dramaturgjia shqiptare tashmë është një art në rrezik. Përkundrejt këtij rreziku është vendosur akt reformues: “Takimi mbarëkombëtar për dramaturgjinë shqipe” që ka nisur të zhvillohet pasdite rreth katër orë në Tiranë, ku janë thirrur për të diskutuar mbi çështjet e dramës shqiptare dramaturgë, regjisorë, kritikë arti dhe aktorë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia.

Me gjithë indiferencën e një pjese të profesionistëve të fushës, sipas ministres së kulturës Mirela Kumbaro nisma vlen. “Besoj se kjo është një nismë shumë e mirë, pikërisht për të startuar këto lloj tubimesh rreth një problemi, rreth një ideje. Jemi këtu për të folur pro dhe kundër, sepse kjo është e bukura e një debati, sepse nëse do të flasim të gjithë me të njëjtin zë, bota do të ishte shumë e shëmtuar dhe kultura nuk do të ishte kulturë”, u shpreh ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro.
“Shpresoj që të jetë një takim, nga i cili të nxjerrim ide dhe, për një moment të vetëm, të harrojmë ato inatet që kemi me njëri-tjetrin dhe të na shpërbejë ky takim për të ndërtuar strategji, për të hedhur ide”, deklaroi Hervin Çuli, drejtor i Teatrit Kombëtar.

Gjatë dy ditëve të takimit, tre shtyllat kryesore të diskutimit do të jenë: problemet me të cilat ndeshen autorët e dramaturgjisë shqipe; teatri dhe drama shqipe, ku do të shtjellohet dhe projekt-ideja për ngritjen e laboratorit të dramës shqipe. Konkluzionet e këtyre debateve do të njoftohen për median të enjten.

Rrjedha e debateve ka nisur sipas moderimit të dramaturgut dhe gazetarit të njohur Bashkim Hoxha. Pyetja thelbësore shtroi moderatori Hoxha për diskutim në tryezën e këtij takimi është: A ka ardhur koha për një bashkëpunim më gjithëpërfshirës midis vetë krijuesve, për diskutime serioze e debate që lidhen me krijimtarinë, duke shmangur vështrimet lokale?

A ka ardhur koha e integrimit midis vetes?, etj. Realisht drama shqipe lëvrohet nga dramaturgët, madje ka prurje të mëdha. Në konkursin e 100-vjetorit të Pavarësisë janë paraqitur 31 drama, 15 drama të tjera paraqiten në konkursin e përvitshëm për Dramë Kombëtare “Katarina Josipi” në Prishtinë për çdo vit konkurrojnë autorë të ndryshëm me mbi 50 vepra. Ka prurje të dramës shqipe, por a ka vlera kjo është çështja. Takimi për këto probleme që do të vijojë sërish sot në orën 9.00 të paradites në Teatrin Kombëtar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat