Instrumentet Oboe dhe Fagot presin për të zotët

Kultura

Instrumentet Oboe dhe Fagot presin për të zotët

Më: 15 prill 2014 Në ora: 09:32

Donacioni i qeverisë japoneze dhuruar Filarmonisë së Kosovës është i pajisur me instrumente që ka një Operë standarde, mirëpo, edhe përkundër kësaj, në këtë kontingjent të instrumenteve ka instrumente për të cilat nuk ka kuadër. Drejtori i Filarmonisë Opera e Kosovës, Baki Jashari ka thënë se edhe pse për momentin nuk ka ekzekutues për disa instrumente, ai nuk harron të specifikojë rëndësinë e këtyre instrumenteve.
“Duke e parë profesionalitetin e Filarmonisë Opera e Kosovës, donatorët, në këtë rast, përfaqësuesit e qeverisë japoneze e kanë llogaritur që me kalimin e kohës mund ti kemi edhe ekzekutuesit tanë”, ka thënë Jashari, duke vënë theksin mbi instrumentin Oboe, që është një instrument që nuk ka ekzekutues, edhe pse, Filarmonia tashmë posedon dy instrumente të tilla. Oboe është instrument frymor i ngjashëm me klarinetën, vlera e së cilës është 9 mijë e 500 euro.

E mira e gjithë kësaj sipas Jasharit është sepse tash Filarmonia nuk do të paguaj në të ardhmen edhe për instrumentin, por do të paguaj vetëm për instrumentistin, që deri më tashti ka qenë standard i këtij institucioni që të paguaj për instrumentet dhe instrumentistët që kanë munguar në Filarmoni e që janë huazuar nga rajoni.

“Gjithashtu është edhe instrumenti Fagot, vlera e të cilit është 19 mijë e 500 euro që ka nevojë për kuadër. Filarmonia jonë i ka dy të tilla, njëri Fagot është tek ekzekutuesi jonë, mirëpo për tjetrin nuk kemi instrumentist, sepse Kosova kaq ka, nuk ka tjetër ekzekutues të këtij instrumenti” , bëri të ditur për KultPlus, Jashari.

“Ajo çfarë mund të bëhet tashti është se Akademia e Arteve mund të hap konkurs për instrumentin Fagot, sepse instrumenti është shumë i shtrenjtë dhe nuk besoj që do ta ketë luksin dikush që ta blej. Ne e kemi këtë instrument dhe do të ishte mirë që ta kemi edhe instrumentistin”, tha Jashari duke shtuar që me këtë Filarmonia stimulon edhe sistemin arsimorë që të krijoj kuadro.
“Filarmonia nuk është institucion arsimorë, jemi institucion i pavarur më i larti i muzikës artistike, kuadri krijohet në shkollë të mesme, shkolla të ulta. Ne i krijojmë vend të punës” , tha Jashari. Ai bëri të ditur që kushdo që e ka përfunduar arsimimin për instrumentin e Oboes le të vije me diplomë, të futet në audicion dhe Filarmonia i krijon kontratë pune.KultPlus

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat