Prishtina, qyteti që organizon sesionin e 13-të të Parlamentit Kulturor Evropian

Kultura

Prishtina, qyteti që organizon sesionin e 13-të të Parlamentit Kulturor Evropian

Më: 14 prill 2014 Në ora: 17:44

Prishtina do të jetë këtë vit nikoqire e rreth 120 njerëzve të artit nga mbarë Evropa, të cilët në muajin tetor do të vijnë në kryeqytetin e Kosovës për të marrë pjesë në sesionin e 13-të të Parlamentit Kulturor Evropian. Për këtë sot Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Parlamentit Kulturor Evropian kanë nënshkruar një Memorandum Mirëkuptimi. Para nënshkrimit të memorandumit, Ministri Memli Krasniqi ka zhvilluar një takim me sekretarin e përgjithshëm të ECP-së, Karl – Erik Norman.

Në konferencën për shtyp, pas takimit dhe nënshkrimit të Memorandumit, Ministri Krasniqi e vlerësoi mbajtjen e sesion të 13-të të ECP-së në Prishtinë, si një ngjarje shumë të rëndësishme për kulturën në Kosovë, promovimin e saj dhe shkëmbimin e përvojave.

“Që tre vjet ne kemi krijuar një bashkëpunim shumë të frytshëm me Parlamentin Kulturor Evropian. Unë kam pasur privilegjin që të marrë pjesë në edicionet e fundit të ECP-së, në Edinbrugh dhe Berlin. Kam pasur kënaqësinë të prezantoj zhvillimet dhe sfidat në skenën kulturore të Kosovës. ECP-ja është një organizatë e madhe që i shërben shumë kulturës, aq më tepër për vendet si ne, që kemi nevojë për përvoja. Në Kosovë do të vijnë rreth 120 njerëz të artit nga e gjithë Evropa dhe kjo ngjarje është një tregues se Prishtina po bëhet qendër e kulturës në Ballkan”, ka thënë ministri, teksa ka falënderuar Këshillin Britanik në Kosovë për mbështetje në organizimin e këtij sesioni.

Ministri shtoi se Kosova në këto tre vjet ka qenë pjesë e ngjarjeve më të mëdha kulturore në Evropë dhe botë dhe kjo qasje, tha ai, do të vazhdojë.

“Diplomacia kulturore do të vazhdojë të jetë në fokusin tonë, pasi që për këto vjet vërtetë kemi arritur që të promovojmë vendin dhe kulturën tonë”.

Ndërkaq sekretar i përgjithshëm i ECP-së, Karl – Erik Norman, falënderoi për ftesën që i është bërë që ta vizitojë Prishtinën dhe shprehu kënaqësinë që sesioni i 13-të i ECP-së do të mbahet në vendin tonë. Ai tregoi se ka qenë iniciativa e ministrit Krasniqi për ta organizuar këtë ngjarje të rëndësishme kulturore në Prishtinë.

“Jemi shumë të lumtur që po e organizojmë takimin e Parlamentit Kulturor Evropian në Prishtinë që do të jetë në fillim të tetorit. Ne ishim shumë të kënaqur kur ministri Memli Krasniqi na kontaktoi, dhe është shumë e rëndësishme që ne po takohemi në një qytet simbolik siç është Prishtina”, tha Norman.

Ai tha se që nga 13 vite më parë prej sa është themeluar Parlamenti Kulturor, ideja ka qenë që t’i kontribuohet idesë së Evropës me kulturë, që të mos ketë barriera artificiale ndërmjet anëtarëve të Bashkimit Evropian. “Ne kemi anëtarë nga 43 shtete dhe mund të themi se jemi institucioni më panevropian”, tha ai.

Anëtarë të ECP-së nga Kosova, të emëruar nga Ministri Krasniqi janë Eliza Hoxha dhe Veton Nurkollari. Më herët në këtë mekanizëm është anëtarësuar edhe Erzen Shkololli, drejtor i Galerisë Kombetare të Kosovës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat